CorrWatch: Pozitat me ushtrues detyre po mbahen në mënyrë të jashtëligjshme

CorrWatch: Pozitat me ushtrues detyre po mbahen në mënyrë të jashtëligjshme

Iniciativa CorrWatch ka shprehur shqetësimin për vazhdimin e praktikës së mbajtjes së pozitave drejtuese me ushtrues të detyrës (UD) në administratën publike edhe pas tejkalimit ligjor.

“Më 26 shtator 2024 janë bërë 1 vit nga hyrja në fuqi e Ligjit për Zyrtarët Publik (LZP) dhe një shumicë e konsiderueshme e pozitave drejtuese (sekretar të përgjithshëm, drejtor departamenti dhe udhëheqës i divizionit) vazhdojnë të mbahen me ushtrues detyre edhe pse afati ligjor ka skaduar. LZP ka vendosur disa rregulla dhe afate kohore sa i përket ushtruesve të detyrës ku ndër të tjera edhe maksimumin e ushtrimit të një pozitë që është 6+6 muaj ose 1 vit. Për ilustrim, nga gjithsej 16 ministri të Qeverisë (përfshirë Zyrën e Kryeministrit), 8 prej tyre funksionojnë me ushtrues detyre. Ndërsa sa i përket agjencive ekzekutive, 29 prej tyre janë me ushtrues detyre/zëvendësues”, thuhet në reagim e CorrWatch, pjesë e të cilit janë Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe INDEP-i.

Në reagim theksohet se tejkalimi i këtij afati përveç që është paligjshmëri në vetvete, “prodhon edhe një pasojë tjetër juridike që është shpallja e paligjshme e çdo vendimi të marrë nga ushtruesi/ja i/e, pas kalimit të afatit 1 vjeçar siç përcaktohet nga vet LZP”.

“Shpallja e paligjshme e vendime të nxjerra nga ushtruesit e detyre pas afatit 1-vjeçar, marrë parasysh natyrën e vendimeve të nivelit të lartë drejtues, rrezikon dhe cenon rëndë të drejtat dhe interesat e ligjshme të personave të cilat janë të garantuara me ligj sidomos në ato institucione të cilat ofrojnë shërbime publike administrative. Tejkalimi i afatit ligjor për ushtruesit e detyrës është shkelje ligjore si e mbikëqyrësve të drejtpërdrejtë ashtu edhe të mbajtësve të pozitave të caktuar si ushtrues detyre”, thuhet në reagim.

Iniciativa Corrwatch u ka bërë thirrje institucioneve që të ndërmarrin veprimet të menjëhershme ligjore në rekrutimin e pozitave të lira në administratën publike.

Sipas saj, vazhdimi i dukurisë të ushtruesve të detyrës, i cili ka degraduar në normë për vite të tëra, është një praktikë e papranueshme dhe duhet të marrë fund pa vonesa.

Shpërndaje në: