Daniel Serwer për Periskopin: Serbia e suksesshme në fajësimin e Kosovës e Kosova pa ide në dialog
Njohësi i situatës në Ballkan dhe analisti amerikan, Daniel Serwer në një intervistë ekskluzive për Periskopin ka folur për faktorët që po shkaktojnë ngërç në dialogun Kosovë-Serbi, duke vlerësuar se është pala serbe ajo që po e luan lojën mjaft mirë në krejt këtë proces.
Profesor i Universitetit ‘John Hopkins’ në Uashington ka dhënë analizat e tij edhe për izolimin që po i bëhet Kosovës, çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe e qasjen e kryeministrit Albin Kurti, mos vizitën e këtij të fundit në Amerikë dhe ngjarjen e fundit me Dick Martyn.
Serwer ngreu alarmin për përshkallëzim të tensioneve në veri të Kosovës, situatë e cila mund të ndikohet nga zhvillimet e luftës në Ukrainë dhe ambiciet e errëta të Putinit. Kjo sipas Serwer, mund të ndodh lehtë nëse Rusia arrin ta pushtojë Donbasin.
Intervista e plotë:
Periskopi: Dialogu Kosovë – Serbi po duket se është në një qorrsokak. A besoni se ky ngërç i shkon në favor më shumë Serbisë sesa Kosovës (marrë parasysh që Kosova e ka krucial dialogun, nëse përmendim mungesën e njohjeve nga pesëshja e BE-së dhe mos anëtarësimi në organizata të rëndësishme ndërkombëtare)?
Serwer: Dialogu është i rëndësishëm për Kosovën për tri arsye: së pari, dialogu e vendos Kosovën në një pozicion të barabartë dhe simetrik me Serbinë; së dyti, dialogu ka potencial për të zgjidhur probleme të mëdha ndërmjet dy vendeve dhe nëse dialogu shkon mirë, ai i kënaqë evropianët dhe amerikanët.
Periskopi: A do të duhej që pala kosovare të jetë më e interesuar për dialog? Sipas jush, a po e shfrytëzon Serbia status-quon në këtë proces derisa duket sikur i ka izoluar kosovarët kjo gjë?
Serwer: Serbia e ka luajtur lojën për fajësim mjaft mirë. Derisa ofron pak në dialog, ajo i ka bindur Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara se ngecja është kryesisht për faj të Prishtinës. Unë mendoj se propozimi i Kosovës për mos-sulmim ishte një mënyrë e mirë për të kundërshtuar atë përshtypje. Kosova duhet të vijë në tryezën e dialogut me më shumë ide dhe të jetë më e hapur në diskutimet e ideve të të tjerëve. Në fund të fundit, marrëveshja do të varet nga shkëmbimi ‘diçka për diçka’ nëse është i përshtatshëm, por edhe procesi gjithashtu është i rëndësishëm.
Periskopi: Izolimi i Kosovës, pa viza dhe mungesë të njohjeve të reja. A është faji pikërisht te ngecja në dialog?
Serwer: Ngecja në dialog nuk i ndihmon askujt, por liberalizimi i vizave dhe njohjet e reja ishin të bllokuara edhe para ngecjes së tanishme të dialogut.
Periskopi: Kryeministri Albin Kurti e ka bërë të qartë se Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të formohet. Cili do të ishte rekomandimi juaj në këtë rast për Qeverinë e Kosovës?
Serwer: Unë e ndaj shqetësimin se Asociacioni nuk duhet të bëhet një trup ekzekutiv ose të krijohet një “Republika Srpska” brenda Kosovës. Por unë mendoj se Prishtina duhet të tentojë për një formulë brenda parametrave të definuar nga Gjykata Kushtetuese.
Periskopi: Meqë çdo variant në procesin e dialogut pothuajse është anuluar, ku e shihni – le të themi dritën në fund të tunelit?
