Çfarë i lidhë Isa Mustafën me Albert Bunjakin?

Çfarë i lidhë Isa Mustafën me Albert Bunjakin?

farë i lidhë Albert Bunjakin (shefin e Reprezentacionit të Kosovës) dhe Isa Mustafën (shefin e LDK-së)?

Eshtë stoicizmi i pashoq për të mos reflektuar në anjë disfatë! Për të mos ju hyrë në hak, të dytë kanë nga ndonjë sukses: njëri një barazim si mysafir në Finlandë e tjetri dy fitore në terren të vetin të parapregatitur mirë nga parardhësit e tij. Pastaj pasojnë vetëm disfata, secila më e rëndë se tjetra. Megjithatë të dy dalin ballëlartë nga disfatat, lavdërojnë lojën e tyre, premtojnë rezultate në të ardhmen. Të dy preferojnë të fusin lojtarë sipas qjefit të tyre, te anashkalojnë talent, të mospërfillin kritika e të prodhojnë disfata të njëpasnjëshme.

Por po e lëmë njëherë Bunjakin…

Isa Mustafa erdhi në krye të partisë pas paknaqësive masive pas koalicionit të Fatmir Sejdiut me PDK-në dhe disfatës që Sejdiu i solli vetes dhe LDK-së si pasojë e “tradhëtisë” së atëhershme nga partneri i koalicionit. Pa asnjë hezitim Mustafa e kafshoi dorën që e kishte ngritur nga këshilltari i Presidentit ne kryetar të kryeqytetit dhe ja kishte siguruar votat dy herë. Nuk pati problem as të distancohej nga miku i tij Bukoshi, nga U.Rugova e Haraqija që ja kishin hapur rrugën fillimisht për në krye të partisë.

Qysh në sprovën e parë si shef partie dështoi në premtimin e unifikimit të partisë duke refuzuar të rikthej njerizit që ikën nga Fatmir Sejdiu (LDD), refuzoi ofertën për koalicion parazgjedhor me AAK-në dhe i dhuroi disfatën e parë LDK si kryetar i saj.

Me një arrogancë të mospërfillse i hyri edhe garës për të konfirmuar mandatin e kryetarit të Prishtinës duke e humbur betejën nga një djalosh pothuajse i papërvojë në politikë deri atëhërë!

Qysh këtu u ngritën zërat se pas këtyre dy disfatave, Isa do të duhej te lironte postin e shefit te partisë dhe të lëshoj rrugë për akter tjerë. Por pa asnjë hezitim Mustafa dhe miqt e tij insistuan që përkundër humbjeve ai të udhëhiqte partinë edhe në zgjedhjet e parakohshme pas dorëheqjes së qeverisë Thaci 2. Edhe këto zgjedhje treguan se Mustafa nuk kishte arritur as përafërsisht të rimëkëmbte partinë e Ibrahim Rugoves e cila dikur ishte e pakonkurrencë në vendin e parë.

Aventurat në të cilat e futi Mustafa veten dhe partinë e tij pas këtij momenti janë të pashoqe dhe do të mbahen mend gjatë. Duke mos dashur as të diskutoj për dorëheqje pas humbjes së tretë radhazi, shpëtimin e gjeti duke përqafuar njerëz që deri ato ditë kishin ofenduar e nepërkëmbë Isën deri në ndjekjen e tij nga komuna e Prishtinës – VV-në e Albin Kurtit! Edhe AAK-ne të cilën e kishte refuzuar më herët nuk pati problem tash kur i duhej për mbijetesë ta afroj dhe ti jap edhe mbeshtetje për postin e Kryeminstrit duke u kënaqur vet me postin e Kryeparlamentarit. Bashkë edhe me Nismën e Fatmir Limajt u krijua VLAN-i me cakun kryesor të proklamuar: me cdo kusht Hashim Thaqi dhe PDK do të duhej të dërgohen në opozitë, e më pastaj Thaci, Veseli e shumë tjerë edhe në burg!

Por rrokullisjen që e bëri më pastaj Mustafa e la në hije edhe kryerrokullisësin shqiptar, Ilir Meta. Brenda natës Thaci në vend të opozitës e burgut u bë “zëvendës” i Mustafës në qeverinë e re e më pastaj President, Veseli Kryeparlamentar, Albin Kurti u shëndrrua në “rrugaq”, Haradinaj në “vrasës që fsheh kufoma në Radoniq”…

Megjithatë rezistencë pati në LDK: Vjosa Osmani, Arben Gashi, Anton Quni e disa të tjerë nuk e votuan qeverinë Mustafa. Efekti i kësaj rezistencë ishte lincmi i rebelëvë nga vet shefi i partisë ashtu sic u lincuan më vonë edhe kundërshtarët e demarkacionit. Tentativat që Mustafa të detronizohej pas rrotullimit ne prehërin e PDK në kongresin e radhës së LDK, Mustafa i mbijetoji në mënyrë sovrane. Me kryeneqësi dhe dinakërinë e sprovuar me dekada, ky arriti të organizoj zgjedhje të brendshme partiake duke eleminuar kundër-kandidatë me akrobacione statutore dhe të rikonfirmohet kryetar.

Vetëm edhe një gjë i duhej Mustafës dhe miqëve për t´i mposhtur përfundimisht kritikët, që Isa të conte deri në fund mandatin e kryeminstrit, t´i rikthente komunat e humbura dhe ta s´pastronte partinë nga zërat kritik e rebel politik.

Por problemi i rrokullisjeve është ai që është vështirë ta dijshë ku ndalen dhe mund të lëndohesh keq. Disfata më e madhe i erdhi me shkarkimin e tij nga vet Kuvendi i Kosovës. Mjeshtri i rrokullisjeve u zu keq nga orteku që e kishte nisur vet dhe i dhuroi këtij epitetin e Kryeministrit të parë të Kosovës i cili u shkarkua nga ligjëvënësit e vendit.

LDK i ka dalur hakesh mjaft Isa Mastafës duke e rehabilituar pas cdo disfatë. Tani është rradha që Mustafa tía kthej borxhin.

Nëse Mustafa me të vërtetë ja don të mirën LDK-së, ai duhet të largohet nga timoni i saj. Edhe Albert Bunjaki i Reprezentacionit nëse me të vërtetë ja ka hatrin futbollit kosovar është mirë të përshëndetet sa nuk është shkarkuar. Edhe këtij lojtarët dhe tifozët e Kosovës i kan dalur hakesh sa të duash. Jo se domosdosmërisht ata që do vijnë pas tyre ëdo të jenë shumë më të suksesshëm, por se duhet edhe ne të mësohemi që disfatat duhet të pasohen me marrje pergjegjësie. LDK-ja sigurisht që ka mjaft njerëz që mund të marrin këtë timon. Në vend se të rikthehet në atavizma të vetviktimizimit LDK-ja duhet ti kthehet debatit të brendshëm dhe ti jep mundësi njerëzve tjerë të provojnë fatin. Fundja shumë më keq nuk mund ta bëj askush tjetër.

Shpërndaje në: