Dalin në shitje mesazhet private të 81 mijë llogarive të hakuara të Facebook’ut
Duket se hakerët kanë arritur një kompromis dhe kanë publikuar mesazhet private nga të paktën 81 mijë llogari të përdoruesve të Facebook-ut.
Mashtruesit i thanë “BBC”-së në Gjuhën Ruse se ata posedonin detaje të një totali prej 120 milionë llogarive, të cilat po mundoheshin t’i shisnin, ndonëse ka arsye për të dyshuar në këtë shifër të dhënë nga ta.
Zyrtarët e Facebook-ut deklaruan se nuk është bërë kompromis me sigurinë e Facebook-ut dhe se të dhënat ndoshta janë marrë përmes linqeve të dëmshme të shfletuesve të internetit.
Zyrtarët e Facebook-ut shtuan se janë ndërmarrë masa që të parandalohet cenimi i llogarive tjera të përdoruesve.
BBC ka marrë vesh se shumë nga përdoruesit, të dhënat e të cilëve janë keqpërdorur, janë nga Ukraina dhe Rusia. Megjithatë, disa janë edhe nga Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Brazili dhe nga vende të tjera.
“Ne i kemi kontaktuar ndërtuesit e shfletuesve të internetit për t’u siguruar se linqet e njohura si të dëmshme nuk janë më të qasshme për të shkarkuar ndonjë gjë në dyqanet e tyre”, tha një nga drejtuesit e lartë të Facebook-ut, Guy Rosen.
“Ne poashtu i kemi kontaktuar organet ligjore dhe kemi bashkëpunuar me autoritetet lokale për ta bllokuar uebfaqen e cila shfaqte të dhëna nga llogaritë e Facebook-ut”, shtoi ai.