Çka thanë gjyqtarët e ndeshjes Las Palmas – Mallorca për gjestin e Muriqit?

Çka thanë gjyqtarët e ndeshjes Las Palmas – Mallorca për gjestin e Muriqit?

Në minutat e fundit të ndeshjes mes Las Palmasit dhe Mallorcas u mor vendimi më i pabesueshëm i stinorit në La Liga dhe me gjasë edhe i viteve të fundit.

Kështu shkruan gazeta e madhe spanjolle “Marca” për rastin në të cilin Vedat Muriqi u ndëshkua me karton të kuq.

Mallorca fitoi 3:2 në udhëtim ndaj Las Palmasit, të shtunën mbrëma, ndërsa Muriqi u ndëshkua direkt me të kuq për veprim të pahijshëm në minutën e 88-të.

Megjithatë, ai fillimisht u provokua nga lojtari kundërshtar.

Të përfshirë ishin Jaime Mata dhe Muriqi dhe arbitrat Muniz Ruiz e Pizarro Gomez.

Diskutimi i bërë mes arbitrit në fushë dhe atij në VAR është publikuar disa orë pas ndeshjes. Dhe është bërë e qartë se si rrodhi e gjithë ngjarja.

Fillimisht sinjali erdhi nga dhoma e VAR-it për arbitrin në fushë.

“Alejandro, të rekomandoj rishikimin e një veprimi të Muriqit që ia tregon gishtin ofensiv lojtarit të Las Palmasit”.

Pas këtij sugjerimi, Muniz Ruiz e pyeti arbitrin në VAR nëse e ka fjalën për gishtin e mesëm. Pasi kjo i konfirmohet, Ruiz i afrohet monitorit dhe konfirmon se sulmuesi i Mallorcas ia tregon gishtin e mesëm lojtarit të Las Palmasit, i “provokuar qartë fillimisht nga Jaime Mata”.

“Ka provokim, duhet të shkojmë në goditje indirekte. Mbi të gjitha provokimi është i qartë. Do t’i jap karton të verdhë për provokimin që ndodhi më parë. Më pas karton të kuq për Muriqin për veprimin, dhe pasi topi është në lojë do të rifilloj atë me një goditje indirekte”, ka thënë arbitri në fushë në komunikimin me arbitrin në dhomën e VAR-it.

Ish-arbitri Perez Burrull ka thënë se përjashtimi i Muriqit është gjëja më e çuditshme që ka parë ndonjëherë.

Goli i fitores së Mallorcas u shënua në minutën e 91-të, pas goditjes indirekte të dhënë për ndaljen e lojës për të ndëshkuar Muriqin.

Jaime Mata kishte festuar me entuziazëm të tepruar para syve të Muriqit, pasi e pengoi atë për të shënuar kur rezultati ishte 2:2.

“Është gjëja më e pabesueshmë që kam parë ndonjëherë”, ka thënë Alfonso Perez Burrull.

Te Mallorca e kanë vlerësuar fitoren e arritur në mënyrë dramatike.

Mallorca ishte duke udhëhequr 2:0, para se Las Palmasi të barazonte me golat e minutës së 77-të dhe 83-të. Më pas u përjashtua Muriqi dhe u shënua goli i fitores nga Johan Mojica.

“Nuk e kemi ditur çka do të ndodhë, duket që Mata ka bërë një veprim. Asnjëherë në jetë nuk kam pasur një ndeshje të tillë dhe për fat shënuam fitore. Nëse do të më thoshin më parë që Muriqi do të përjashtohet dhe ne do të fitojmë, unë do të firmosja për këtë”, ka thënë trajneri Jagoba Arrasate.
Muriqi ka kërkuar falje për veprimin e pamatur.

“Kërkoj falje nga thellësia e zemrës. E di që reagimi im ishte jo i duhur. Më vjen keq që tifozët është dashur ta shohin këtë. Përkundër asaj që ndodhi, jam shumë i lumtur për fitoren e ekipit”, ka shkruar Muriqi.

Shpërndaje në: