Danina Rexhepi, nëntëvjeçarja që nuk po njeh konkurrencë në karate
Që nga mosha katërvjeçare iu dha sportit të karatesë.
E kur i mbushi shtatë vjet nisi të garojë në stilin “KATA”.
Danina Rexhepi nuk po njeh konkurrencë në këtë sport për grup-moshat e saj në Kosovë.
Sot ajo e mbrojti epitetin e kampionës së Kosovës, që e mban për tre vjet rresht.
Nëntëvjeçarja gjithashtu sukseset i ka të dukshme edhe në garat ndërkombëtare që janë mbajtur në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Shqipëri.
Babai i saj, Jetmir Rexhepi, tha për Klankosova.tv se dashuria për këtë sport ka ardhur nga familja.
“Dashurinë për karaten si duket e ka trashëguar. Unë dhe motra kemi qenë kampionë Ballkanik dhe Evropian në karate. Kemi garuar për Shqipërinë, pasi që në atë kohë Kosova e kishte të pamundur të garonte pasi nuk njihej nga komuniteti sportiv ndërkombëtar”.
Ai thotë se vajza e saj nga mosha 10-vjeçare do të hyjë edhe në luftëra.
“Deri në moshën 10-vjeçare sipas rregullave në karate nuk lejohen luftërat me kundërshtarë. Por, nga mosha 10-vjeçare gjithsesi se edhe Danina do të nisë një dimension tjetër të garave”.
Rexhepi thotë se merita të veçanta për suksesin e vajzës së tij i kanë edhe dy trajnerët.
“Meritorë po ashtu për suksesin e Daninës, janë edhe dy trajnerët Asdren Myrtaj dhe Naim Ilazi”.
Sipas prindit, talentja e karatesë gradualisht do të fillojë përgatitjet për të marrë pjesë edhe në garat evropiane dhe botërore.