Dalin në shitje biletat për ndeshjen Kosovë-Zvicër

Kombëtarja e Kosovës në basketboll, të dielën përballet me Zvicrën në ndeshjen vendimtare për parakualifikueset e FIBA Kupës së Botës 2027.
E sot nga ora 12:00 filloi shitja e biletave për këtë ndeshje emocionuese, transmeton Klankosova.tv.
Biletat shiten te Neë Born para Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, derisa çmimi i tyre është 4 euro.
Dardanët kanë dy fitore e tri humbje në parakualifikimet evropiane për FIBA Kupën e Botës 2027.
Duhet theksuar se Zvicra tashmë e ka siguruar pozitën e parë në Grupin A të raundit të parë të parakualifikimeve.
Kurse për Kosovën, përballja e së dielës ndaj Zvicrës është vendimtare për të shpresuar në kualifikim tutje.
Dardanët të enjten fituan ndaj Azerbajxhanit, me rezultat 81:79. Aktualisht, Kosova gjendet në vendin e dytë në grup me shtatë pikë, baras me Irlandën në vendin e tretë, kurse Azerbajxhani është në të katërtin me gjashtë pikë.
E që Kosova të kalojë tutje, janë disa kombinime. Dardanëve iu duhet fitorja ndaj Zvicrës për të mbetur në vendin e dytë.
Nëse Azerbajxhani fiton ndaj Irlandës dhe Kosova mposhtet nga Zvicra, atëherë azerët do të kalojnë nga vendi i katërt në të dytin. Ndërkaq, në rast të fitores së Irlandës dhe humbjes së Kosovës ndaj Zvicrës, pozita e dytë u takon Dardanëve, për shkak se kanë bilanc më të mirë në përballjet direkte.
Megjithatë, edhe po ta zë vendin e dytë përfundimisht në grup, kjo nuk e garanton kalimin tutje të Kosovës. Kjo pasi në raundin e dytë të parakualifikimeve shkon vetëm ekipi më i mirë i vendit të dytë prej tri grupeve sa janë gjithsej aktualisht në këtë raund.