Cilat ligje u rrëzuan dhe çka mbeti ende për t’u shqyrtuar?
Edhe gjatë vitit 2024, Gjykata Kushtetuese e Kosovës pati rol vendimtar në mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e parimeve kushtetuese të vendit. Në disa raste, kjo gjykatë konstatoi shkelje të Kushtetutës, duke i rrëzuar tërësisht disa ligje dhe vendime që binin ndesh me Kushtetutën. Në disa raste të tjera, vendimet e Gjykatës çuan në anulimin pjesërisht të dispozitave që nuk përputheshin me standardet kushtetuese, ndërsa për një numër çështjesh, ajo konstatoi se nuk pati shkelje kushtetuese, duke konfirmuar kështu kushtetutshmërinë e ligjeve dhe vendimeve të Kuvendit.
Rastet e dërguara për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese u iniciuan nga grupet parlamentare opozitare, si Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilat sfiduan politikat dhe ligjet e propozuara nga shumica parlamentare. Gjithashtu, Avokati i Popullit i Kosovës dërgoi ligje për të cilat pretendoi se nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën.
Cilat ligje u rrëzuan tërësisht nga Kushtetuesja?
Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme u kontestua në Gjykatën Kushtetuese nga shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri dhe nëntë deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës. Ata argumentuan se disa dispozita të ligjit binin në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke përfshirë çështje që lidhen me kompetencat e Komisionit Mbikëqyrës dhe periudhat e verifikimit të pasurisë.
Më 20 qershor 2024, Gjykata Kushtetuese vendosi që disa nga dispozitat e këtij ligji ishin jokushtetuese dhe për shkak të rëndësisë së tyre në zbatimin e ligjit, shpalli të pavlefshëm tërësisht Ligjin Nr. 08/L-121.
Vendimet e Kuvendit që u rrëzuan tërësisht nga Kushtetuesja
Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), u kontestua në Gjykatën Kushtetuese nga deputetja nga radhët e LDK-së, Vlora Dumoshi dhe njëmbëdhjetë deputetë të tjerë të kësaj partie. Gjykata vendosi se ky shkarkim ishte në kundërshtim me Kushtetutën, duke theksuar se një veprim i tillë cenon pavarësinë funksionale të OSHP-së dhe tejkalon kompetencat e Kuvendit.
Cilat ligje u rrëzuan pjesërisht?
Ndryshimet në Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës u dërguan në Gjykatën Kushtetuese po ashtu nga shefi i grupit parlamentar të PDK, deputeti Abelard Tahiri dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese vendosi se disa nene të këtij ligji nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në veçanti, Gjykata konstatoi se nenet e kontestuara cenonin parimet kushtetuese si barazia para ligjit, e drejta për mjete juridike efektive dhe pavarësia e shërbimit civil.
Pas këtij vendimi, Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal procedoi ligjin e korrigjuar në Presidencën e Kosovës, pa nenet e shpallura të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese, për shpallje nga Presidentja.
Ligji për Pagat në Sektorin Publik u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i Popullit më 7 prill 2023. Kjo erdhi pas pranimit të 104 ankesave nga sindikata të ndryshme të sektorit publik dhe nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të cilat shprehën shqetësime lidhur me uljen e koeficienteve, zvogëlimin e pagave dhe heqjen e shtesave.
Më 23 janar 2024, Gjykata Kushtetuese shpalli aktgjykimin në rastin KO79/23, duke konstatuar se disa dispozita të ligjit nuk janë në përputhje me Kushtetutën. Në veçanti, Gjykata gjeti se disa nene shkelin parimet e ndarjes së pushteteve, mbrojtjes së pronës dhe barazisë para ligjit. Gjykata urdhëroi Kuvendin e Kosovës që, brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit, të ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e dispozitave të kontestuara në përputhje me Kushtetutën.
Shpërfillja e Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi dhe Qeveria
Në rastin kur Gjykata Kushtetuese rrëzoi pjesërisht disa nene të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, ajo edhe urdhëroi Kuvendin që brenda afatit prej gjashtë muajve t’i bëjë ndryshimet e duhura në mënyrë që mbi 84 mijë shërbyesve civilë t’u kthehet e drejta në shtesë, në bazë të përvojës së punës. Kuvendi dhe Qeveria patën afat që deri më 1 gusht 2024 t’i bëjnë ndryshimet e duhura por që të dy institucionet nuk ndërmorën asnjë veprim.
