Editorial: Çka ndodhi dje?
What goes around, comes around – thonë. Borxhi nuk pret ditë të mira.
Dje, Lista Srspka ia përkujtoi gjithë Kosovës se nuk ishte shpaguar për ndihmën që ia bëri Hashim Thaçit që të zgjedhet president i vendit.
Asokohe, në prill, Thaçi i kishte premtuar deputetëve serbë dhe qeverisë në Beograd një mal me privilegje: zëvendësministër serb të FSK/FAK, zëvendësdrejtor serb të BQK, zëvendës-Ombudsperson, një dyzinë antenash të Telekom Srbija anekënd Kosovës… dhe ca surpriza të tjera.
Aq shumë i kishte druajtur Thaçi turpërimit dhe mosvotimit për President, saqë kishte bërë premtime tipike për të: të pakuptimta dhe të pamundshme.
Sot, për këtë punë ju flasin në detaje anëtarë të Lista Srpska dhe politikanë serbë të Kosovës. Fytyrat e tyre – sikur ajo e Nenad Rashiq dje – flasin për habi dhe moskuptim të sasisë së mashtrimit që u ishte bërë. Premtimet ishin negociuar në ditën kur zhvillohej rituali komik i inaugurimit presidencial.
Si rëndom, premtimet e Thaçit kishin qenë vetëm të tijat – të thëna koti, si ato që i bëhen fëmijëve para gjumit. Ishin premtime të bëra në emër të huaj.
Në fund, Thaçi e bëri atë për të cilën është i njohur historikisht: i preu në besë. Posa u zgjodh president, harroi që Lista Srpska ekziston. Ai kishte dhënë premtim që duhej ta përmbushte dikush tjetër: Isa Mustafa. Obsesioni i Thaçit ishte të zgjedhet President: tjerat s’kishin rëndësi.E gjithë kjo u hakmorr dje, në seancën e dështuar për Demarkacion.
Kësisoj, siç është zakon saherë që përfshihet Hashim Thaçi, edhe dje u shkaktua një ngatërresë e madhe në Kuvend. Dhe, si zakonisht, më së shumti pësoi kryeministri Isa Mustafa dhe ‘institucionalistët’ e tij.
Deputetët serbë iu hakmorrën atij për premtimin e Thaçit. Kolegët e tyre shqiptarë nga koalicioni qeverisës u gëzuan pa masë që nuk patën nevojë të votojnë e të koriten. Së paku, jo edhe disa ditë.
Krejt në fund, opozita fitoi të drejtën që seancën e djeshme ta shpall fitore të veten.
As në nuk u befasuam së tepërmi. Të gjithë i dijmë ‘pazaret e zorit’ me Listën Srpska. Madje, më mirë se ne, këtë e dijnë ambasadorët e Quintit: këto pazare ishin bërë para syve të tyre.Sot, burime ndërkombëtare të Periskopit sigurojnë se përfaqësues të Quintit kishin shërbyer atë ditë si ‘garancion moral e politik’ për premtimin që s’do të përmbushej kurrë.
Andaj, serbët e zgjodhën ditën e djeshme për hakmarrje politike. E dështuan seancën kurse fitoren ia falën opozitës – sa për ta poshtëruar edhe më shumë Mustafën. Hakmarrje se jo mahi. Tekefundit, pse të mos e shndërronin një ngatërresë për privilegje e para në një konflikt ideologjik e politik? Bëne Zot llugë për shqiptarë.
Dje, opozita triumfoi– edhe pse e vetëdijshme se bëhej fjalë për incident tëshkaktuar nga ngatërresat primitive të presidentit. Ajo e din se fitore e vërtetë do të jetë vetëm atëherë kur deputetët shqiptarë nuk e votojnë demarkacionin. E kjo, marrë parasysh profilin e tyre,lë për të dëshiruar shumë.
Por, ku jemi sot, një ditë më vonë?
Seanca e djeshme e turpëroi pushtetin dhe e la kryeministrin të duket si një qyqan. I lagur dhe i mashtruar, atij i mbetet t’i përmbushë premtimet Listës Srpska – dhe ta përgatisë seancën e radhës. Presion i madh rëndon mbi të, veçanërisht ai ndërkombëtar. Zotimi për Gjykatë Speciale, Demarkacion dhe Asociacion ishin ato që e emëruan kryeministër. Nëse nuk i përmbush, nuk ka arsye të jetë në krye të qeverisë.
Mirëpo, me sa po shihet, fare lehtë mund të ndodhë që Mustafën ta lëjnë në lloç partnerët e koalicionit. Kjo është karakteristikë historike e tyre. Prej ditës së djeshme, presidenti Thaçi e ka të mbyllur telefonin për thirrjet e Mustafës. Ai ‘nuk di gjë’ meqë nuk merret më me politika partiake. Bossi i PDK-së, Kadri Veseli, po ashtu. Ai nuk ka qenë aty gjatë pazareve me Listën Srpska. Andaj, nuk e ndien veten të obliguar për çkado.
Në këtë lojë të ndërskamcave të katundit, Mustafa është i vetmuar.
Në fakt, ai këtë e din tash e sa kohë, por kjo s’i ndihmon gjë. Sot, është i fundosur në moçal të ndytë të premtimeve, tradhëtive dhe gënjeshtrave dhe – kryekëput – me faj të vetin. Sot, fati i tij është në dorë të mentalitetit më të pabesë në këtë pjesë të botës.
Në anën tjetër, Lista Srpska dhe Beogradi mund të jenë të çmendur – por jo edhe budallenj. Ata e dijnë se ky është çasti kur mund të fitojnë privilegje plotësuese dhe ta poshtërojnë udhëheqjen politike në Kosovë – madje, deri në rrëzim të saj.
Andaj, këto ditë, vini re vendimeve që do të merren në mbledhjet e qeverisë. Veçanërisht, emërimeve. Disa pozita kyçe në administratë publike do t’i mundësohen Listës Srpska. Ato do të formulohen si ‘procedurale’ dhe ‘në kuadër të ngritjes së kapaciteteve’ – por do të jenë përpjekjet e fundit të Mustafës për mbijetesë në një vorbull tragjikomik që ai e quan qeverisje.
Do të jenë koncesionet që duhet t’ia mundësojë Beogradit dhe vartësve të tij në Listën Srpska. Kështu, në dëm të vetin dhe të mbarë vendit, Mustafa do t’i përmbushë obsesionet e Njeriut që Deshti të Bëhet President.
Krejt në fund, nga këndi vështron shefi i ri i PDK-së, Kadri Veseli. Hesht dhe e vlerëson se çka do të ishte më fitimprurëse për të: ta ndihmojë Mustafën dhe ta vazhdojë qeverisjen e tij – apo të shtiret tradicionalisht se ‘nuk di gjë’ dhe ta sheh atë tek fundoset përfundimisht në moçal.
Zgjedhje në vjeshtë?…