Çmimi “Grand Prix” për Teatrin Kombëtar, tregues se ky institucion po ecën në rrugën e drejtë

Çmimi “Grand Prix” për Teatrin Kombëtar, tregues se ky institucion po ecën në rrugën e drejtë

Çmimi “Grand Prix” për shfaqjen “Eshtrat që vijnë vonë” në Bukuresht, për Teatrin Kombëtar të Kosovës është një tregues se ky institucion po ecën në rrugën e drejtë.

Ekipi i shfaqjes të hënën është kthyer në Prishtinë me goxha optimizëm, përderisa menaxhmenti i TKK-së e ka cilësuar çmimin si më të rëndësishmin që ky institucion merr në një festival ndërkombëtar tash 17 vjet pas luftës, shkruan sot “Koha Ditore”. Ndërkaq, efekti i çmimit janë ofertat dhe ftesat që u kanë bërë kompani e institucione të ndryshme teatrore.

Shfaqja që ironizon me luftën për identitet, nacionalizmin dhe fenë, me tekst të Teki Dervishit dhe regji të Martin Koçovskit, triumfoi në edicionin e katërt të “Fest(in) on the Boulevard”, që e organizon rrjeti “Neta – New European Theatre Action”, me ndihmën e Teatrit Kombëtar të Bukureshtit.

Në këtë festival, i cili ka zgjatur 12 ditë, kanë konkurruar rreth 30 teatro të ndryshme, derisa Teatri Kombëtar i Kosovës edhe e ka mbyllur atë të shtunën me lojën e aktorëve Bajrush Mjaku, Armend Baloku, Astrit Kabashi, Arta Selimi, Lumnije Sopi, Albulena Kryeziu, Bujar Ahmeti, Shkëlzen Veseli dhe Adrian Morina.

“Eshtrat…” u dha premierë në TKK në maj të këtij viti.

Çmimi për shfaqjen më të mirë në kategorinë “Neta” iu dha shfaqjes “Eshtrat që vijnë vonë” për fuqinë, qasjen direkte, thjeshtësinë dhe aftësinë interpretuese, regjisoriale dhe skenike.

Shpërndaje në: