“Çlirimtari” i Shtimes e sistemon me kontratë gruan e asamblistit të AKR-së
Lëvizja Vetëvendosje në Shtime ia ka kryer një shërbim Aleancës Kosovare të Re. Ky shërbim është kryer duke e rehatuar me kontratë të rregullt në komunë Gonxhe Osmani-Lubovcit, gruan e asamblistit të AKR-së, Artan Lubovci.
Komuna e Shtimes e udhëhequr nga Qemajl Aliu i Lëvizjes Vetëvendosje, çdo ditë e më shumë është duke u mbushur me punësime partiake.
Tash një pozitë më të mirë e ka zënë edhe Gonxhe Osmani-Lubovci, e cila është gruaja e asamblistit Artan Lubovci nga AKR-ja, më të cilën parti është në koalicion Vetëvendosje në Shtime.
Gonxhe Osmani Lubovci së fundmi është emruar zyrtare për shërbime me qytetarë në këtë komunë.
Në ueb faqen e Komunës së Shtimes, Gonxhe Osmani Lubovci që nga viti 2023 figuron si drejtoreshë e Inovacionit në qeverisjen e Qemajl Aliut, emërim politik. Pak kohë më pas, përkatësisht më 20 tetor 2023, bashkëshorti i saj, Artan Lubovci dha betimin si asamblist (AKR) në Kuvendin Komunal, për të mbështetur koalicionin VV-LDK-AKR.
Kjo manovër politike po del, ndër të tjera, se ishte edhe një pazar i hapur: një pozitë në administratë për një votë në Kuvendin Komunal.
Por, kjo nuk është e tëra.
Sipas sinjalizuesve që kanë treguar për Demokracia.com, më 15 nëntor 2024, Gonxhe Osmani Lubovci përmes një konkursi publik është zgjedhur si zyrtare për shërbime me qytetarë.
“…një vit pas, më 15 nëntor 2024, Gonxhe Osmani Lubovci përmes një konkursi publik u zgjodh si zyrtare për shërbime me qytetarë – një pozitë si shpërblim politik, sesa një vendim i bazuar në meritokraci të cilin Qemajl Aliu e proklamonte gjatë fushatës zgjedhore 2021”, ka treguar një sinjalizues nga Shtimja për Demokracia.com.
Koalicioni VV-LDK-AKR në Shtime po kritikohet për shndërrimin e bashkëqeverisjes së tyre në një bashkëpunim për nepotizëm. Sipas akuzave, ky rast është vetëm një ndër shumë të tjerë që reflektojnë dështimin e këtij koalicioni për të ofruar qeverisje transparente dhe të ndershme.