Daku: Nëse ka keqardhje te Kosova, do të thotë se e kanë kuptuar se çfarë kanë humbur – jam krenar që jam pjesë e Shqipërisë
Përveçse që është një prej futbollistëve më të dashur për tifozët, Mirlind Daku po shndërrohet edhe në një prej futbollistëve kryesorë te Kombëtarja e Shqipërisë.
Sulmuesi, që nuk ftohej nga Kosova, u ftua nga Sylvinho në shtator te Shqipëria – kur edhe bëri debutimin e tij, shkruan Gazeta Express.
Daku tani numëron tri paraqitje me “Kuqezinjtë”, teksa ka shënuar një gol dhe ka ndihmuar ekipin me një asistim.
Ai së fundmi ka deklaruar se gjithmonë ka besuar se mund të arrijë në futboll, por jo në këto përmasa.
Daku zbuloi se babai i tij ishte personi i parë që i tregoi për ftesën e Kombëtares shqiptare.
“Me thënë drejtën, unë kam besuar gjithmonë te vetja, por jo në këto përmasa. Pra, nuk mendoja se do të gjendesha në një gëzim kaq të madh dhe në një moment të tillë kaq shpejt. Ftesa më ka ardhur para ndeshjes me Çekinë dhe Poloninë. Isha në listën e pritjes dhe nuk e dija se si do të shkonin gjërat më pas. Nuk isha edhe fort i bindur nëse do të mund të grumbullohesha apo jo. Por, fati e deshi që të grumbullohesha dhe debutova më pas me Çekinë. Ia thashë babait. Por e çova menjëherë ftesën te grupi në “Whatsapp” ku i kam të gjithë familjarët. Shumë mirë. Me thënë drejtën isha para ndeshjes me Rubin Kazanin dhe ishim në hotelin e klubit. Isha duke pushuar pas stërvitjes. U shtriva të flija pak pasdite, por në atë moment e pashë se ishin duke më bërë ‘tag’ në rrjetet sociale. Aty e konfirmova se isha grumbulluar dhe isha pjesë e listës. U gëzova pamasë. Në atë moment nuk po dija se si po ndihesha. Ishte e jashtëzakonshme. Më përgëzuan edhe shokët e klubit padyshim. Por, janë të befasuar me rezultatet që po arrijmë me Kombëtaren. Po çmenden… (qesh)”, tha fillimisht ai në një intervistë për “Panorama“.
Daku debutoi më 7 shtator, në barazimin 1:1 në udhëtim ndaj Republikës Çeke. Debutimin në “Air Albania” e bëri tri ditë më vonë, në fitoren 2:0 ndaj Polonisë, ndeshje në të cilën edhe shënoi gol.
“Atje në Pragë mendova se m’u realizua një ëndërr. Isha i lumtur, por emocionin më të madh e kam ndjerë kundër Polonisë në Tiranë. Oh çfarë emocioni. I gjithë stadiumi që thirri emrin… Uh, edhe tani emocionohem. Zoti ma shpërbleu me një gol dhe kjo për mua ishte e pabesueshme”, tha sulmuesi gjilanas.
Daku është pjesë e ekipit nga Rusia, Rubin Kazan. Në këtë ekip ka edhe serbë e malazezë. Lojtari tha se ai është uruar nga të gjithë për fitoret dhe golin me Shqipërinë, përfshirë edhe nga bashkëlojtarët e tij serbë, për të cilët tha se me ta ka vetëm raporte profesionistësh.
“Mua më kanë uruar të gjithë për gjërat e mira që kam bërë. Përfshi edhe serbët. Edhe nga ata kam marrë fjalë të mira. Sidomos pas golit ndaj Polonisë. Kemi raport profesionistësh. As unë dhe as ata nuk kemi ardhur në këtë klub për të bërë politikë apo për të diskutuar gjëra që nuk kanë të bëjnë me futbollin. Ua kam thënë që kur kam ardhur. U kam thënë se unë në asnjë moment nuk do t’ju provokoj dhe as ju nuk dua që të më provokoni. Këtu kemi ardhur të gjithë për një qëllim: kemi ardhur për të bërë karrierën tonë. Ata i dinë qëndrimet e mia dhe unë i di qëndrimet e tyre, por këtu jemi për tjetër gjë. Për hir të së vërtetës deri tani gjërat kanë shkuar në mënyrë korrekte. Nëse ndonjëherë do të ndodhte që dikush të më provokojë, atëherë e di ku është dera… (qesh)”, deklaroi sulmuesi shtatlartë.
Mes tjerash, 25-vjeçari u pyet nëse pati një keqardhje nga Kosova, konkretisht nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhe stafi i saj, kur ai vendosi t’i bashkohet Shqipërisë.
“Nëse ata janë ndjerë të keqardhur, kjo ka ndodhur, sepse e kanë kuptuar se çfarë kanë humbur dhe çfarë u iku prej duarve. Por, mua shyqyr që më erdhi kjo mundësi. Fanella me shqiponjën në gjoks nuk ka të paguar. Edhe kur i shoh videot e mia emocionohem gjithmonë. Unë nuk kam asnjë keqardhje ndaj askujt. Jam krenar që jam pjesë e Shqipërisë dhe nuk e ndërroj këtë flamur sa të kem jetën. Nuk ka gjë më të bukur”, deklaroi ish-sulmuesi i Hajvalisë, Llapit e Ballkanit.
Mirlind Daku gjithashtu pati edhe një mesazh për tifozët shqiptarë, si dhe për futbollistët e rinj.
“Po, e kam një mesazh për të gjithë shqiptarët në të gjitha trojet që ndodhen: duhet të jemi gjithmonë bashkë dhe t’i ruajmë vlerat tona. Përcillni dashuri dhe bashkim. Unë vij nga Kosova dhe ajo ka qenë, është dhe do të jetë Shqipëri. Jepini kurajë shqiptarëve tuaj në çdo situatë e në çdo moment. Mos mbani inate, mos ushqeni inate mes njëri-tjetrit. Talentet shqiptare kudo që janë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi apo Diasporë, duhet të bëjnë maksimumin që të zgjedhin një mes Shqipërisë dhe Kosovës. Nuk e keni idenë se çfarë ndjenje është kur hyn në fushë dhe dëgjon mijëra shqiptarë që thërrasin emrin tënd në kor pa asnjë lloj interesi. Nuk ka çmim”, u shpreh Daku.