Debati i mohuar

Debati i mohuar

PRISHTINË – Mbrëmë e ndeza televizorin dhe prita të shoh debatin e parë të balotazhit mes Shpend Ahmetit dhe Arban Abrashit. Jo vetëm që prita, por prita me shumë ankth. Prita e nuk më pritej. Kurreshtar si një fëmijë. Por në fund doli që kandidati i LDK-së do të mungonte. Shpendit do t’i duhej të fliste përballë karriges së lënë zbrazët nga Arbani.

Nuk pati debat. Nuk pati përplasje të drejtpërdrejtë mes kandidatëve. E në ndërkohë, Arban Abrashi doli në dy emisione të tjera – duke dëshmuar që nuk kishte probleme me dhëmbë. Dhe vazhdoi të thoshte, me dhëmbët e rinj, se me Shpend Ahmetin do të dilte në pesë emisione, për pesë ditët e fushatës, në pesë televizione të ndryshme. Dhe ndërkohë, nuk rreshti së akuzuari qeverisjen aktuale në Prishtinë për shumçka. Kjo, ajo, kjo, ajo, auditori, militantët. Ndërkohë që kur ‘rruga’ e çonte muhabetin te qeverisja paraprake e Isa Mustafës, ai ose e mbronte në heshtje duke iu shmangur, ose e përmendte haptas e pa marre duke e lavdëruar për atë që kishte bërë. Teknikë e brishtë dhe e pavendosur.

Por kaq e pavendosur dhe e brishtë nuk më dukej mosprania e tij në debate. Kam paragjykuar se Arban Abrashi nuk e njeh Prishtinën dhe problemet e saj. Por, ndoshta kjo nuk është e vërtetë. Shpendi akuzat e përsëritura të kundërkandidatit i quajti shpifje. Madje, aty në emision, përballë karriges së zbrazët, e përdori një fjalë interesante ‘monolog shpifjesh’.

Kjo fjalë më përndriti. Kuptova pse-në e mungesës së Arbanit. Shmangiet e tij. E thjeshtë. Shumë e thjeshtë. Ai dëshiron që të vazhdojë monologun e tij, i patrazuar dhe i pakundërshtuar. Në përsëritjet e vazhdueshme, kërkon t’i forcojë mesazhet e tij. Në politikë, nëse një gjë përsëritet dhjetë herë merret për e vërtetë. Kur përsëritet njëqind herë, është absolutisht e vërtetë. Kur përsëritet njëmijë herë, është mesazh fetar. Përsëritja është shumë poaq e rëndësishme në politikë, sa në poezi. Poaq e rëndësishme në politikë, sa në fenë e ritualeve, lutjeve të kohëpaskohshme e që thuhen pandërprerë.

Përballja e drejtpërdrejtë i bën më të qarta gjërat. Thelbi i debatit është pikërisht në këtë pikë. Dhe jo vetëm thelbi, por edhe pikëngjizja: në Athinën e Sokratit debatohej në pazar mes njerëzve që ishin aty. Sidomos për çështjet politike, debati nga larg ishte i kotë dhe i pafrytshëm. Dhe pikërisht kësaj qartësie mendoj se i frikësohet ish-ministri. Domethënë, ai nuk frikësohet se do të dalë keq në debat, sepse nuk është aq i paaftë, por nuk dëshiron t’i prishet monologu, dhe t’i diskreditohen akuzat që i thotë.

Qeverisja e Shpendit është karakterizuar me një transparencë të madhe. Sa i përket korrupsionit, nuk ekziston asnjë akuzë serioze. Dhe, gjithçka që kontestohet ka të bëjnë me atë se a ka mundur të bëj më shumë se që ka bërë. E edhe Shpend Ahmeti e pranon se mund të ishte bërë më shumë.

Në anën tjetër, prapavija e Arban Abrashit është mjaft shqetësuese. Asambleistët që kanë fituar nga radhët e LDK-së, janë po të njëjtit si në kohën e Isa Mustafës. Halim Halimi, Shefki Gashi etj. Ai vetë, nuk mund të flas kundër qeverisjes së shefit të tij, e cila nuk u votua nga qytetarët e Prishtinës në vitin 2013. Pra, Arban Abrashi e ka gojën të mbyllur për 14 vjet qeverisje në Prishtinë, për çdogjë të keqe që u bë, për çdogjë të mirë që nuk u bë, për korrupsion e moszhvillim. Ai nuk e ka çpersonifikuar veten nga struktura e LDK-së në Prishtinë që ishte dhe mbeti e njëjtë. Përkundrazi, ai është personifikim i saj. Mosardhja e tij në debat, është në praktikë mosardhje e strukturës së kësaj partie në kryeqytet, e cila natyrshëm për njëmijë e një shkaqe, kërkon të jetë e fshehur dhe monologuese.

Debati që Arban Abrashi po ua mohon njerëzve është simptoma e qartë e një sëmundjeje të madhe që tashmë po i kaplon dy partitë më të vjetra në vend, PDK e LDK. Sëmundja e riciklimit të së njëjtës. Përmes figurash të reja, ata po provojnë të risjellin përmbajtjen e njëjtë. Dhe praktikën e njëjtë qeverisëse.

Për ironi, një ikje të tillë nga debatet e kishte pasur edhe para katër vitesh Isa Mustafa – duke dalur vetëm në një debat fare në fund të fushatës.

Shpërndaje në: