Çfarë duhet të bëjmë kur kemi rënie të sheqerit në gjak

Çfarë duhet të bëjmë kur kemi rënie të sheqerit në gjak

Ulja e nivelit të sheqerit në gjak shoqërohet me probleme të shumta shëndetësore, të cilat nuk shfaqen vetëm tek pacientët që vuajnë nga diabeti apo sëmundje të tjera, por edhe tek njerëzit e shëndoshë.

Mund të shfaqet në çdo kohë dhe moshë. Sipas bluzave të bardha kjo sëmundje ndodh në rastet kur niveli i sheqerit në gjak është shumë i ulët për të siguruar energjinë e mjaftueshme që i duhet trupit tonë për të kryer aktivitetet e përditshmërisë. Në shumë raste sëmundja shfaqet tek pacientët diabetikë të cilët nuk respektojnë sasinë dhe kohën e marrjes së insulinave apo medikamenteve të tjera me anë të cilave trajtohen.

Çfarë kuptojmë me hypoglicemi?

Hypoglicemia përbën një urgjencë mjekësore që ka të bëjë me nivelin e ulët të glukozës (sheqerit) në gjak nën normat e lejuara. Hypoglycemia mund të prezantohet me një shumëllojshmëri shenjash klinike, por problemet kryesore kanë të bëjnë me furnizimin e pamjaftueshëm të trurit me glukozë, gjë e cila çon në dëmtim të funksionit të tij (neuroglykopenia).

Situata mund të degradojë deri në gjendje të fikëti, humbje ndjenjash dhe rrallë deri në dëmtim të përhershëm të trurit ose edhe vdekje. Zakonisht hypoglicemia rrjedh si një komplikacion (ndërlikim) i pacientëve me diabet sheqeri (diabetus mellitus) që trajtohen me insulina, apo edhe me terapi medikamentoze nga goja.

Në personat jo diabetikë, hypoglicemia është më pak e zakonshme dhe mund të ndodhë në çdo moshë. Nivelet e ulëta të glukozës në gjak për të përcaktuar hypogliceminë janë të ndryshme për persona të ndryshëm dhe në rrethana të ndryshme.

Cilët janë shkaktarë më të shpeshtë të hypoglicemisë?

Siç e thamë edhe më sipër personat më të predispozuar janë diabetikët. Prandaj shkaktarë mund të jenë përdorimi jo i saktë i insulinave apo i medikamenteve antidiabetikë, mosrespektimi i kohës së marrjes dhe sasisë së duhur. Gjithashtu ka të bëjë me konstruktin fizik të pacientit, me mënyrën e ushqyerjes, por edhe me historinë familjare për këtë çrregullim. Edhe sëmundje të tjera mund të japin hypogliceminë, sidomos ato malinje. Prandaj, në këto raste duhet trajtimi fillimisht i sëmundjes primare.

Cilat janë shenjat më të shpeshta klinike?

Shenjat klinike mund të jenë nga më të butat e deri më të rënda. Zakonisht hypoglicemia paraprihet nga gjendje ankthi, nervozizmi, takikardia (rrahje të shpeshta të zemrës), djersitja, ndjesia e ngrohjes së trupit dhe pastaj e ftohjes, zbehje, zgjerimi i bebes së syve (mydriasis), parehati e barkut, të përziera, e të vjella.

Ndërsa ulja e sheqerit në gjak përparon, shenjat e mësipërme thellohen, por kemi edhe gjendje depresioni (qajnë pa shkak), çrregullime gjykimi, mpirje ose shpime si gjemba i gjymtyrëve, paqëndrueshmëri emocionale, dobësi e përgjithshme, apati, marrje mendsh, pastaj fillojnë çrregullimet e pamjes (paqartësi, vizion i dyfishtë). Këto pasqyrojnë çrregullimet e furnizimit më glukozë të trurit që mund të shkojë deri në paraliza, çrregullime të aktit të frymëmarrjes, gjendje kome, çrregullime të kujtesës. Manifestime të veçanta mund të ndryshojnë sipas moshës, ashpërsisë së hypoglicemisë si edhe shpejtësisë së rënies së sheqerit në gjak.

Si shfaqet sëmundja tek fëmijët?

Për shembull në fëmijët e rritur (kryesisht adoleshentët) çrregullimet e sjelljes nga hypoglycemia ngjajnë me ato te drogës, të dehjes nga alkooli apo edhe me sëmundjet mendore. Tek të porsalindurit mund të kemi irritabilitet të gjendjes së përgjithshme, cianozë (nxirje e buzëve dhe anësive), shpeshtim të frymëmarrjes, refuzim të ushqyerjes, djersitje, hipotermi (temperatura të ulëta të trupit).

Po tek të moshuarit çfarë ndodh ?

Tek të moshuarit hypoglicemia mund të prodhojë efektet e një rraskapitjeje të thellë ose si një goditje shokante. Edhe tek i njëjti person klinika ndryshon nga episodi në episod (kur kemi përsëritje të episodeve hypoglicemike). Në të shumtën e rasteve shenjat klinike ngjajnë me ato të gjendjeve asfiktike ose të sëmundjeve të zemrës. Kur ndodh tek diabetikët, ata marrin menjëherë masa sapo shfaqen shenjat e para. Si të thuash, janë mësuar me këto situata dhe fusin shpejt diçka të ëmbël në gojë. Përgjithësisht diabetikëve (edhe pse karakterizohen nga nivele të rritura të sheqerit në gjak) u thuhet të mos dalin pa pasur në xhep dy biskota apo një bustinë sheqeri. Hypogilcemia mund të ndodhë gjithashtu edhe kur jemi duke fjetur.

