Çfarë duhet të bëni që parfumi juaj të zgjasë 24 orë
Parfumi ka lindur me nevojën e njeriut për të patur gjithmonë erë të mirë, për të dominuar përmes dehjes dhe joshjes. Ka bashkëudhëtuar me të që nga lashtësia. Ka ardhur deri në ditët e sotme me një numër të pafund historish, miksurash, arritjesh dhe efektesh.
Më shumë se një status social, parfumi ka qenë dhe mbetet një element i fisnikërisë, bukurisë, sharmit, joshjes dhe stilit. Por e dini cilat janë sekretet e njerëzve që duken të parfumosur nga koka deri tek këmbët ? Living ju njeh me 4 sekrete dhe truke që do ju ndihmojnë që parfumi juaj të zgjasë deri ditën tjetër:
Mos eksperimentoni me aromat e ndryshme:
Parfum me aromë livandoje, krem trupi me përbërje të vajit të kokosit dhe shegës, deodorant me aromë myshku të bardhë etj etj. Nëse pretendoni se do të ruani të njëjtën aromë gjatë gjithë ditës, ndërkohë që keni aplikuar mbi tre produkte të ndryshme, e keni gabim. Kjo është edhe arsyeja që shumë ekspertë të kozmetikës këshillojnë që të mos eksperimentoni me aromat dhe fragrancat, por të jeni besnikë të një linje të vetme.
Një parfum për ditën dhe një parfum për natën:
E dimë, jo të gjithë kanë mundësinë t’i lejojnë vetes një koleksion të tërë parfumesh, e duhet të kufizohen tek blerja e një të vetmi. Megjithatë, ekspertët këshillojnë që një grua të ketë gjithmonë dy parfume në çantën e saj : një parfum të lehtë për pjesën e paradites, dhe një parfum më të fortë kryesisht për pasditen e mbrëmjen, dhe ditët e ftohta.
Hidhni parfum në lëkurë dhe jo mbi rroba:
Sa herë ju ka ndodhur të laheni me parfum nga koka deri tek këmbët? Mos thoni që kurrë, pasi e dimë që po gënjeni. Sipas ekspertëve të kozmetikës dhe parfumerisë, ky është një ndër gabimet më të shpeshta që bëjnë shumë njerëz. Kini parasysh, parfumi duhet sprucuar gjithmonë mbi lëkurë dhe veshje, madje që të zgjasë sa më gjatë, duhet ta hidhni atë jo vetëm tek kyçet e duarve dhe qafa, por dhe në zona të tjera të ndjeshme të trupit si pjesa pas gjunjve, kërthiza dhe mbrapa veshëve. Venat që gjenden afër veshit dhe pas gjunjëve krijojnë nxehtësi duke e bërë aromën e parfumit më të fortë. Kurse aplikimi i parfumit tek kërthiza e hidraton atë dhe sjell baraspeshën e duhur që aroma të zgjasë më shumë.
Mjaft fërkuat kyçet e duarve sa herë që hidhni parfum:
Ky është një nga ato truke që shpeshherë na rekomandojnë edhe shitëse të ndryshme, në dyqane parfumerie, në mënyë që të nuhasim sa më mirë aromën, pa e ditur që është tejet i kotë. Shmangeni këtë veprim pasi shpërbën dhe avullon molekulat e parfumit. Si rrjedhojë aroma nuk do të qëndrojë gjatë në trupin tuaj.