Çudira nga Shqipëria: Broja nuk kthehet me skuadrën, mungon ndaj Andorrës
Armando Broja është figura më e komentuar këto dy ditë në kampin e Shqipërisë.
Broja nuk ishte mbrëmë pjesë e stolit të Shqipërisë, por çudia vazhdon me lojtarin që nuk udhëtoi fare për t’u kthyer në Shqipëri.
Sipas “SuperSport”, Armando Broja nuk ka udhëtuar drejt Shqipërisë me pjesën tjetër të Kombëtares, për sfidën që kuqezinjtë do të luajnë me Andorrën në datën 15 nëntor.
Një situatë e pakuptimtë kjo që po ndodh me Armando Brojën, pasi mbrëmjen e djeshme para startit me Anglinë, Hamdi Salihi pjesë e stafit teknik te Edi Reja shprehej se Broja ishte rikuperuar, por ishte lënë jashtë në respekt të lojtarëve të tjerë që ishin grumbulluar më herët.
Fjalët e Salihit para ndeshjes me Anglinë: Broja vetëm dje iu bashkua ekipit duke bërë stërvitje te lehtë. Për fat të mirë e ka mirë kaviljen dhe nuk ka problem. Por ishte zgjedhja e trajnerit meqë ka qenë larg ekipit, në respekt të lojtarëve të tjerë që u stërvitën çdo ditë. Ka vendosur që ai të rikuperojë për ndeshjen me Andorrën”.
Këto fjalë të ish-sulmuesit kuqezi bien ndesh me ndodhitë në Kombëtare, pasi Broja dhe herë tjera është lënë jashtë, pavarësisht se kundër kujt kemi luajtur apo për çfarë kemi luajtur. /Periskopi/