Ç’po ndodh në laboratorin e përjetshëm të Amerikës Latine?
Amerika Latine është si një stadium: diçka ndodh dhe shpërthen tifozllëku. Protesta në Kili? Gol i së majtës! Kryengritje në Ekuador? Dyfishim rezultati! Por ja tek rrëzohet ish presidenti sindikalist Evo Morales në Bolivi: e djathta ngushton avantazhin. Fundi i pjesës së parë. Në pjesën e dytë, e majta synon Argjentinën dhe Meksikën, shpreson të rrëmbejë Kolumbinë dhe Perunë. Por e djathta nuk dëshpërohet: e ka Brazilin në anën e vet! Dhe nuk heq dorë as tjetërkund: Venezuela dhe Kuba po lëkunden.
Nuk ka dyshim se ka zemërim dhe pakënaqësi; as që disa imitojnë të tjerët: rrjetet sociale shkurtojnë fitilin e protestës; dhe është sigurisht e vërtetë që sheshet e tejmbushura kanë të paktën një pikë të përbashkët: “krizën e ndërmjetësimit politik”, ndarjen midis votuesve dhe zyrtarëve të zgjedhur. Përndryshe pse “sheshi” dhe jo sondazhet? Por që kjo të justifikojë një narrativë të vetme dhe epike – kryqëzatën kundër “neoliberalizmit”, “rënien e zakonshme dhe gjithnjë të afërt ttë kapitalizmit” – kjo nuk qëndron, as në qiell e as në tokë. Gjithashtu, e “djathta” dhe e “majta” nuk janë semaforët e duhur për të kuptuar diçka. Tifozët përgjithësojnë, kjo dihet, por në vend se të brohorasësh është më mirë të mendosh, të dallosh, të vlerësosh.
Vendet e Paqësorit
Flakët më të mëdha janë ngritur në Kili, ku ende digjen; ishin ngritur tashmë në Ekuador kundër rritjes së çmimit të benzinës, pastaj u përhapën në Peru dhe Kolumbi: në Paqësor, me pak fjalë, ka një trazirë të madhe. Në pamje të parë është befasuese: këtu ekonomia është rritur shumë më tepër se gjetkë; përveç Ekuadorit, ku Lenín Moreno nuk e di se si të mbushë gropën fiskale të trashëguar nga Rafael Correa dhe askush nuk dëshiron të paguajë koston, vendet e tjera i kanë llogaritë në rregull; të gjitha, për më tepër, kanë një histori të vonë me lëvizshmëri sociale në rritje dhe ulje të varfërisë. Atëherë? Për çfarë po ankohen?
Pyetje pa kuptim. A mos Italia në kulmin e bumit ekonomik arriti paqen sociale? Apo anasjelltas hyri në vite trazirash të dhunshme? Në vendet e Paqësorit përmblidihen disa protesta: mutatis mutandis, edhe ato të kujtojnë të kaluarën e Italisë. Nga njëra anë, është protesta paqësore e klasave të mesme gjithnjë e më të shumtë dhe kërkues: luftërat dhe diktaturat tani janë lënë pas; Ajo që i shtyn është dëshira për shërbime dhe paga më të mira, për të shpërndarënë mënyrë të barabartë, tortën që është rritur. Ato nuk durojnë më pengesat e korporatave të ngurta me tipare hispanike. Ata duan më shumë demokraci, me pak fjalë, dhe një kapitalizëm më “social”, i vetmi që tolerojnë vendet latine dhe katolike.
