“Dallohej që ishte i veçantë, Asllani vetëm në një aspekt duhet të përmirësohet”

“Dallohej që ishte i veçantë, Asllani vetëm në një aspekt duhet të përmirësohet”

Aurelio Andreazzoli është një nga personat që e njeh Kristjan Asllanin më mirë se çdokush tjetër. Mesfushori shqiptar debutoi sezonin e kaluar në Serie A me Empolin, ndërkohë që në pankinë ishte trajneri italian.

20-vjeçari nga Elbasani është transferuar tek Interi, dhe deri tani është përshtatur shumë mirë te nënkampionët e Italisë. Asllani dhuroi asist në triumfin 4-1 ndaj Luganos, ndërsa në barazimin 2-2 me Monacon shënoi golin e barazimit, i dyti për të me ekipin e Inzaghit.

“Të jem i sinqertë, nuk ishte e vështirë të dalloja se ai kishte diçka më shumë se të tjerët. Ata që e morën të vogël dhe e rritën tek Empoli kanë zhvilluar një punë shumë të mirë”, deklaron Andreazzoli për Corriere dello Sport.

Ish-tekniku i Empolit vazhdon: “Unë e kryej profesionin tim pa parë kartën time të identitetit. Nuk mendoj se kam merita të veçanta në lidhje me Asllanin, pasi trajnerët përfitojnë nga puna e futbollistëve.

Aftësitë morale të Asllanit më kanë surprizuar. Ai ka lindur për të luajtur futboll, e ka mendjen në vend, është një djalosh që nuk ka tatuazhe dhe nuk e dëgjon kurrë të thotë ndonjë fjalë kot.

Kristian është gjithmonë i përqendruar, është kënaqësi ta stërvitësh. Ai bën atë që i thua, nuk është e nevojshme t’ia përsëritësh të nesërmen. Ai duhet ende të formohet fizikisht, por ka cilësi të jashtëzakonshme sa i përket qëndrueshmërisë.

Sa i përket këmbëve është e kotë të flasim, gjuan me të majtën dhe të djathtën, është i saktë në goditjet e penalltive dhe kroson bukur nga këndoret.

A është gati për Interin? Mendoni se ata do e blinin po të mos ishte gati?! Më ka pëlqyer në ndeshjet e para miqësore me Interin. Asllani tenton portën me të dy këmbët, ka një goditje të bukur”, përfundoi Andreazzoli. /supersport.al/

Shpërndaje në: