Çitaku kritikon Kurtin pasi sulmoi Thaçin: Çlirohu nga mllefi dhe urrejtja – Kosova është në terr, pa rrymë, e izoluar dhe e përjashtuar

Çitaku kritikon Kurtin pasi sulmoi Thaçin: Çlirohu nga mllefi dhe urrejtja – Kosova është në terr, pa rrymë, e izoluar dhe e përjashtuar

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti për udhëheqje të dobët me shtetin.

Çitaku ka shkruar se Kurti ka qenë vetëm vrojtues i sukseseve të Kosovës, ndërsa me ardhjn e tij në krye të Qeverisë, vendi ka shënuar regres.

”Pse nuk shkrove historinë tënde? Pse nuk e bëre Kosovën anëtare të Këshillit të Evropës, të NATO-s, apo të organizatave të tjera ndërkombëtare që i sigurojnë vendit përparim dhe stabilitet?”, shkruan Çitaku.

Postimi i plotë:

Albin,

E fitove një mandat të fuqishëm që askush tjetër nuk e ka pasur në historinë e Kosovës. Një mandat që nuk të kërkonte as kompromise me partnerë të koalicionit, as zmbrapsje përballë presioneve politike. Por, përkundër kësaj, qeverisja jote ka qenë pa rezultate.

Mbrëmë zgjodhe sërish të sulmosh Hashim Thaçin. Keqardhje për ty. Historia nuk rishkruhet as me fjalë, as me urrejtje. Ushtria e Kosovës e ka gjenezën në UÇK-në, TMK-në dhe FSK-në. Në të gjitha këto faza të transformimit, ti ke qenë një vrojtues destruktiv ose pasiv.

Pavarësia e Kosovës është e lidhur pashmangshëm me Hashim Thaçin, me të gjitha sukseset dhe sfidat që e shoqëruan atë proces.

Por ti, Albin, çfarë ke bërë?

Pse nuk shkrove historinë tënde? Pse nuk e bëre Kosovën anëtare të Këshillit të Evropës, të NATO-s, apo të organizatave të tjera ndërkombëtare që i sigurojnë vendit përparim dhe stabilitet?

Sot, Kosova është në terr, pa rrymë, e izoluar dhe e përjashtuar. Populli nuk të zgjodhi për të ndarë fajtorë apo për të ushqyer urrejtje, por për të dhënë zgjidhje dhe për të ndërtuar të ardhmen.

Çlirohu nga mllefi dhe urrejtja, Albin. Kjo të bën mirë – dhe do t’i bëjë mirë edhe Kosovës.

Shpërndaje në: