Debati mes Adelina Ismailit dhe këngëtareve tjera për ‘prostitucionin muzikor’
Nuk mund ta mohojmë faktin se jemi rritur me këngët e Adelina Ismailit me apo pa dashje. Kam qenë e vogël kur kam dëgjuar këngët e saj gjithandej. Adelina, pa dyshim, atëkohë, kishte monopolin muzikor e mediatik derisa vajzat që mund të kenë pasur fatin e Adelinës, kanë pas ndonjë fat tjetër: mund të kenë qenë në ndonjë fshat të pashkolluara, por mund të kenë qenë të bukura, mund të kenë pasur zë të bukur…ama s’e kanë pas fatin e Adelinës.
Shembuj se si një këngëtare në botë ka arritur majat e suksesit falë asaj që muzikantet kosovare po e quakan ‘prostitucion’ që nga Adelina Ismaili e teposhtë, ka pasur mjaft. Britney Spears nuk shquhet për ndonjë zë ‘të madh’. Shquhet për zërin e ëmbël, tërheqës dhe një pamje tërheqëse falë të cilave ka qenë një kohë të gjatë numër 1 në botë.
Adelina Ismailin tash po e pengojka numri i madh i këngëtareve, të cilat, dorën në zemër, edhe unë po pajtohem që në klipet e tyre ka doza të mëdha ‘prostitucioni’. Por, pa pritur, sot ndodhem krah këtyre prostituave. Që nga koha kur ka ‘vepruar’ Adelina Ismaili, teknologjia ka ndryshuar shumë. Adelinën e kemi dëgjuar në ndonjë kasetë me shirit e cila nëse është prishë, është dashtë t’ia fusim gishtat në kasetë dhe ta ç’pështjellim.
Ndërkaq tani, e kemi të lehtë në duam ta dëgjojmë ‘divën’ Adelinë, apo cilëndo ‘prostitutë muzikore’ tjetër. Na mjafton vetëm të kemi qasje në internet.
Në kohën kur Adelina ka promovuar prostitucion muzikor në klipet e saj, të gjitha këngëtaret e sotme kanë qenë fëmijë, ndonjëra prej tyre mund të mos ketë qenë fare e lindur.
Askush nuk mund ta mohojë se Adelina Ismaili ka thyer stër-tabuizimin e femrës shqiptare në ekran por Adelina, tani nuk mund të jetë e njëjta, ajo që kërkon sërish që femra shqiptare të kthehet në fillet e saj: në tabunë e të qenit në ekran, zhveshur.
Duke kritikuar këngëtaret post- adelino-ismailiane, Adelina ia jep vetes të drejtën e një juristeje profesionale e cila thuajse nuk ka gabuar kurrë në atë që ka bërë.
Adelinës nuk ka çka i ngelet hatri pse këngëtaret e reja kanë hyrë në biznesin e komercializmit. Të njëjtën gjë sot e bën Rihanna në botë. Madonna në anën tjetër, nuk i kritikon emrat Rihannën, Britney Spearsin, Christina Aguilerën për prostituim muzikor.
Adelina i ka kënduar mashkullit të llastuar: dalëngadale shko n’RRS, në kohën kur në një fshat të thellë të Kosovës femra është martuar me mësit, por koha ka ndryshuar. Mësitët kanë nisur të zhduken…Muzika në botë është komercializuar.
Sado që na dhemb zemra jonë artistike ta pranojmë, tekstet e Adelinës ose paraqitja e saj, nuk kanë qenë asgjë më shumë, e as me pak, se sa tekstet e Erës sot: “King je deri ta qes pikën”…”Unë veç të thirra me të pa sonte, dalengadale shko n’RRS”.