“Dardanët” kërkojnë mobilizim të Kosovës për mbijetesë në Ligën C

“Dardanët” kërkojnë mobilizim të Kosovës për mbijetesë në Ligën C

Tifozët “Dardanët” kanë bërë thirrje për mobilizim të të gjithëve para ndeshjes me Qipron, e cila është mjaft e rëndësishme për Kosovën.

Verdhekaltrit gjenden në një pozitë jo fort të lakmueshme pasi një humbje eventuale nga qipriotët mund t’i zbresë ata në Ligën D.

E për të mbijetuar në Ligën C të Ligës së Kombeve, “Dardanët” i kanë ftuar tifozët për mbështetje dhe lojtarët për ta dhënë atomin e fundit nga vetja nesër mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Më poshtë mund ta lexoni statusin e tifozëve “Dardanët”:

“Nesër kundër Qipros dëshirojmë ta ruajmë mbijetesën në Ligën C dhe vetë nderin tonë. Për t’i arritur këtë të dyja, kemi nevojë për ndihmën e çdo tifozi. Kemi nevojë që thirrjes për të ardhë në stadium dhe për ta përkrahur Kosovën, t’i përgjigjen të gjithë anëtarët e tifogrupit tonë – sepse në të kundërtën do të ketë pasoja, që nënkupton shqyrtim të anëtarësisë.

Secili që do të jetë në stadiumin “Fadil Vokrri” duhet të rreshtohet me zemër në përkrahje të Kombëtares së Kosovës për një ndeshje kaq jetike.

Bëjmë thirrje për mobilizim. Kërkojmë bashkim. Nuk duam përçarje!

Të gjithë i duam në stadium: -edhe ata që pajtohemi, por edhe ata që pajtohemi më pak. Kosova është e të gjithë ne. Njëherë e mirë t’i lëmë anash dasitë dhe t’i dalim zot vendin tonë.

Koha të mos i nënshtrohemi debateve virtuale, por t’i japim jehonë një atmosfere çfarë i ka hije popullit të Kosovës.

Anëtarët e Dardanëve luten të konsultohen dhe kontaktojnë përfaqësuesit e qyteteve respektive për t’u pajisur me bileta. Bëjmë thirrje për shkallë të ndërgjeshmërisë. Nuk do të tolerohet nga kryesia e Dardanëve asnjë abuzim me shpërndarjen e biletave. Besa, besë!”.

Shpërndaje në: