David Phillips dorëhiqet nga pozita e këshilltarit, shkak ideja për ndarjen e Kosovës

Periskopi.com Lajme

Eksperti i Politikës së Jashtme, David Phillips, njëherësh këshilltar për Marrëdhënie me Jashtë i angazhuar nga Qeveria e Kosovës, ka dhënë dorëheqje nga kjo detyrë.

Ai disa herë ka kundërshtuar idenë e ndarjes apo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ka thënë se është alternativa më e keqe për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve.

Dorëheqjen e tij, siç mëson Koha Ditore, ai e ka dhënë sot.

Thotë se nuk mund të marrë pjesë në një plan të propozuar për ndarje, që, siç thotë ai, ka të meta strategjike dhe në thelb kundërshton vlerat e tij.

Phillips,është drejtor i programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia të New Yorkut. Ai shërbeu si Këshilltar i Lartë në Departamentin e Shtetit në SHBA, nën presidencën e Clintonit, Bushit dhe Obamës. Autori i “Liberating Kosovo: Diplomacia detyruese dhe ndërhyrja e SHBA-së”, Phillips punoi edhe me Ambasadorin Richard C. Holbrooke në Bosnje dhe Kosovë.

Lexoni të plotë deklaratën e dorëheqjes së Phillipsit:

Unë kam punuar për pavarësinë e Kosovës mbi tridhjetë vjet, si zyrtar amerikan në Capitol Hill, në ‘think-tanks’ si Këshilltar për Marrëdhëniet me Jashtë, si dhe studiues në Universitetin Kolumbias. Qeveria e Kosovës së fundmi më ka kërkuar të shërbeja si këshilltar në dialogun Kosovë-Serbi. U pajtova sepse besoja se mund të arrihej një marrëveshje duke e fuqizuar pushtetin, duke rritur sundimin e ligjit dhe duke rritur presionin nga bashkësia ndërkombëtare në Serbi për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran brenda kufijve të saj aktual.

Disa në institucionet e Kosovës po ndjekin një rrugë tjetër. Ata pranojnë korrigjimin e kufijve, duke dhënë territor në Serbi. Unë besoj se ndarja apo korrigjimi i kufijve është marrëveshje e keqe, e cila nuk do të normalizonte marrëdhëniet me Serbinë apo do ta vendoste Kosovën në një pozicion për të fituar njohje më të madhe globale. Ithtarët e korrigjimit të kufijve besojnë se mos-njohësit e BE-së do të pranonin një Kosovë të rikonfiguruar dhe se SHBA-ja mund ta bindë Rusinë dhe Kinën që të heqin kundërshtimin e tyre ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB. Nuk ka bazë të njohur për këtë përfundim.

Për më tepër, korrigjimi i kufijve përfaqëson një tradhti historike të popullit kosovar. Ajo minon parimet demokratike të multikulturalizmit dhe pluralizmit politik për të cilin shumë prej tyre kanë vdekur në Ballkanin Perëndimor.

Është potencialisht e rrezikshme, destabilizuese dhe mund të çojë në dhunë dhe fragmentim të përtërirë.

Unë nuk mund të marrë pjesë në planin e propozuar të ndarjes që ka të meta strategjike dhe në thelb kundërshton vlerat e mia. Si parim i kam informuar edhe anëtarët e Qeverisë së Kosovës për synimin tim për të dhënë këtë dorëheqje, që të mos marrë pjesë në ndarje.

David L. Phillips

Prishtinë, Kosovë

 

 

Shpërndaje në: