DASH pas takimit në Riad: SHBA dhe Rusia u pajtuan për të punuar drejt paqes në Ukrainë

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë pajtuar të martën për t’i adresuar faktorët “acarues” në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe kanë nisur punën drejt dhënies fund të luftës në Ukrainë, ka thënë të martën Departamenti amerikan i Shtetit, duke e bërë të qartë se përpjekjet janë ende në fazat e para.
“Një thirrje telefonike, e pasur me një takim, nuk janë të mjaftueshme për paqe të qëndrueshme”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, pas takimit që është zhvilluar në Riad të Arabisë Saudite.
Sipas DASH-it, palët janë pajtuar për të vazhduar bashkëpunimin në çështje të interesit të përbashkët gjeopolitik, për mundësi ekonomike dhe mundësi për investime, që dalin nga përfundimi i luftës së Moskës në Ukrainë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Yuri Ushakov, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë të martën se takimi ka qenë i sukseshëm.
Ushakov ka thënë se palët janë pajtuar për kushtet e një takimi mes Putinit dhe presidentit amerikan, Donald Trump.
Ai ka thënë se një takim mes dy liderëve nuk ka mundësi të zhvillohet javën tjetër, dhe se nuk ekziston një datë konkrete për takimin.
Sipas tij, dy palët do t’i formojnë ekipet e tyre negociatore për të pasur kontakt në kohën e duhur.
Pala amerikane – që përbëhej nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, Këshilltari për Siguri Kombëtare, Mike Waltz dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Lindje të Mesme, Steve Wikoff – ka thënë paraprakisht se takimi i sotëm nuk ka të bëjë me nisje të negociatave, mirëpo për të parë nëse Rusia është “serioze” në dhënien fund të luftës në Ukrainë.
Pala ruse – e përbërë nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe Yury Ushakov, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin – ka thënë se prioritet do të ketë normalizimi i marrëdhënieve me SHBA-në.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk është ftuar për të marrë pjesë në bisedime dhe ka thënë se Kievi nuk do të njohë asnjë marrëveshje të arritur për Ukrainën, kur Ukraina të mos jetë prezente në tavolinën e negociatave.
Zelensky aktualisht është në një vizitë në Lindje të Mesme, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Turqinë.