Çmimi i Bitcoin arrin vlerën 100 mijë dollarë për herë të parë
Kriptomonedha më e madhe në botë, Bitcoin, është vlerësuar me më shumë se 100,000 dollarë për herë të parë, rritje kjo e nxitur nga emërimet e Donald Trump për ekipin e tij presidencial.
Kriptomonedha u vlerësua në 103,280 dollarë, sipas konvertuesit të monedhës XE.com.
Bëhet e ditur se kjo është shenja e lartë e rritjes që filloi nga 5 nëntori, dita e zgjedhjeve në SHBA.
Që atëherë, çmimi është rritur me rreth 45% nga 69,374 dollarë, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Rritja i atribuohet gjithashtu edhe një sërë emërimesh të presidentit të zgjedhur, me Paul Atkins që u zgjodh për të kryesuar Komisionin e Letrave me Vlerë dhe Shkëmbime (SEC).
Në Truth Social, Trump deklaroi për emërimin e tij: “Ai beson në tregjet e fuqishme dhe inovative të kapitalit që u përgjigjen nevojave të investitorëve dhe që ofrojnë kapital për ta bërë ekonominë tonë më të mirën në botë”.
“Ai gjithashtu pranon se asetet dixhitale dhe inovacionet e tjera janë thelbësore për ta bërë Amerikën më të madhe se kurrë më parë”, shtoi ai.
Më parë, një skeptik për monedhën dixhitale, Trump u zotua ta bënte SHBA-në “kryeqytetin e kriptove të planetit” dhe të krijonte një “rezervë strategjike” të Bitcoin gjatë kësaj fushate zgjedhore.
Siç raportohet, ai ishte kandidati i parë presidencial që pranoi donacione në kripto-asete, ndërsa zëvendëspresidenti i zgjedhur JD Vance ka qenë fuqishëm mbështetës i monedhës dixhitale.