Çfarë ka ndodhur me Donald Trump?
Ai ishte shumë këmbëngulës gjatë kohës që po largohej nga Shtëpia e Bardhë:”Unë do të mbetem në politikë!”. Ishte një fund i trazuar i presidencës – fajësimi, faljet skandaloze, por edhe një debat i fortë mbi rezultatin e zgjedhjeve presidenciale – por Trump e dinte se kishte pas ndjekës të përkushtuar, ndaj ai synonte të mbetej një zë i fortë në politikën amerikane.
Dhe jo vetëm ai:Familja e tij ishte e etur të përfitonte nga suksesi i tij elektoral. Zakonisht një ish-president mban një profil të ulët pasi lë detyrën. Ai nuk do ta bënte atë. Por do të mbetej figura dominuese në partinë e tij. Por planet nuk i shkuan mirë.
Presidenti u vendos në shtëpinë e tij të re, duke u bërë thirrje miqve që ta ngrinin zërin mbi mënyrën e padrejtë se si ishte trajtuar, dhe të anoheshin për prokurorët që ishin më shumë sesa duhej të zellshëm kundër tij. “Ai të lodh duke e dëgjuar përherë më këto gjëra!”- rrëfeu një mik.
Ishte viti 2001, dhe ish-presidenti ishte Bill Clinton. ”Kur një president largohet nga detyra, ne presim që ai të zhduket nga skena për një farë kohe, që t’ia lëshojë skenën presidentit të ri, dhe të na japë pak kohë për të harruar se përse nuk u penduam që e lamë të largohej”-shkruante “Time”.
Nuk ka gjasa që Donald Trump ta telefonojë Bill Clinton për t’u takuar. Dhe kjo jo sepse Klinton do ta refuzonte ftesën. Por sepse nëse do të uleshin të bisedonin, të dy burrat mund të zbulonin se kishin diçka të përbashkët për të diskutuar. Trump ka mbetur papritur shumë i mënjanuar që nga largimi i tij nga detyra.
Shumë pak njerëz mund ta kishin imagjinuar këtë. Philip Bump i “Washington Post”shkroi kohët e fundit se nëse kërkon në Google imazhet e fundit të Trump, të dalin në shumë ato të kohës para se ai kandidonte për president.
Teoria më popullore për zhdukjen e Trump nga skena, është se ndalimi që i bëri Twitter (dhe faqet e tjera të mediave sociale), e kanë dëmtuar shumë aftësinë e tij për të arritur një audiencë të gjerë. Me llogarinë e tij në Twitter në majë të gishtave, ai mund të shfrynte dufin ndaj kujtdo dhe ndaj gjithçkaje, dhe do të pëlqehej dhe komentohej nga miliona ndjekës.
Media do të raportonte me siguri mbi qëndrimin e tij të fundit. Eklipsimi i Trump duket se fillon rreth 8 janarit, kur Twitter njoftoi ndalimin e profilit të tij. Është e qartë se Trumpit i mungojnë postimet në shkurtra në Twitter, dhe marrja e reagimeve të menjëhershme nga audienca.
Ai ua dërgon me e-mail gazetarëve deklaratat e tij – ndonjëherë disa në ditë – me shpresën se ata do t’i postojnë në Twitter, por nuk është e njëjta gjë. Por edhe teoria e Twitter-it ka të meta. Postimet e Trump mund të shkaktonin drithërima tek zyrtarët qeveritarë, por ato kishin nisur ta humbnin forcën e tyre që pas vitit 2019.
Më pak njerëz kishin filluar që të reagonin ndaj tyre, dhe përpjekjet e Trump për ta kompensuar atë rënie thjesht duke postuar më shpesh, e dobësuan më tej efektin. Amerikanët dukej se po bëheshin më të ngopur me deklaratat e vrazhda të presidentit.
Përveç kësaj, dikush që ka famën e Trump s’ka nevojë për të pasur doemos një llogari në Twitter. Si një kandidat presidencial rebel në vitin 2015, Trump zbuloi se llogaria në atë platformë, i siguronte një mënyrë të dobishme për të drejtuar diskursin, edhe pse pak gazetarë apo politikanë e morën në fillim seriozisht kandidimin e tij.
Por kur ishte president, Trump kishte edhe shumë mënyra të tjera në dispozicion për të diktuar vëmendjen e medias:konferencat për shtyp, intervistat zyrtare, dhe adresat e Zyrës Ovale. Megjithëse ndonjëherë u shmangej këtyre metodave si president – ai nuk dha një adresë të Zyrës Ovale deri gati 2 vjet pas nisjes së mandatit të tij – ai po përdor tani mjetet që i mbeten në dispozicion.
Për disa kohë pas përpjekjes për grusht shteti më 6 janar 2001, Trump qëndroi çuditërisht i heshtur, me sa duket duke dëgjuar këshillat e ndihmësve, të cilët i sugjeruan që të mbante kokën ulur ndërsa Senati ishte ende duke shqyrtuar fajësimin e tij. Por që kur Senati nuk arriti ta dënojë, Trump ka qenë më i zëshëm.
Ai ka vazhduar të bëjë deklarata publike, përfshirë ato në mbledhjen e Komitetit Kombëtar Republikan fundjavën e kaluar, dhe ka dhënë intervista në disa prej stacioneve televizive të të preferuara prej tij. Gjithashtu ai ka dhënë të paktën një duzinë intervistash për librat e shkruara rreth presidencës së tij.
Trump mund të tërhiqte më shumë vëmendje, nëse do jepte një intervistë për një gazetar më kundërshtar. Trump mund të jetë viktimë e suksesit të tij të dikurshëm në diktimin e ciklit të lajmeve. Së pari, ndoshta media ka filluar më në fund ta kuptojë leksionin në lidhje me mbulimin e “karremave” të tij, që ishin deklarata gjithnjë e më boshe.
Së dyti, aftësia e Trump për të diktuar lajmet, varej pjesërisht nga provokimet e tij gjithnjë e më të forta. Dhe pasi ke provuar të përmbysësh një palë zgjedhje presidenciale, nuk ke shumë hapësirë për të përshkallëzuar më tej. Trump pati sukses duke u shndërruar në një zëdhënës të ankesave të bazës së tij të mbështetësve.
Por ankesat e tij në lidhje me zgjedhjet – edhe pse ai është përpjekur t’i cilësojë ato si vjedhje të zgjedhjeve – janë në thelb vetëm për atë që ai e sheh si një fyerje personale ndaj tij, dhe jo si një kauzë kombëtare.
Sondazhet tregojnë se shumë republikanë besojnë se zgjedhjet e vitit 2020 ishin të manipuluara, dhe dëmi që do t’i sjellë kjo besimit tek demokracia në planin afatgjatë, është i rrezikshëm. Megjithatë në një të ardhme më të afërt, askush nuk do të mbetet aq i zemëruar personalisht për këtë sesa vetë Trump.
Disa ndjekës që e shihnin atë si një njeri që mund të sfidonte establishmentin, do ta shohin tani humbjen e tij si provë se politika është e pandryshueshme, dhe do të zhyten në apati apo do të shkëputen prej tij. Për të tjerët, humbja e Trump e bën atë një humbës. Ndaj ata do të kërkojnë tani “heronj” të tjerë.
Edhe pse ka humbur ndikimin në media, Trump mbetet në kontrollin e Partisë Republikane. Një pakicë e konsiderueshme e popullsisë e mbështet ende atë. Ai kryeson në sondazhet mbi votuesve e Partisë Republikane për kandidatin zyrtar të presidencialeve të vitit 2024. Republikanë të njohur si Kevin Mccarthy dhe Steve Scalise, bëjnë vazhdimisht pelegrinazh në rezidencën e Trump Mar-a-Lago për të forcuar pozitat e tyre. Komiteti i fushatës për republikanët e Senatit duket se shpiku një çmim enkas për Trump.
Edhe figura të tilla si Mitch Mcconnell dhe Nikki Haley, që e kritikuan ashpër Trumpin për ngjarjet e 6 janarit, kanë deklaruar se do ta mbështetin atë, nëse ai ishte do të ishte i nominuari për zgjedhjet e vitit 2024. Por ajo që zotëron Trump është fuqia negative – fuqia për të siluruar çdo republikan që nuk është dakord me të. Ai e ka humbur pjesën më të madhe të fuqisë së tij pozitive – aftësinë për t’i bërë gjërat të ndodhin, për të falur, dhe për të çuar përpara kauzat.
Problemi themelor për Trump është se pavarësisht përpjekjeve të tij më të mira po edhe atyre më të poshtra, ai nuk është më president. Ai thjesht nuk ka shumë rëndësi tani në SHBA. Kjo gjë i ndodh çdo presidenti sapo largohet nga detyra – madje edhe atyre si Bill Clinton, që largohen nga posti relativisht popullorë, në një kohë që Trump nuk ka qenë kurrë i tillë.
Përgjatë karrierës së tij politike, Trump ka vepruar sikur të jetë imun jo vetëm ndaj pasojave ligjore për veprimet e tij por edhe ndaj të gjitha rregullave tradicionale të politikës, dhe ka arritur të bindë shumë analistë se kjo është e vërtetë. Deri më sot, ai ka qenë i suksesshëm në shmangien e ligjit, por rregullat tashmë e kanë zënë mat. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al