Çka është kombi në shekullin e 21-të?
LONDËR – Referendumet e fundit për pavarësi në Kurdistanin irakian dhe në Katalonjë, dhe përgjigjja e dorë-rëndë ashtu siç edhe pritej nga qeveritë qëndrore në Baghdad dhe Madrid, kanë ngritur shumë pyetje – një kateshizëm pa përgjigjje – për kuptimin e kombësisë në shekullin e 21-të. Çka është kombi? Çka është komb-shteti? A është njësoj si vendi? A janë njerëzit, ose fisi, e njëjta gjë si kombi? Në një ekonomi të globalizuar çfarë nënkupton sovraniteti kombëtar?
Vë bast se shumica e amerikanëve nuk mendojnë për këto pyetje. Ata jetojnë në “Një komb të pandashëm,” edhe nëse vendi i tyre nuk ndihet bash ashtu këto ditë. Por, “çka është kombi?” është një pyetje që është shtruar me urgjencë në shumë pjesë të botës në thuaj tri dekadat e fundit që prej mbarimit të Luftës së Ftohtë.
Pesëmbëdhjetë kombe të vjetra e të reja nxorrën krye vetëm nga Bashkimi Sovjetik. Edhe satelitët e saj evropjanë e ridefinuan veten. Brenda pesë viteve të rënjes së Murit të Berlinit, Gjermania Lindore pranoi që efektivisht të bashkohej me Gjermaninë Perëndimore. Çekosllovakia u nda në dy kombe. Jugosllavia u shpërbë në shtatë shtete të ndryshme.
Jo të gjitha grupet ia kanë dalë mbanë të krijonin komb-shtetin e tyre. Kurdët, pavarësisht shtypjes së tmerrshme, asnjëherë nuk janë ndalur që të krijonin një komb të tyre.
Për të kuptuar këtë shtysë që mësyn rivizatimin e hartës botërore, duhet shikuar në historinë moderne perandorake. Kufijtë e Kurdistanit dhe Jugosllavisë ishin vendosur kur të mundurat perandori, ajo Osmane dhe ajo Austro-Hungareze u shkërmoqën në fund të Luftës së Parë Botërore. Këto vija kufitare pak kishin të bënin me aspiratat kombëtare sepse në pyetje ishte konvenienca e perandorive triumfuese, Britanisë dhe Francës.
Sfida për idenë ekzistuese të kombësisë filloi me rënjen e komunizmit. Ajo u përhap edhe më shumë kur kombet perëndimore u përballën me krizën financiare të vitit 2008.
Brexiti erdhi si rrjedhojë e argumentimeve të brendshme mes britanikëve pas kësaj krize, për atë se çka ishte kombi i tyre, dhe si duhej të ishte.
Kriza e rriti mbështetjen për Partinë Nacionaliste Skoceze, e cila e fitoi shumicën në Parlamentin Skocez në vitin 2011. Më 2014, votuesve skocez iu ishte shtruar kjo pyetje në referendum, “A duhet që Skocia të bëhet e pavarur? Jo-ja fitoi. Por kjo nuk i dha fund kësaj gjëje, sepse u ngrit edhe nacionalizmi anglez.
Në vitin 2016, kryeministri britanik David Cameron, pasi e kishte fituar referendumin në Skoci, vendosi të provonte fatin edhe njëherë duke i bërë të zgjedhnin britanikët lidhur me anëtarësinë e saj të mëtejme në Bashkimin Evropjan: “A duhet që Mbretëria e Bashkuar të mbetet pjesë e Bashkimit Evropjan, apo duhet të largohet?”
Argumentimi kundër të qenët pjesë e bashkimit bazohej në konceptin e sovranitetit kombëtar. Nuk ishte një argumentim krejt i ri. Kur Bashkimi Evropjan e nisi marshin e saj të ngadaltë drejt një të ardhme federale në fund të viteve 80-të, Britania u tërhoq nga procesi për t’iu bashkuar. Sipas Margaret Thatcherit, t’i bashkohesh një Evrope federale do të thoshte t’i jepje fund pavarësisë kombëtare të Britanisë.
Britania, për shkak të madhësisë dhe rëndësisë brenda Bashkimit Evropjan, e kishte të mundur të zgjedhte të largohej nga marrëveshjet themeluese të kësaj Evrope federale: marrëveshja e Schengenit, e cila i lejon njerëzit të lëvizin lirshëm nëpër kufijtë kombëtar, dhe krijimi i një monedhe të përbashkët, euros.
Frika për sovranitetin i bëri mendjet zakonisht pragmatike të anglezëve atë që frika iu bën shumicës së mendjeve: i bëri irracional. Gjatë referendumit të Skocisë, Bashkimi Evropian ua bëri të qartë skocezëve se nëqoftëse do të votonin për pavarësi nuk do t’iu jipej asnjë lehtësi për hyrjen në BE dhe nuk do t’iu lejohej përdorimi i euros si valutë. Nuk mund të imagjinohej një sovranitet më i plotë për britanikët.
Kur u numëruan votat, doli se 53 përqind e anglezëve kërkonin të dilnin nga BE-ja, ndërsa 62 përqind e skocezëve kërkonin të mbesnin në BE. Dy shprehje shumë të ndryshme të vullnetit kombëtar, e megjithatë vetëm njëri do të vihej në zbatim.
Sa është i ndikuar vendimi i Katalonjës për të mbajtur referendum nga vota skoceze? A e bëri Carles Puigdemont, lideri i Parlamentit Katalan, një gabim duke gjykuar se precedenti i një votimi paqësor në Britani për pavarësinë e Skocisë do të ndodhte në të njëjtën atmosferë të ngjashme edhe në Spanjë?
A nuk e dinte ai që Bahskimi Evropian zotohet të respektojë sovranitetin e shteteve anëtare ekzistuese dhe se nuk do të intervenonte te qeveria spanjolle për të ndaluar policinë të bënte atë që bëri?
Kriza në Katalonjë çon në një pyetje të fundit për kombësinë: A munden kombet evropjane perëndimore të shpresojnë që të ruajnë pasurinë dhe standardet e larta të jetesës në një ekonomi të globalizuar pa e bashkuar kombësinë e tyre në diçka më të madhe?
Fillimi i përgjigjjes në këtë pyetje kontemporane vjen nga e kaluara. Rreth 500 vjet më parë, në një kohë tjetër të fluksit ekonomik e politik, një fisnik polak, emri i të cilit është humbur nga rrjedha e historisë, ishte pyetur për identitetin e tij kombëtar. Ai ishte përgjigjur, “Kam kombësi polake, shtetësi lituaneze të popullit të rutienëve (rus), dhe origjinë hebreje.”
Përgjigjja e parashtron pikëpamjen e Albert Riveras, i cili e udhëheq një parti të qendrës së djathtë kundër-pavarësisë në Katalonjë, i cili ka thënë: “Katalonja është atdheu im, Spanja është vendi im dhe Evropa është e ardhmja ime.”
A mundet Evropa të bëhet një komb? Kjo është ndër pyetjet më të mëdha të shekullit të 21të. | Nytimes.com | Përktheu: Periskopi