Çerkini: Jemi shumë të zhgënjyer me institucionet vendore e veçmas ndërkombëtare
Kryetari i Qendrës Burimore për Persona të Pagjetur, Bajram Çerkini ka thënë se janë të zhgënjyer dhe të pakënaqur me punën e institucioneve vendore e ndërkombëtare për ndriçimin e fatit të personave të pagjetur.
Ai ka thënë se faj për ketë çështje ka edhe Brukseli e ndërkombëtarët.
“Miliona njerëz sot lëshojnë lot dhe presin çka është duke ndodhur, ku edhe sot e kësaj dite ka të pagjetur. Kur them fëmijë, 133 nëna sot qesin më shumë lot se sot një vit. Sa kemi bërë për zbardhjen e fateve të pagjetur ne si familjarë jemi shumë të zhgënjyer. Jemi jo të kënaqur me institucionet vendore e ndërkombëtare, se fajin e ka Brukseli ku ndërkombëtarët nuk japin urdhër që ata që dinë të na tregojnë ku janë më të dashurit tanë. Nuk e dimë si munden që të mos gjejnë gjuhë të përbashkët 25 vite për të pagjeturit”, ka thënë ai.
Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur janë bërë homazhe në oborrin e Kuvendit të Kosovës, te përmendorja dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.Krahas liderëve institucional, homazhe kanë bërë edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, udhëheqës e përfaqësues të shoqatave të familjarëve të personave të zhdukur me dhunë.Më 30 gusht shënohet Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Zhdukjeve me Forcë.
Mbi 1,600 persona konsiderohen ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, përderisa familjarët janë ende në pritje të zbardhjes së fatit të tyre.Më 2 maj 2023, pas miratimit të Deklaratës për personat e zhdukur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Bashkimi Evropian e ka publikuar përmbajtjen e kësaj deklarate ku thuhet se të dyja palët kanë njohur çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare dhe kanë vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë./kallxo/