Covid-19 mund të jetë më shumë se një sëmundje respiratore
Koronavirusi, i cili shkakton sëmundjen COVID-19 njihet me këtë emër për shkak se e sulmon sistemin respirator, shkruan Dailymail.
Mirëpo, përderisa doktorët vazhdojnë të raportojnë se pacientët me këtë sëmundje janë duke përjetuar simptoma si ënjtje e trurit, probleme me zemrën dhe koagulim të gjakut, hulumtuesit kanë ngritur dyshime se ky infeksion mund të jetë më shumë se vetëm një sëmundje respiratore.
Një studim, i publikuar në prill, ka gjetur se kjo sëmundje prek edhe endoteliumin apo shtresën e brendshme të arterieve të gjakut, gjë që nënkupton se ky virus mund të hyj edhe në sistemin e qarkullimit të gjakut dhe të përhapet nëpër të gjitha organet.
Deri tani është vërejtur se shumë pacientë me koronavirus kanë vdekur si shkak i trashjes apo koagulimit të gjakut dhe jo nga mosfunksionimi i mushkërive.
Në ShBA disa doktorë kanë raportuar se 40% e pacientëve të infektuar me koronavirus, kanë vdekur si shkak i koagulimit të gjakut. Kjo simptomë është bërë shumë e shpeshtë tek të infektuarit, saqë shumë mjekë kanë propozuar edhe përdorimin e holluesve të gjakut.
Sipas studiuesve, të cilët kanë ngritur këtë çështje, duhet ende studime të tjera që do ta konfirmonim këtë teori.