Çka na mësojnë teoritë e komplotit?

Çka na mësojnë teoritë e komplotit?

Në vitin 331 p.e.s., në Romë po ndodhte diçka e pazakontë. Në të gjithë qytetin, burrat më të shquar po sëmureshin rëndë, dhe thuajse që të gjithë po vdisnin. Humbjet ishin sa shqetësuese aq edhe alarmante. Një ditë, një skllave iu afrua një gjykatësi që po ecte në rrugë, dhe i tha me zë të ulët se ajo e dinte arsyen e atyre vdekjeve. Vajza çoi një ekip hetuesish në shtëpi të ndryshme, ku ajo pretendoi se ata do të gjenin disa gra të shtresës së lartë, që përgatitnin helme fshehurazi. Ekipi veproi. Të akuzuarat u çuan në sheshin qendror të Romës, ku iu kërkua të provojnë pafajësinë e tyre. Meqë ato pretendonin se barnat e tyre ishin për qëllime kurimi, a do të ishin të gatshme që t’i pinin edhe vetë? Dy nga të dyshuarat u detyruan t’i pinin, duke rënë menjëherë përtokë të vdekura. Pasuan arrestime të shumta, dhe u zbulua se në këtë veprimtari ishin të përfshira edhe 170 gra të tjera. Incidenti u cilësua si skandal i madh. Pas asaj ngjarje, populli i Romës zgjodhi një zyrtar që do t’i përkushtohej ritualeve të dëbimit të së keqes, një taktikë që më herët ishte përdorur vetëm si zgjidhja e fundit për trazirat e mëdha civile.

Të paktën, ky ishte versioni i ngjarjeve që u regjistrua nga historiani i respektuar Tit Livi, që lindi qindra vjet më vonë. Por, ai nuk ishte i bindur se ato gra ishin në fakt përgjegjëse për vdekjet, dhe për këtë nuk janë të bindur as ekspertët e ditëve tona. Përkundrazi, Livi dha një shpjegim shumë më racional për vdekjet misterioze: një epidemi. Në atë kohë, qyteti ishte përfshirë nga një epidemi e panjohur, një shkak i zakonshëm i vdekjeve në botën e lashtë. Nga ana tjetër, helmimet masive ishin të padëgjuara. Në fakt, ishte e vërtetë që gratë në fjalë po përgatitnin ilaçe, por pjesa tjetër e historisë u sajua. Helmimet famëkeqe të vitit 331 p.e.s. mendohet se janë një teori komploti, për të shpjeguar vdekjet që kishin një shkak të padukshëm. Dhe, në mesin e pandemisë aktuale, ky skenar është shumë i njohur. Që nga fillimi i muajin prill, të paktën 77 antena telefonike dhe 40 inxhinierë janë sulmuar fizikisht në Britaninë e Madhe, pasi disa njerëz e besojnë idenë e gabuar se Covid-19 po përhapet nga forcat e fuqishme në industrinë globale të telekomunikacionit.

Tani thashethemet të tilla janë përhapur edhe në SHBA, ku autoritetet kanë frikë se kjo mund të çojë në akte dhunë të mëtejshme. Po pse përhapen këto lloj historish alternative? Çfarë e bën një teori komploti tërheqëse për masat? Dhe, a mund të mësojmë ne ndonjë gjë nga problemet me të cilat përballemi?

Së pari, teoritë e suksesshme të komplotit kanë gjetur gjithmonë “fajtorin” e duhur. Victoria Pagan, historiane në Universitetin e Çikagos në ShBA, mendon se suksesi i konspiracionit të helmimeve në Romë u bazua në faktin se shënjestroi gra dhe skllevër të familjeve të shtresave të larta, të cilat elitat e fuqishme mashkullore i konsideronte si kërcënuese për pozitat e veta. Meqë civilizimi mbështetej shumë në shfrytëzimin e të dyja këtyre grupimeve, burrat ishin vazhdimisht të shqetësuar se vartëset e tyre do të rebeloheshin. Gratë me status të lartë shiheshin me dyshim dhe portretizoheshin me plot sekrete dhe si të rrezikshme. Nga ana tjetër, dihej se skllevërit kishin vrarë shpesh padronët e tyre.

Në botën moderne, nuk është rastësi që teoritë me popullore të komplotit, priren të merren me tema të tilla si alienët, pakicat fetare, elitat e plotfuqishme, kombet rivale, teknologjitë misterioze dhe shkatërrimi i mjedisit. Dhe, çdo shoqëri ka ankthet dhe obsesionet e veta, ku depërtojnë teoritë e komplotit.

