Çka ndodhi sot në veri? Policia del me komunikatë dhe tregon për ngjarjet atje
Policia e Kosovës ka lëshuar komunikatë në lidhje me situatën e sotme në veri të Mitrovicës, atje ku Erden Atiq u betua si kryetar i ri i komunës.
Në një komunikatë për media, Policia e Kosovës ka thënë se ka ndërmarrë hapa shtesë në drejtim të ofrimit të një ambient isa më të qetë si dhe të mundësojë lëvizjen e lirë dhe ushtrimin e të drejtave të të gjithë personave pa dallim.
“Në kuadër të detyrave dhe autorizimeve ligjore, Policia e Kosovës ka bërë planifikimet e saja për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe mundësimin e ushtrimit të së drejtës së zyrtarëve të komunave veriore të Republikës së Kosovës”, tha policia.
Ky institucion, ka thënë se situata ka kaluar e qetë dhe pa incidente.
Komunikata e plotë e policisë:
Policia e Kosovës (PK), sipas detyrës zyrtare dhe objektivave të parapara strategjike, po vazhdon angazhimet e saj në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend.
Është detyrë e Policisë së Kosovës që të ofrojë siguri, të mbrojë të drejtat themelore të të gjithë personave, të ruajë pronën publike dhe private si dhe t’ua mundësojë lëvizjen e lirë dhe ushtrimin e të drejtave të gjithë personave pa dallim.
Në kuadër të detyrave dhe autorizimeve ligjore, Policia e Kosovës ka bërë planifikimet e saja për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe mundësimin e ushtrimit të së drejtës së zyrtarëve të komunave veriore të Republikës së Kosovës.
Qëllimi i planifikimeve dhe koordinimeve me institucionet relevante, ka qenë dhe vazhdon të jetë krijimi i një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, mundësimi i ushtrimit të së drejtës së zyrtarëve të komunave si dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme, që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin në vend.
Situata ka kaluar e qetë dhe pa incidente, Policia e Kosovës falënderon të gjithë qytetarët pa dallim dhe njëherit vazhdon t’i inkurajojë që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, për çdo rast që ndërlidhet me sigurinë dhe rendin publik.