Serwer: Unë mendoj se problemi mund të jetë ndër brezash, por unë gjithashtu mendoj se ekzistojnë disa gjëra që duhen bërë tani në mënyrë që të përmirësohet situata në të ardhmen. Së pari dhe krejt në fillim janë marrëdhëniet e përmirësuara ndërmjet popullatës serbe të Kosovës dhe Qeverisë së Prishtinës, duke filluar me implementimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pronës së manastritit të Deçanit, por edhe duke shkuar edhe përtej kësaj. Vuçiq i ka dhënë arsye serbëve të Kosovës për t’i qëndruar besnik Beogradit. Prishtina duhet t’i jap arsye atyre që të jenë besnik ndaj Prishtinës. Prezenca e serbëve në Kosovë është një element kyç në shtetësinë e saj të pavarur. Çdo patriot kosovar duhet të kërkojë që të drejtat, pronësia dhe prezenca e serbëve të mbrohen me vendosshmëri.
Periskopi: Janë shtuar zërat për një eskalim të mundshëm të konflikteve në Ballkan pas luftës në Ukrainë. Së fundmi kanë ndodhur disa sulme mbi Policinë në Veri. A besoni se rajoni ynë mund të jetë sërish arenë e ndonjë konflikti të armatosur?
Serwer: Po, unë besoj. Serbia de fakto është aleate e Rusisë me të cilën ajo ndan aspirata autokratike dhe ambicie pushtuese. Nëse Moska arrin sukses në Donbas, ju mund të prisni që Serbia të provojë forcën e saj ushtarake në veri të Kosovës. Kosova duhet të kërkojë dhe amerikanët duhet të dërgojnë Javenilë dhe armë të tjera mbrojtëse në drejtim të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kështu që deri në vitin 2027 Kosova të jetë në gjendje ta mbrojë veten pa prezencën e KFOR-it.
Periskopi: Liderët tonë po japin intervista në media prestigjioze (CNN, BBC, Sky News etj). Ajo që shihet shqetësuese në opinionin publik kosovar është mungesa e vizitës së Kryeministrit Kurti në Amerikë që prej kur mori postin. Si e komentoni?
Serwer: Presidentja e juaj dhe Kryeministri e meritojnë të dëgjohen në mediat ndërkombëtare. Ata po bëjnë një punë të mirë atje. Por në pyetjen rreth vizitës për në Shtetet e Bashkuara, ju duhet ta pyesni Kryeministrin dhe amerikanët. Unë jam i kënaqur ta rikujtoj se Albini ka folur këtu në John Hopkins, ku unë jam profesor, shumë vite më parë, njëjtë si Presidenti Vuçiq. Unë do të dëshiroja ta shoh Kryeministrin Kurti përsëri në ShBA, por për vizita të tilla zakonisht nevojiten negociata dhe kushte para se ato të ndodhin.
Periskopi: Doli deklarata e Dick Martyt se shërbimi sekret serb po planifikonte vrasjen e tij, për t’i fajësuar shqiptarët. Si e shpjegoni që ky informacion u dha në publik pikërisht në këtë periudhë, duke qenë se ngjarja kishte ndodhur para shumë muajsh? Cilat mund të jenë efektet e mundshme në gjithë procesin e Gjykatës Speciale?
Serwer: Unë nuk e di se pse ky lajm doli së fundmi dhe nuk e di se kush qëndron prapa kërcënimeve me vdekje. Qartësisht se raporti i Martit ishte shumë i favorshëm për perspektivën e Serbisë. Dhomat e Specializuara duhet të procedojnë, njëjtë si çdo gjykatë tjetër, pa marrë parasysh ngjarjet e fundit, por ajo duhet të fokusohet në akuzat dhe provat para saj. Unë gjithashtu mendoj se mandati i saj duhet të zgjerohet deri në krimet e kryera brenda Serbisë, siç është vrasja e vëllezërve amerikanë Bytyqi.
Intervistoi: Sokol Berisha/ Dafina Demaku