Nga ana tjetër, janë grupet radikale, kryesisht studentë, të cilët luajnë skenarin e vjetër në një mënyrë të re: ata duan të shkatërrojnë “kapitalizmin” me forcë. Nuk bën fare fajde t’u thuash se, nëse në vendet e tyre tani është e mundur të shpërndahen më mirë pasuritë, kjo ndodh sepse ato kanë ekonomi të tregut, të afta ta prodhojnë atë, as që vendet e Amerikës Latine të cilat e kanë rrëzuar kapitalizmin, janë ato në gjendje më të keqe. Besimi nuk ndjen arsyen dhe çdo gjeneratë duhet të shpikë nga e para rrotën. Duhet durim. Por kuptohet qartë se e majta bën tifozllëk për ta: luftojnë qeveritë “neoliberiste”, çfarëdo kuptimi të ketë kjo fjalë.
Do të thotë që kufijtë midis dy protestave janë kudo të paqarta dhe rezultati i tyre varet nga faktorë të ndryshëm: nëse qeveritë dhe klasat politike do të jenë në gjendje të japin përgjigje të përshtatshme dhe të shpejta, një argjinaturë do të jetë në gjendje të frenojë valën; reforma fiskale më shpërndarëse dhe shpenzime më efektive dhe të targetuara sociale, janë përparësi. Nëse, nga ana tjetër, do zemërojnë dhe do i hipin tigrit, shkrirja e dy protestave do të bëhet një koktej eksploziv, duke i hapur derën shpërthimit tipik të Amerikës Latine: në atë pikë të shpëtojë kush të mundet. Parashikimet? Kili, për shkak të prosperitetit ekonomik dhe solidaritetit institucional, është më i afti për të ndalur goditjen. Të tjerët janë në rrezik serioz.
Bolivarianët
Bolivarianët
Flakët në Paqësor nuk kanë arritur të fshehin ato që nisën në Bolivi, megjithëse shërbyen për të ulur perden mbi perëndimin e demokracisë dhe shtypjet e dhunshme në Venezuela dhe Nikaragua. Eshtë e kotë të flasim për Kubën: abuzimet janë bukë e përditshme. Janë protesta që “e majta” i përçmon dhe “e djathta” i ifeston. Kuptohet: sigurisht që nuk po luftojnë “neoliberalizmin”! Përkundrazi, ato janë kryengritje kundër regjimeve, ato Bolivariane, të cilat “neoliberalizmin” krenohen se e kanë zhdukur. Qesharake, sepse në realitet është gjysmë e vërtetë: Venezuela dhe Kuba, të cilat “vranë” kapitalizmin “demoniak” notojnë në mjerim; Bolivia dhe Nikaragua, të cilat me “kapitalizmin” kanë flirtuar për interes, janë mbajtur në jetë, megjithëse llogaritë e tyre kanë treguar prej kohësh litarin. Por problemi që i bashkon, që mobilizon sheshet dhe ka shkaktuar aq shumë dhunë dhe vdekje, është një tjetër: është demokracia, respekti i votës popullore, ndarja e pushteteve, liritë individuale.
Pra, nëse protestat në vendet e Paqësorit janë konflikte në demokraci, ato në vendet Bolivariane janë konflikte mbi demokracinë: ato nuk kanë të bëjnë me cilësinë, por vetë natyrën e saj. Prandaj ato janë shumë më shkatërruese dhe të qëndrueshme në kohë.
Si shpjegohet? Historia na vjen në ndihmë: Regjimet “Bolivariane” lindin nga një trung ideologjik i huaj dhe armiqësor ndaj demokracisë liberale; ata kanë një shenjë «fetare»: e interpretojnë fitoren në zgjedhje si një mandat hyjnor, si eksodi nga skllavëria, për në tokën e premtuar. Prandaj e pushtojnë shtetin sikur të ishte i tyri, përdorin paratë publike si pronë private, gjykatat si shpatë ndëshkimi, shkollën dhe mediat si instrumente “revolucionare”. “Populli” i tyre, sipas Evo Moralesit ose Nicolás Maduros, është “populli i zgjedhur”, depo e një “kulture” që liberalizmi, në ankthin e tij për të “homogjenizuar” botën, kërcënon ta shkatërrojë.