Për moszbatimin e këtij aktgjykimi, pati reaguar Instituti i Kosovës për Drejtësi, ku sipas këtij instituti, kjo neglizhencë nuk është thjeshtë vetëm mangësi administrative, por mosveprimi i tillë përbën shkelje të Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç ndodhi në vitin 2023 me vonesat në miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Skemat Pensionale dhe me Ligjin për Zyrtarët Publik.
Sipas IKD-së, vendimet e Kushtetueses janë detyrueshme për të gjitha institucionet e Kosovës.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha institucionet dhe individët në Republikën e Kosovës, pasi ato përfaqësojnë interpretimin përfundimtar kushtetutës. Mosrespektimi i këtyre vendimeve përbën një shkelje të rëndë të aktit më të lartë juridik të vendit, duke krijuar një praktikë të rrezikshme”, thuhet në reagimin e IKD-së më 13 gusht 2024.
Cilat ligje u kontestuan por që u konsideruan në pajtim me Kushtetutën?
Gjykata Kushtetuese vendosi që kuotat gjinore prej së paku 30% në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme është në përputhje me Kushtetutën. Ky vendim erdhi pasi që Avokatit i Popullit, dërgoi këtë ligj mbi pretendimet për cenim të barazisë gjinore dhe të drejtave zgjedhore.
Përcaktimi i kuotës gjinore prej 30% në listat zgjedhore, sipas Kushtetueses është masë afirmative e nevojshme për të garantuar barazinë gjinore, duke lënë Kuvendin përgjegjës për përcaktimin dhe zbatimin e kësaj mase. Ndërkaq, përfaqësimi prej 50% i synuar në Ligjin për Barazi Gjinore është një aspiratë dhe jo një detyrim ligjor, duke kërkuar angazhim të vazhdueshëm nga institucionet drejt realizimit të barazisë gjinore në mënyrë graduale.
Gjithashtu, kjo gjykatë konfirmoi se Kuvendi i Kosovës nuk shkeli Kushtetutën gjatë shkarkimit të Agron Bekës, anëtarit joprokuror të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), më 15 dhjetor 2023. Kushtetuesja vlerësoi se ky vendim është brenda kufijve të autorizimeve kushtetuese dhe ligjore të Kuvendit.
Ligji për Investime të Qëndrueshme u kontestua në Gjykatën Kushtetuese nga deputeti i PDK-së, Ferat Shala dhe nëntë deputetë të tjerë të Kuvendit. Ata pretenduan se disa nene të këtij ligji ishin në kundërshtim me Kushtetutën.
Megjithatë, kjo gjykatë vendosi se kërkesa ishte e pranueshme por që nenet e kontestuar të këtij ligji nuk ishin në kundërshtim me Kushtetutën. Ligji u dërgua Presidentes për shpallje.
Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficioneve në Lartësi të Pagës Minimale dhe Shkallët Tatimore në të Ardhurat Personale Vjetore u kontestua nga deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri dhe nëntë deputetë të tjerë. Ata pretenduan se disa dispozita të ligjit binin ndesh me nenet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke përfshirë parimin e barazisë para ligjit, mbrojtjen e pronës dhe mbrojtjen sociale.
Kushtetuesja vendosi se të gjitha dispozitat e kontestuara të ligjit ishin në përputhje me Kushtetutën dhe nuk shkelën të drejtat kushtetuese të garantuara për barazi, mbrojtje të pronës dhe mbrojtje sociale.
Në Gjykatën Kushtetuese u dërgua nga Gjykata Supreme edhe paragrafi 2 i nenit 4, paragrafi 4 i nenit 432 dhe paragrafi 2 i nenit 438 të Kodit të Procedurës Penale Nr. 08/L-032, për shqyrtim të kushtetutshmërisë së këtyre neneve. Gjykata Kushtetuese konstatoi se të gjitha këto dispozita janë në përputhje me Kushtetutën, duke respektuar parimet e mbrojtjes nga gjykimi i dyfishtë për të njëjtën vepër (Ne Bis In Idem), të drejtën për mjete juridike efektive dhe barazinë e armëve në procedurën penale.
