Çoroditja speciale e Xhavit Halitit: Nevoja e pakontrolluar për t’u larë
Në një intervistë të dhënë në vitin 2014, Xhavit Haliti i PDK-së deklaronte disi i trimëruar se Gjykata Speciale do ta pastronte luftën e UÇK-së nga njollat që i ishin ngjitur. Ai shtonte se besonte në drejtësinë evropiane e cila nuk ndikohej prej “llafeve të mediave e të lakmitarëve të politikës.” Së fundi, Specialja i ftoi edhe dy ish komandantë tjerë të atij grupi gueril, Kadri Veselin e Rexhep Selimin. Shumë shpejt pritet ta ftojë edhe Hashim Thaçin.
Por, t’i kthehemi fjalëve të z.Haliti. “Ne kemi nevojë të pastrohemi,” – argumentonte ai në atë vakt duke i kundërshtuar kritikët e Gjykatës. Ndërkohë, këta kritikë – përfshirë Vetëvendosjen që në këto zgjedhje doli e para – tregonin rreziqet që paraqiste për vendin një projekt i tillë: po i gjykonte veç krimet e shqiptarëve, po e gjykonte UÇK-në e me të edhe vetë lirinë duke i lëkundur kështu themelet e Pavarësisë së Kosovës. E kështu me radhë.
Ama, megjithatë, Haliti me Kadri Veselin e Hashim Thaçin nuk mund të mendonin për hallin e vendit në atë moment: kishin nevojë që të pastroheshin. Ndiheshin të fëlliqur. Po kruheshin, ishin bërë helaq nga turli llafesh nëpër media e nëpër sokaqe, dhe lëngonin që dikush t’i shpëlante nga ato fjalë. Nga të gjitha fjalët. Pikëshikimi i tyre ishte aq i ngushtë e i përdredhur sa ligjërimi publik iu doli menjëherë prej dore, e me të edhe vetë pushteti. Dhe kjo dalje doresh rezultoi në një fëlliqje të pakontrollueshme, në një prishje nami, aq sa lëngimi për t’u larë e pastruar u bë kompulsiv dhe i çoi drejt veprimeve të përçudshme e traumatike. PDK-ja e Halitit, Veselit e Thaçit iu nënshtrua krejtësisht ligjërimit politik të Lëvizjes Vetëvendosje duke kërcyer në pozicione kundërshtuese ndaj vetë temave që i kishin përkrahur dikur, përfshirë këtu edhe Gjykatën Speciale që u munduan në formë qesharake që ta shfuqizonin. Ndërkohë, në politikën ditore, fëlliqja u trash deri në atë masë sa askush nuk i donte si partnerë më, duke i menduar edhe më të zi se Listën Serbe.
Unë për vete nuk mund të ndjej tjetërçka veç respektit të thellë për të gjithë njerëzit që ishin në luftë [për pjesën e luftës], pra edhe për njerëzit e PDK-së. Hakun duhet t’ia japim atyre që iu takon, për ato gjëra që iu takon. Ende nuk më është fshirë nga kujtesa pamja e vrugët e e hirtë e Prishtinës së shëmtuar, e milicëve të frikshëm serbë, e çehreve të bashkëkombësve të mi që ishin tëholluar e deformuar nga frika e varfëria, nga një jetë e mjerueshme qençe. Në asnjë film, as në ata për Luftën e II Botërore, nuk kam parë aq shumë fyerje e poshtërim nga njëra anë, dhe aq shumë qyqarllëk nga tjetra. Ndoshta se, skenat e tilla janë tepër të pakëndshme e të sikletshme. Dhe i këtillë ishte realiteti në atë kohë, tepër i sikletshëm e i turpshëm. E vëreja qartë pështirosjen që ndjenin njerëzit për veten e tyre, kombin e tyre. E kishin përbrendësuar një kënd-shikim ku ishin totalisht inferiorë, totalisht të padenjë, bile edhe që të merrnin frymë. Nuk do shumë mend që promovimi i rrethanave të tilla psikologjike prodhoi edhe shumë spiunë për regjimin serb. Njerëzit thjesht ndiheshin të fëlliqur nga gjithë ai qyqarllëk e gjithë ai shikim përbuzës. S’kishte lavdi as të vdisje. Shqiptarët po rriheshin e fyheshin si qentë. Bile edhe po vdisnin si qentë. Dhe, ja që UÇK-ja na nxori prej asaj rrethane. Pati guxim të kapte armët e t’i dilte përkundër fashizmit e poshtërimit. Sepse, s’kishte tjetër rrugë. Sepse, s’mund të kishte tjetër rrugë. Mos i dëgjoni injorantët që as nuk përjetojnë kurrgjë, as nuk lexojnë kurrgjë, të kurthuar brenda një ekzistence të fëlliqtë fallse. Nganjëherë s’ke se nga ia mban. Fjalët s’kanë kuptim. Dhuna po. Çka të bëjmë, kështu është jeta!