Eshtë një goxha problem: çfarë lloj demokracie mund të lindë aty ku politika është një kryqëzatë kundër heretikut? Çfarë rëndësie kanë sundimi i ligjit dhe institucionet përfaqësuese, “bija” të degjeneruara të mendjeve të filozofëve të Iluminizmit? Ankthi për të përjetësuar veten në pushtet si mbretër katolikë nuk është fryt i egove të çmendura, por i një ideologjie në të cilën “njerëzit e Zotit” nuk kanë ndërmend të përkulen para “njerëzve të Kushtetutës”. Demokracia? Vetëm për aq kohë sa të fitojnë “të duhurit”: këtu ndarja e famshme e pushteteve të të famshmit Montesquieu-it nuk do të hyjë kurrë, thoshte Fidel Castro. Këtu mund ta gjesh edhe burimin e manipulimeve elektorale të pacipa të Evo Moralesit. Janë teokraci moderne, regjime rrëfimi. Nëse Nicolás Maduro ngroh zemrat, nuk është për t’u habitur: fashizmi italian kishte edhe “të majtën” e vet; po kështu falangizmi spanjoll.
Rikthimi i PanLatinizmit
Pastaj është Meksika dhe Argjentina. Ato janë mësuar me flakët, por nuk po ia hedhin aspak mirë: e para është nën thundrën e stanjacionit ekonomik, e dyta ecën së prapthi. Asnjë rreze dielli nuk shpon horizontin e tyre. Megjithatë, bëjnë njoftime të admirueshme dhe shpallin Transformime të Mëdha. Shtrohet një pyetje: a mundet nacionalizmi meksikan dhe Peronizmi Argjentinas të zgjidhin ato që kanë prodhuar në historinë e tyre të gjatë? A mund të jetë shkaku edhe ilaç? Autoritarizmi dhe paternalizmi, demagogjia dhe klientelizmi, patrimonializmi dhe joefikasiteti: betohen se kanë ndryshuar, por prejardhja është ajo që është.
Sapo u zgjodh, argjentinasi Alberto Fernández nxitoi në Mexico City të përqafonte Andrés Manuel López Obrador; do të ndërtojnë Atdheun e Madh, unitetin e Amerikës Latine. Kush, më shumë se një Peronist, trashëgimtar i ëndrrës së unitetit pan-latin të gjeneralit të vjetër argjentinas, dhe një nacionalist meksikan, nxënës i Revolucionit të Madh që shpërtheu në vitin 1910, ka të drejtë të ketë sukses aty ku të gjithë kanë dështuar? “Grupi i Pueblas”, “fronti i ri progresist i Amerikës Latine”, do të jetë ombrella e tyre. “E majta” brohoret për ta. Ata duan të “zhdukin urinë” dhe “garantojnë arsim dhe shëndet”, të promovojnë “përfshirjen sociale” dhe të krijojnë “vende pune dinjitoze”. Mrekulli. Sidoqoftë, ata harrojnë të shpjegojnë se si, me çfarë mjetesh, me çfarë burimesh.
Kështu “Grupi i Puebla” ringroh një supë të vjetër. Por, ajo që dështoi në të kaluarën do të dështojë sërish për të njëjtën arsye; sepse pretendon që e bazon unitetin Latin mbi ideologjinë dhe jo interesat, mbi idenë romantike të pueblo-s dhe jo në idenë demokratike të “shtetësisë”, në një “thelb” moral dhe jo në një “formë” institucionale. Ai e quan “integrim”, por dëshiron një “shkrirje”; integrimi është një pakt midis të ndryshmëve, bashkimi është një rreze të barabartësh, një bashkësi besimi. Për të bashkuar Amerikën Latine, mendon ai, të gjithë duhet të bëhen “progresistë”, të gjitha qeveritë me të njëjtën ngjyrë. Prandaj Perón, Castro, Chavez dështuan: të dëbuar nga dera do të kthehen nga dritarja. Dhe dy ide të papajtueshme të Amerikës Latine do të vazhdojnë të ndeshen mes tyre. Çdo sukses “progresist” do të pasohet nga një “konservator”: është logjike dhe fiziologjike.
