Çështja e Urës së Ibrit e tensionet në veri, çka tha zyrtari i NATO-s gjatë vizitës në Kosovë
Ndihmës-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacione, Thomas Goffus, qëndroi të enjten në Kosovë, ku pati takime me krerët e shtetit.
Në këto takime, Goffus, bisedoi edhe për çështjen e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën në pjesën e jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të veriut, e banuar me shumicë serbe.
Ai më vonë gjatë një interviste në televizionin publik tha se veprimet e pakoordinuara, posaçërisht në veri të Kosovës, mund të rrisin rrezikun e dhunës, e cila cenon sigurinë e të gjithë njerëzve në vend dhe rrezikon trupat e KFOR-it.
“Gjatë vitit të kaluar ne kemi rritur numrin e trupave në Kosovë, në mënyrë që të adresojmë fatkeqësisht një ambient më sfidues të sigurisë dhe rishfaqjen e tensioneve. Kjo tregon edhe një herë përkushtimin e shpejtë të aleatëve të NATO-s dhe partnerëve që ta ruajnë sigurinë përgjatë Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi”, tha Goffus.
Ai tha se shtimi i trupave ushtarake, i domosdoshëm momentalisht, nuk është zgjidhje për një paqe afatgjate në Kosovë, zgjidhja është politike.
“Është esenciale që edhe Prishtina edhe Beogradi të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për të zgjidhur çështjet e mbetura. Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjitha palëve, të implemtentojnë marrëveshjet e arritura pa vonesë. Siç i kemi parë veprimet e papritura dhe të pakoordinuara, posaçërisht në veri të Kosovës, mund të rrisin rrezikun e dhunës, e cila cenon sigurinë e të gjithë njerëzve në Kosovë, dhe rrezikon trupat e KFOR-it”, tha ai.
Guffus shtoi se kjo e rëndon shqetësimin e NATO-s dhe partnerëve për stabilitetin e rajonit dhe Kosovës dhe sigurinë e trupave të saj. Ai tha se ushtarët e KFOR-it mbesin të përkushtuar në detyrë, posaçërisht në veri të Kosovës, me patrullime të rregullta dhe duke monitoruar për së afërmi situatën në terren.
“Ata po punojnë pa pushim për ta mbajtur situatën të qetë, duke implemetuar mandatin e OKB-së. Këtë ua kam thënë të gjithëve me të cilët kam biseduar, që është e rëndësishme të ketë koordinim me NATO-n për një sërë çështjesh përfshirë urën e Ibrit.
Ndërkaq, në një njoftim të Presidencës, pas takimit të Osmanit me Ndihmës Sekretarin Goffus thuhet se presidentja ka deklaruar se Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me NATO-n dhe KFOR-in për adresimin e sfidave në fushën e sigurisë.
Osmani e përsëriti gjatë takimit se autoritetet kosovare duhet të konsultohen dhe koordinohen me NATO-n në veçanti për ndërtimin e një plani të përbashkët për hapjen e urës për qarkullim edhe të automjeteve, sipas njoftimit.
“Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin për hapjen e urës, porse ka potencuar rëndësinë e mirëmbajtjes së komunikimit, koordinimit dhe thellimit të bashkëpunimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, për hartimin e një plani të përbashkët të zbatimit për hapjen e urës”, thuhet në njoftim.
Osmani e ka cilësuar hapjen e urës si një veprim “në funksion të normalizimit dhe integrimit në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie”.
Për takimin me zyrtarin e NATO-s ka njoftuar edhe Kryeministri Albin Kurti.
Në këtë postim, Kurti nuk e ka përmendur fare çështjen e urës së Ibrit, ndonëse dje deklaroi se në takimin me të dhe kryediplomatët që do të vijnë në vend javën e ardhshme do të diskutohet për planin për hapje, shkruan Reporteri.net.
Kurti ka thënë se së bashku me NATO-n e miqtë e aleatët, “mbetemi të përkushtuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon, teksa e rrisim bashkëpunimin e ngushtë e të rregullt me njëri-tjetrin”.
“Sundimi i rendit e ligjit mbeten parësore. Do të vijojmë pareshtur të mbrojmë qytetarët e territorin, sovranitetin dhe demokracinë, pavarësinë dhe lirinë, si dhe progresin e prosperitetin tone”, ka shkruar Kurti.