“Dardanët” janë gati – Përfundojnë edhe stërvitjen e fundit para nisjes për në Qipro
Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar sot seancën e fundit stërvitore në Prishtinë.
“Dardanët” ushtruan në stadiumin “Fadil Vokrri”, dy ditë para fillimit të kampanjës kualifikuese në Ligën e Kombeve.
Verdheakaltrit dukeshin në disponim të mirë dhe janë shprehur optimistë para katër dueleve që i presin në muajin qershor.
Kontingjenti kosovar tashmë i ka kompletuar përgatitjet në vend, ndërsa nesër do ta marrë rrugën drejt Qipros, ku pasdite do ta zhvillojë një seancë të lehtë stërvitore.
Ndërsa, të enjten, më 2 qershor, Kosova do ta nisë edicionin e ri të Ligës së Kombeve me ndeshjen ndaj qipriotëve.
Më pas, më 5 qershor djelmoshat e trajnerit Alain Giresse do ta presin Greqinë e pas katër ditësh, më datën 9, Irlandën e Veriut.
Maratonën e katër ndeshjeve në muajin që vjen, Kosova do ta mbyllë me ndeshjen ndaj Greqisë në udhëtim, që do të luhet më 12 qershor.
“Dardanët” synojnë të bëjnë paraqitje pozitive dhe të nxjerrin rezultate të favorshme në këto katër duele.