Paramendojeni, edhe Aleatët por edhe Fuqitë e Boshtit gjatë Luftës së II Botërore kishin respektuar Konventën e Gjenevës [1929], siç thotë historiani Eric Hobsbawm, duke mos përdorur armë kimike. Por, të dyja palët kishin bërë krime të tjera shkatërruese.
Duhet t’i themi troç të vërtetat që i dimë. Po, UÇK-ja mund të duket terroriste për sytë e dikujt që nuk ishte nën lëkurën tonë. Vrau milicë serbë. Vrau ushtarë. Ndoshta nuk i respektoi konventat e luftës sa i përket robëve që i zuri e i burgosi. Ndonjë prej luftëtarëve të saj mund të ketë bërë edhe krim hakmarrjeje ndaj popullsisë civile serbe por kjo nuk e bën atë grup gueril të keq e çnjerëzor. Çnjerëzore ishte të rrije si qyqar derisa rriheshe, fyheshe e poshtëroheshe nga racistë të pështirë. Njerëzore është të çlirohesh nga dajaku. E regjimi i Millosheviqit nuk do t’i hiqte duart prej nesh sot e 700 vjet nëse s’do t’i merrnim hyxhym e ta rrëzonim. Për mendimin tim, UÇK-ja ishte pjesa më e ndritur e historisë së shqiptarëve të Kosovës. Pjesa më e lavdishme. Ajo është matanë Xhavit Halitit. Matanë Thaçit e Veselit e Haradinajt e Kurtit. Matanë shpurdhjeve të Nasim Haradinajt. Matanë banalitetit të realitetit tonë.
Si e tillë, UÇK-ja s’kishte pikë nevoje që të pastrohej. Lufta e saj ishte e jashtëzakonshme dhe e drejtë. Lufta e saj rridhte prej fshatarësisë së varfër e të shtypur dhe hoqi çfarëdo përjashtimi, u bë përfshirëse e gjithëpopullore.
Nevojën për pastrim po e ndjejnë pikërisht politikanët e korruptuar që dolën prej saj. Dhe, nevoja për pastrim nuk është nevojë për pastrim nga krimet e luftës por nga dredhitë e pasluftës. Nevoja për pastrim bile nuk është bash bash kompulsive, sepse provon të fitojë terren të ri politik, kapital të ri politik. Këta njerëz i tradhtuan luftëtarët e UÇK-së. Abuzuan me vlerat dhe sakrificën e luftës. Dhe tash duan të rilidhen me to e të pastrohen prej tyre.
Nuk duhet t’i lejojmë. Duhet ta shfuqizojmë atë gjykate për shkak se përmban karakter krejtësisht politik dhe e fëlliq episodin më të nditur të historisë tonë. Paramendojeni, ushtarët e UÇK-së po gjykohen në një vend që tashmë edhe zyrtarisht ka marrë 6 për qind të fajit për gjenocidin në Srebrenicë. Pra, në një vend gjenocidal. Ndërkohë, dyshimet për trafikimin e veshkëve që u nisën nga një gazetar amerikan shërbyen thjesht për të justifikuar këtë gjueti shtrigash për ta përlyer përfundimisht Kosovën dhe për t’i lëkundur themelet e Pavarësisë tonë. Sepse, këto dyshime nuk u trajtuan nga drejtësia ndërkombëtare qe 20 vjet. Sepse nuk pati prova inkriminuese ndaj askujt në UÇK për këtë punë qe 20 vjet. Sepse, tashmë nuk po trajtohet thjesht ky dyshim por çdo lloj dyshimi që plotëson kriterin racist që të përlyej shqiptarët etnikë.
Ashtu siç ndodh edhe në shoqërinë tonë ndodh edhe në shoqëritë perëndimore. Në vend se të prezumojnë pafajësinë, gjykatat e shoqëritë prezumojnë pikërisht të kundërtën, fajësinë. Edhe nëse nuk arrijnë ta dëshmojnë. Sepse janë shoqëri kontrolli.
Lufta diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë shpesh ka qenë e rrudhur në një garë se kukama e kujt shkon më lart. Një përdorim tepër i pështirë i dhimbjes së viktimave. Viktima dhe kukama e tij nuk duhet të qeveris fatin e asnjërës shoqëri. Historia e ka dëshmuar që kukama shpejt transformohet në justifikim dhune. E prandaj, viktima meriton drejtësi e jo pushtet. Dhimbja e shtypur nuk duhet të bëhet dhimbje shtypëse. Dhimbja duhet të çlirohet e të hiqet. Ne s’ishim as agresorë por as viktimë. Dhe s’duhet të na vijë keq për këtë punë.