Fashist pa fashizëm
Në pjatën e kundërt të peshores me atë të “progresistëve”, në fakt, ndodhet Brazili i Jair Bolsonaros! Për të brohoret “e djathta” dhe është më keq sesa të shkosh natën. Ai përmend kryqin dhe shtrëngon shpatën, dëshiron lirinë ekonomike, por mjerë kush flet me të për të drejtat civile. Zoti i evangjelistëve reaksionarë do të heqë atë të katolikëve revolucionarë, mendon ai. Kjo është ajo çfarë ëndërronte dikur diktatori kilian Augusto Pinochet: teknokraci pa demokraci, moralizëm i madh dhe liri e kontrolluar; atë që ëndërrojnë konservatorët kolumbianë, besnikë ndaj ish-presidentit Alvaro Uribe. Kështu silleshin kryqëzatat “e djathta” kudo kundër kryqëzatave “të majta”, lufta fetare ka zëvendësuar edhe një herë dialektikën politike. Për fat të mirë, “e djathta” fashiste sot nuk mund të krijojë një regjim fashist; ashtu si “e majta” klerike nuk mund të krijojë një regjim të krishterë. Ngushëllim i zbehtë.
Laborator për çfarë?
E pandikuar nga kaq shumë kaos, jehon nga shkallët një odë për sheshet e Amerikës Latine, “laboratorin” e Amerikës Latine, deri edhe “pranverën” e Amerikës Latine; odë për tërbimin shpengues kundër durimit konstruktiv, për ankthin eskatologjik kundër ndërtimeve prozaike të institucioneve. Edhe një herë! Nuk është e ardhmja ajo që përparon, por e kaluara që kthehet, është historia e zakonshme dhe e lashtë e “të djathtave” teknokrate dhe “të majtave” papnore, “të majtat” sovrane. dhe “të djathtat” kombëtare. Një histori në kërkimin shumëvjeçar për Mbretërinë e Zotit në tokë, parajsën e “të djathtës” dhe Edenin e “të majtës”, mbushur me fanatizma të pafund dhe reformave të pakta, protesta të ashpra dhe propozime të mangët, fluturime pindarike dhe rrëzime të tmerrshme në përtokë. Eshtë një e kaluar viskoze që të burgos.
“E majta” dëshiron më shumë shtet, por më pas e përdor si karrotë për besimtarët dhe shkop për jobesnikët; denoncon pabarazinë, por në vend që të zhdukë varfërinë, ndëshkon pasurinë. “E djathta” lëkundet midis liberalizmit abstrakt të intelektualëve të vet dhe prirjes për të jetuar me të ardhurat e sipërmarrësve të saj; kultivon rrobat aristokrate jashtë kohe dhe pretendon një moralizëm hipokrit dhe të mykur. Të gjithë thërrasin “demokraci”, por zor se e tolerojnë atë. Demokracia me përfaqësim që ne të gjithë e njohim u rri ngushtë. Në vend të kësaj ata do të dëshironin që ajo të ishte “organike” ose “pjesëmarrëse”, “kombëtare” ose “popullore”. Zakonisht funksionon keq ose nuk funksionon fare.
Kur tymi i kronikës së lajmeve të zhduket dhe do të bëhen hesapet me hanxhinë e historisë, ka të ngjarë që ne do të zbulojmë atë që e kemi ditur tashmë: që, secila në mënyrën e vet, “e djathta” dhe “e majta” e Amerikës Latine luftojnë të njëjtin armik. Armikun e përjetshëm të Krishtërimit Spanjoll. Racionalizmin iluminist, kulturën liberale. Amerika Latine ka qenë ngahera laborator i këtij konflikti.
La Lettura | Bota.al