Familjarët vënë re shtratin dhe çarçafët e lagur me djersë. Pasi individi zgjohet ndihet i lodhur, i hutuar ose edhe i nervozuar. Në rastet kur hypoglycemia është e thellë, ajo mund të shkaktojë humbje ndjenjash dhe deri në dëmtime të pakthyeshme të trurit. Përsa i përket dëmeve afatgjata, si rezultat i hypoglicemive të shpeshta, rreziku më i lartë është për sëmundjet kardiovaskulare (zemra dhe enët e gjakut).

Si trajtohen hypoglicemitë?

Siç e thashë edhe më sipër hypoglicemia përbën një urgjencë mjekësore dhe situata duhet zgjidhur menjëherë. Personat që vuajnë nga diabeti janë të ambientuar me këto situata.

Rehabilitimi synon ngritjen e sheqerit në gjak në vlerat normale përmes gëlltitjes së karbohidrateve që mund të jenë në formën e sheqerit ose të lëngjeve të frutave (për shembull rreth 150 ml lëng rrushi ose portokalli). Situata fillon të përmirësohet brenda pesë minutave por përmirësimi i plotë arrihet pas 20 minutash.

Pastaj duhet një kontroll i plotë i organizmit për të përcaktuar shkakun e vërtetë të hypoglicemisë (sidomos në personat që shfaqet për herë të pare). Konsultat me mjekun endokrinolog do të përcaktojnë edhe mënyrën e ushqyerjes si edhe aktivitetin fizik të domosdoshëm.

Krizat e hypoglicemisë

Kriza e hypoglicemisë paraprihet nga një dobësi e papritur, me djersë dhe marramendje. Por, ajo mund të shfaqet dhe me zverdhje në fytyrë, dhimbje koke dhe paaftësi për t’u përqendruar.

Arsyeja gjithnjë është po ajo, mungesa e sheqerit në gjak. Sheqeri përbën karburantin kryesor në organizëm. E marrë nëpërmjet ushqimit, ai është i nevojshëm për funksionimin e mirë te qelizave, veçanërisht ato të trurit. Ja pse ka një rënie të energjisë dhe një ndjesi se nuk ndjehesh mirë kur kemi mungesë sheqeri në gjak. Përqendrimi i sheqerit në gjak rregullohet vazhdimisht nëpërmjet dy hormoneve: “glukagon” dhe insulina.

Shkaktarët

-Marrja e më shumë sasie insulinë po tableta të tjera.

-Mosndjekja e orareve të rregullta të ngrënies, ose marrjes së ilaçeve.

-Ngrënia me vonesë ose mosngrënia e vakteve siç duhet.

-Marrja e ushqimeve të pamjaftueshme, sidomos karbohidrateve.

-Kryerja e aktiviteteve të paplanifikuara, ose sfilitëse.

-Konsumimi i tepërt i alkoolit, ose konsumimi i tij pa ushqim.

-Ndonjëherë nuk ka ndonjë shkak të dukshëm.

Simptomat më të shpeshta

-Në shumë raste pacientët kanë shenja paralajmëruese kur bie niveli i sheqerit

-Ndihen të uritur

-Dridhen dhe lëkunden

-Humbje ekuilibri, të vjella

-Djersitje e vazhdueshme

-Kanë ankth dhe irritim

-Zbehje, zgjerimi i bebes së syve

-Shfaqet ndjesia e ngrohjes së trupit dhe pastaj e ftohjes

-Kanë puls ose rrahje zemre të shpejta

-Shfaqet me pickim të buzës dhe shikim të turbullt

-Vështirësi në përqendrim, sjellje irrituese

-Ndjehen të turbullt dhe konfuz, etj

Kur sëmundja ndodh teksa jemi në gjumë

Ndonëse në raste më të pakta rënia nivelit të sheqerit në gjak mund të ndodhë edhe gjatë natës teksa ne jemi në gjumë. Në të tilla raste ndërlikimet janë më të lehta dhe shpesh herë kalojnë me një lodhje të përgjithshme të cilën e ndjejmë kur zgjohemi.

“ Mund të ndodhë që hypoglicemia t’ju zgjojë, por nëse nuk ndodh ka mundësi që kur të zgjoheni të ndiheni shumë i lodhur, me dhimbje koke ose me një ndjenjë sikur keni pirë një natë më parë”, sqarohet nga mjekët. Megjithatë në rastet kur ndodh kjo është mirë që të hani diçka gjatë orëve të natës në mënyrë që të balancohet edhe niveli i sheqerit në gjak.

Alkooli i tepërt pakon sasinë e sheqerit në gjak

Gjithashtu edhe konsumi i shumtë i alkoolit ose pirja me stomakun bosh, ka shumë të ngjarë të shkaktojë hypoglicemi. Shenjat në këtë rast janë shumë të ngjashme me ato të qenurit i dehur. Gjithnjë merrni diçka për të ngrënë, nëse po pini alkool.

Shpërndaje në: