“Dardanët” para ndeshjes me Irlandën: S‘ka kohë për t‘u mërzitur, ka nevojë për rikthim
Para ndeshjes me Kombëtaren e Irlandës së Veriut, tifo-grupi “Dardanët” kanë një mesazh të qartë për futbollistët që mbrojnë ngjyrat e Kosovës.
Këtë të enjte, kur edhe shënohet përvjetori i vdekjes së legjendës, Fadil Vokrri, Kosova përballet me Irlandën e Veriut si vendase, ndeshje kjo e vlefshme për Ligën e Kombeve, përcjell KosovaPress.
Tifo-grupi “Dardanët” tani kanë një mesazh të fortë për futbollistët tonë, të cilëve iu është thënë se nuk ka kohë për tu mërzitur por ka nevojë për rikthim.
Më poshtë e gjeni mesazhin e plotë të “Dardanëve” në “Facebook”.
“S‘ka kohë për t‘u mërzitur. Ka nevojë për rikthim!
Të enjten, në një datë të shenjtë siç është ajo e 9 qershorit, kur përkujtojmë përvjetorin e vdekjes së njeriut simbol të futbollit tonë, Fadil Vokrrit, luajmë ndeshjen e radhës kundër Irlandës së Veriut, mu në stadiumin që mban emrin e tij.
Gjenerata të tëra e kanë pasur ëndërr ta shohin topin të rrokulliset lirshëm për ta përfaqësuar vendin tonë. Një fat të tillë na ra hise ta shijojmë tek viteve të fundit.
Pesha e ndeshjeve të Kosovës ka kuptim më të gjerë sesa thjesht një lojë futbolli që zgjat 90 minuta.
Kosova duhet konceptuar si përgjegjësi e privilegj, jo përfitim e neglizhencë.
Koha e fundit t’i thërrasim mendjes dhe ndërgjegjes të gjithë, pa anashkaluar askënd, as tifozët, por në veçanti disa futbollistë. Pra, e përfshijmë edhe veten në kritikë.
Grumbullimet e Kosovës nuk janë ekspeditë dhe eksksurzion, por një periudhë nga e cila kërkohet më shumë përkushtim e djersë, sesa demagogji e arsyetime.
Dhe, po. Jemi duke punuar. Nuk na kanë demoralizuar rrethanat që u krijuan në ndeshjen e fundit për ta lënë pas dore organizimin për ndeshjen që po vjen.
Për lojtarët një mesazh i vetëm: hyni në fushë për interesin e Kosovës, jo për ego personale.
Dashuri që nuk shterron është Kosova! ???”.