Çmimi i rrymës po rritet për tri herë radhazi – A e çoi republikën përpara VV’ja?

“Pandemia, lufta në Ukrainë, kriza energjitike, inflacioni, sulmet terroriste në veri, duke tejkaluar me sukses cdo sfidë, Qeveria Kurti e përmbushi mandatin e plotë me përkushtim e punë të palodhshme për ta çuar republikën përpara…”
Kështu nis videoja përmbledhëse e Lëvizjes Vetëvendosje, ku përmend të “arriturat” gjatë qeverisjes së tyre 4 vjecare.
Mes të tjerash, VV-ja krenohet edhe me tejkalimin e krizës së energjisë, pa e përmendur që brenda mandatit të tyre të plotë qeverisës, për tri herë radhazi po rritet çmimi i energjisë elektrike, raporton Periskopi.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dikur premtonte lirim të çmimit të energjisë, por që sot, vetëm e kundërta po ndodh.
Në vitin 2022 çmimi i energjisë elektrike ishte ngritur për 100 për qind, ndërsa në vitin 2023, për 14 për qind. E fundit që do të aprovohet me shumë gjasa nga ZRRE është 15 për qind, në total për 4 vite mandat Qeveria Kurti i bie se do ta ngrit çmimin e rrymës në 129 për qind.
Derisa nga data 1 prill qytetarët pritet t’i marrin faturat e energjisë elektrike me tarifa më të larta, qeveria ka qëndruar e heshtur.
E për ta kundërshtuar një gjë të tillë, qytetarët kanë nisur edhe një iniciativë në rrjetet sociale me moton “Asnjë cent më shumë”.
Ndërsa nga opozita, është deputetja Hykmete Bajrami e cila ka reaguar në vazhdimësi për këtë.
“KEK-u, që është ndërmarrje publike ia shet KESCO-s energjinë me çmim 29.5 euro/MËh, ndërsa çmimi i energjisë në bursën HUPX për nesër asnjë orë nuk bie nën 100 euro/MËh, e ata që më së miri i dinë këto, po tallen me qytetarët sot e çdo ditë. E derisa ZRRE po tallet me qytetarët, qeveritarët nuk kanë nxjerrë asnjë zë për çështjen që do të prekë xhepin e secilit dhe do ta dëmtojë rëndë ekonominë e vendit tonë. Me të vërtetë është tallje me qytetarët deklarata e kryetarit të Bordit të ZRRE-së, sepse është pikërisht çmimi i energjisë elektrike ai me të cilin qytetarët dhe bizneset nuk po pajtohen. E kryetari i Bordit të ZRRE-së paska thënë: “Gjejeni rrymën vetë me lirë dhe blejeni” Por, pyetja është: Ku mund të gjindet më lirë?”, ka shkruar Bajrami.
Ndërsa nga Partia Demokratike e Kosovës, kanë thënë se “Ne nuk do të lejojmë që familjet dhe bizneset kosovare të jenë viktimat e radhës të eksperimenteve të gabuara ekonomike. Partia Demokratike e Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet institucionale dhe ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim të padrejtë, përfshirë kontestimin e tij në Gjykatën Kushtetuese”, tha Shala.
Edhe Ramush Haradinaj nga AAK s’e priti mirë paralajmërimin e ZRRE-së.
Ai akuzoi Kurtin për shkatërrim të sektorit të energjisë.
“Albin Kurti e shkatërroi sektorin e energjisë me vendimet e tij të papërgjegjshme. Me krenari e pati anuluar kontratën për ndërtimin e termocentralit të ri, duke i humbur Kosovës 21 milionë euro dëm në arbitrazh. E ndaloi gazsjellësin amerikan dhe çdo investim strategjik, duke e lënë vendin pa asnjë alternativë të sigurt dhe afatgjatë për energjinë. Përfitues të kësaj politike të qëllimshme janë vetëm tregtarët e energjisë dhe klika e tij politike – ndërsa humbësi i vetëm është qytetari i Kosovës!” – ka thënë Haradinaj.
Ndryshe, ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e tarifave çdo vit.
Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.
Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për atë që shpenzojnë më shumë./Periskopi