Çka refuzoi për të trajtuar Gjykata Kushtetuese?
Gjykata Kushtetuese refuzoi kërkesën e Gjykatës Supreme për vlerësimin e kushtetutshmerisë së paragrafit 2 nenit 4, paragrafit 4 të nenit 432, dhe paragrafit 2 të nenit 438 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës Nr.08/L-032.
Gjykata përmendi rastet e bashkuara KO114/23, KO192/23, KO227/23 dhe KO229/23 ku ajo kishte vlerësuar kushtetutshmërinë e neneve të lartpërmendura të KPPRK-së duke konstatuar se të njëjtat nuk janë kundërshtim me nenet 29 (E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë) dhe 34 (E Drejta për të mos u Gjykuar dy herë për të njëjtën Vepër) të Kushtetutës. Gjykata konstatoi se kërkesa e dorëzuar nga Gjykata Supreme nuk është me “në mënyrë aktive e diskutueshme”.
Ligjet të cilat janë në procedurë të shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese
Më 7 shkurt 2024, AAK-ja dorëzoi në Institucionin e Avokatit të Popullit kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Skemat Pensionale.
Në vitin 2024, LDK-ja dhe PDK-ja dorëzuan në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë, duke shprehur shqetësime për ndikimin politik në administratën publike.
Më 7 nëntor 2024, LDK-ja, përmes deputetit Armend Zemaj dhe përfaqësuesit të saj, Shkëmb Manaj, dërgoi këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se ndryshimet e propozuara rrezikojnë politizimin e administratës dhe bien ndesh me parimet evropiane për një shërbim civil të pavarur.
Po ashtu, PDK-ja, përmes shefit të grupit parlamentar, Abelard Tahiri, dorëzoi këtë ligj në Kushtetuese, duke theksuar se ndryshimet e miratuara nga Kuvendi më 30 tetor 2024 mundësojnë shtrirjen e ndikimit politik mbi administratën publike, gjë që cenon parimet e meritokracisë dhe pavarësisë institucionale.
PDK-ja ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për interpretimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe vendimit për statutin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Sipas shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, këto akte juridike bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe parimet e saj themelore.
Ligji për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga LDK-ja dhe PDK-ja. LDK e dorëzoi kërkesën për vlerësimin kushtetues të këtij ligji më 22 dhjetor 2023, ndërsa PDK e ndoqi këtë hap më 26 dhjetor 2023. Të dyja partitë argumentuan se disa dispozita të ligjit mund të jenë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe kërkuan interpretim nga gjykata për të siguruar përputhshmërinë ligjore.
16 ligjet e miratuara në seancën e 5 dhjetorit
PDK-ja ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese 16 ligje të miratuara në seancën e Kuvendit të Kosovës më 5 dhjetor 2024, duke i kontestuar ato për shkelje procedurale dhe, në një rast, edhe për shkelje të përmbajtjes.
Sipas kryetarit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, 15 nga këto ligje janë kontestuar për shkelje procedurale, ndërsa Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është kontestuar si në procedurë, ashtu edhe në përmbajtje.
Tahiri ka theksuar se seanca e 5 dhjetorit ka vendosur një standard të dëmshëm, duke dhunuar jetën parlamentare në vend. Ai ka përmendur shkelje të tilla si miratimi i ligjeve pa miratim paraprak të rendit të ditës nga Kryesia e Kuvendit, thirrja e seancave me njoftime të vonuara dhe të papërshtatshme për deputetët, si dhe zhvillimi i procesit të miratimit të ligjeve brenda një dite, duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
16 ligjet e kontestuara: Ligji për banim social dhe të përballueshëm, Ligji për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, Ligji për Banka, Ligji për Inspektoratin Qendror për Mbikëqyrjen e Tregut, Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, Ligji për shërbimet e pagesave, Ligji për provimin e maturës shtetërore, Ligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, Ligji për Gjykatën Administrative, Ligji për financimin e menaxhimit të resurseve ujore, Ligji për Inspektoratin Qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe për mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore, Ligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, Ligji kundër dukurive negative në sport dhe Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale./BetimipërDrejtësi