Në Rumani, shumë gra nuk pranojnë që vajzat e tyre të vaksinohen kundër HPV-së – virusit që është përgjegjës për 99 për qind të rasteve me kancerin e qafës së mitrës. Ekzistojnë disa arsye për këtë refuzim. Por, një studim ka treguar se kryesorja është bollëku i teorive të komplotit, përfshirë idenë se vaksinat janë një përpjekje për të kontrolluar popullatën e botës, duke i bërë gratë jopjellore, dhe se ajo është një eksperiment mjekësor nga industria farmaceutike, megjithëse nuk ka asnjë provë për asnjërën.

Ky faktor përshtatet me një element tjetër të zakonshëm në teoritë më popullore të komplotit. Ato na bëjnë të ndjehemi mirë në lidhje me grupimin tonë shoqëror, shpesh duke shpërfillur ata që i shohim si rivalë. Duke theksuar dallimet midis “atyre brenda grupit tonë” dhe “jashtë grupit tonë”, teoritë e komplotit mund të çojnë në lidhje më të forta shoqërore, dhe të krijojnë një ndjenjë mbrojtjeje ndaj atyre njerëzve që perceptohen si kërcënues.

Disa studime sugjerojnë që njerëzit u kthehen teorive konspirative, kur përballen me situata krize. Ideja që teknologjia 5G dhe rrjetet e tjera të mëparshme të telefonave celularë, janë disi të dëmshëm për shëndetin tone, ka qarkulluar prej të paktën 30 vjetësh. Por, shfaqja e një koronavirusi të ri misterioz në dhjetor 2019, e riktheu më me forcë në qendër të vëmendjes.

Në kohëra krizash, ka shumë të ngjarë që t’i drejtohemi teorive të komplotit, pasi i shohim ato si siguruese. Disa psikologë i kanë krahasuar këto lloj teorish me besimet fetare, që na ndihmojnë të ndjehemi më shumë nën kontrollin e situatës, duke i analizuar shumë ngjarje të paparashikueshme ose të rastësishme, e duke i bërë ato të duken disi të paracaktuara ose të diktuara nga dora e njeriut.

Teoritë kryesore të komplotit tentojnë që t’i japin përgjigje ngjarjeve të paqarta ose misterioze, nga rrëzimi i pashpjegueshëm i një avioni, tek në vdekjet e papritura të personave të famshëm. Aty ku autoritetet nuk munden, ose nuk dinë të japin më shumë informacion, këto boshllëqe informative kombinohen me një mosbesim të përgjithshëm, duke e orientuar publikun drejt njerëzve që pretendojnë se e kanë një përgjigje.

Kur shkencëtari Andrew Wakefield pohoi në vitet 1990 se vaksina MMR mund të shkaktonte autizëm tek fëmijët, u deshën dekada kërkimesh shkencore për të përcaktuar përtej dyshimit të arsyeshëm se ky pretendim nuk ka asnjë bazë shkencore. Por, ndërkohë, teoria e komplotit kishte shkaktuar dëme serioze në shëndetin e shumë të rinjve.

Teksa shoqëritë tona po ndryshojnë, po kështu po ndodh edhe me teoritë e komploteve. Russell Muirhead, politolog në Kolegjin Dartmauth në ShBA, është i shqetësuar për drejtimin që po marrin këto teori. Sipas tij, ato përhapen nga njerëz që janë në periferi të shoqërisë, dhe ato janë një armë e të pafuqishmit për t’i kërkuar llogari të plotfuqishmit.

Por, sot, teori të tilla po mbështeten pikërisht nga të plotfuqishmit. Që nga fillimi i pandemisë Covid-19, shumë liderë kanë mbështetur publikisht teoritë e komplotit, që përputhen mjaft mirë me agjendat e tyre. Për shembull, presidenti amerikan Donald Trump ka sugjeruar vazhdimisht se ka parë prova se koronavirusi e ka origjinën në një laborator kinez, ndërsa agjencitë e tij të inteligjencës, pretendojnë nuk ka prova për këtë.

Në librin “Shumë njerëz po thonë”, në të cilin Muirhead është bashkautor, flitet për një prirje të dytë të re në botën e komplotit: komplotet pa teori, sikurse ishte teoria e një rrjeti pedofilësh në ShBA, me bazë bodrumin e një picerie në Uashington, ku në fakt aty nuk kishte as bodrum.

Muirhead thotë se një pjesë e problemit është se njerëzit e kanë humbur gradualisht besimin tek ekspertët, qeveritë dhe institucionet e fuqishme. Për të rregulluar sistemin, ai sugjeron se duhet të ri-legjitimojmë demokracinë, të reformojmë qeveritë tona, dhe t’i trajnojmë institucionet tona si të përballen me këtë dukuri. /Burimi (me shkurtime) nga: “BBC Future”/Në shqip nga: Bota.al/

Shpërndaje në: