Çmime marramendëse për renovimin e Klinikave në QKU, vetëm heqja e tepisonit të vjetër u pagua 32 Euro metri katror
Shumë e madhe parash dyshohet se janë keqpërdorur për renovimin e Klinikës së Gjinekologjisë dhe Urologjisë në QKUK nga Ministria e Shëndetësisë e cila udhëhiqet nga Arben Vitia.
Kontrata e nënshkruar nga Ministria e Shëndetësisë me kompanitë që kanë fituar këtë projekt dyshohet të jetë bërë me shifra marramendëse, larg çmimeve reale në treg.
Periskopi ka arritur të siguroj kontratat për renovimin e dy klinikave, e gjithashtu edhe dokumentet ku shihen çmimet për punën që kanë kryer kompanitë.
Më 8 dhjetor 2023, u arrit marrëveshja për renovimin e Klinikës së Gjinekologjisë mes Ministrisë së Shëndetësisë që drejtohet nga Arben Vitia, dhe tre operatorëve ekonomik: “AAG Project”, “ENGGROUP” dhe “Shkëmbi”.
Kjo marrëveshje për renovim arrin vlerën e 2 milionë e 420 mijë euro.
Pas një hulumtimi të bërë, Periskopi ka mësuar se vetëm për punët e demolimit dyshohet se janë keqpërdorur mbi 200 mijë euro.
Si erdhi deri tek ky përfundim?
Periskopi ka pyetur rreth çmimeve në treg për punët e demolimit duke u bazuar në punët që janë kryer në Klinikën e Gjinekologjisë.
Ndër punët që duheshin kryer në Klinikë, ishte edhe heqja e tepisonit të vjetër, me një sipërfaqe prej 2 mije e 45 metra katror.
Kjo punë, heqja e tepisonit, Ministrisë i ka kushtuar 32 euro për metër katror, ose në total gjithsej 65 mijë e 440 Euro.
Nëse puna do të kryhej sipas çmimeve në treg, që kushton 4 euro për metër katror, Ministrisë do t’i kushtonte gjithsejtë 8 mijë e 180 Euro.
Çmimet marramendëse janë paguar edhe për shërbime të tjera në Klinikat e QKU’së. Ndër të tjera edhe për heqjen e 257 dyerve të vjetra.
Për këto, Ministria ka paguar 21 mijë e 845 euro, ose 85 euro për heqjen e një dere të vjetër në Klinikë.
Edhe kostoja e heqjes se dyerve të vjetra është shumëfish mbi çmimin e tregut real, ku mesatarja për një punë të tillë sillet tek 10 euro për një derë të larguar.
Sipas kësaj llogarie të tregut, për heqjen e 257 dyerve, çmimi total do duhej të ishte 2 mije 570 euro, dhe jo 21 mije e 845 euro.
Edhe heqja e tavanit të varur, armstrong, është kryer me çmime marramendëse dhe larg atyre që ofrohen ne treg.
Metri katror për heqjen e armstrongut Ministrise i është llogaritur 20 euro, ndërsa në tregun real nuk kushton më shumë se sa 4 euro.
Sipërfaqja e tërësishme ishte 5 mije e 655 m2, që kushtoi 113 mijë Euro, ndërsa sipas çmimit të tregut nuk do të duhej të kushtonte më shumë se sa 22 mijë e 620 euro.
Pak më shtrenjtë, i ka kushtuar Ministrisë heqja e armstrongut në dy hyrjet e ndërtesës, me 22 Euro metri katror.
Edhe demolomi i mureve ndarëse në tualete, Ministrisë i është llogaritur 55 euro m2, e që në treg llogaritet të jetë jo më shumë se sa 10 euro metri katror
Ndërsa heqja e pllakave qeramike, Ministrisë i është llogaritur 35 euro m2, që në total për 1 mijë e 265 m2, i ka kushtuar 44 mijë e 275 euro.
Pos gjithë kësaj, dyshohet se është shkelur edhe Neni 26 pika 2 e Ligjit të Prokurimit.
Nga dokumentet e sigururara nga Periskopi, shihet se të gjitha nënshkrimet janë bërë nga Sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi.
Megjithatë kur vlera e kontratave është e madhe, sipas ligjit, duhet të ketë edhe nënshkrimin e Ministrit.
/Periskopi/Enis Rrustemi/