Çelja e negociatave me BE, momenti më domethënës i vitit 2024; Anëtarësimi brenda kësaj dekade
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, gjatë konferencës së fundvitit, ka bërë një rezyme të zhvillimeve më të rëndësishme të 2024, duke theksuar se cilat do të jenë prioritetet e kryesore për vitin e ri.
Ai e cilësoi moment tejet domethënës për vitin që lëmë pas, çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian duke theksuar rëndësinë e grupkapitujve kryesorë si themeloret dhe marrëdhëniet me jashtë.
Një tjetër arritje tjetër e rëndësishme për këtë vit, sipas Ramës, është dalja e Shqipërisë nga faza e monitorimit të plotë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, pas 29 vitesh.
Kryeministri shprehu optimizmin se Shqipëria do të bashkohet me BE-në brenda kësaj dekade.
“Një zhvillim i rëndësiashëm çelja e negociatave për anëtarësim në BE, praktikisht të dy grupkapitujve shumë të rëndësishëm duke nisur që nga themeloret që janë grupi i grupeve dhe pastaj edhe marrëdhëniet me jashtë. Është me rëndësi të theksoj këtu diçka që e keni dëgjuar, që ky proces i jashtëzakonshëm për nga volumi i punës intensiteti dhe cilësia do ishte i pamundur nëse një skuadër e madhe kombëtare e Shqipërisë, me qindra e qindra punonjës të administratës, nuk do kishin bërë më parë punën e shkëlqyer me screening.
Këtë vit, edhe ky është fakt domethënës, edhe pse nuk jam ndjekës i rregullt i lajmeve, nuk ka bërë bujën e duhur, Shqipëria ka dalë pas 29 vitesh nga faza e monitorimit të plotë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Nuk jemi vend nën monitorim të plotë, por si gjithë ato vende që duam dhe do bashkohemi në BE brenda kësaj dekade. Shqipëria është bërë nxitësi dhe ia ka dalë të shtyjë dhe të bëjë të mundur duke u futur në bashkëpunim edhe me vende të tjera të rajonit.
Jo vetëm një dialog i pandodhur më parë mes KE , vendeve anëtare dhe vendeve kandidate, nga ku doli si rezultat konkret plani i ri i rritje si BE në mbështetje të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Do thithim 1 mld euro plus dhe kemi dritën jeshile për tu bashkuar me familjen europiane në disa segmente të funksionimit të Europës së Bashkuar. Që nga 21 nëntori, falë planit të rritjes, shqiptarët në gjithë botën që bëjnë transferta parash nga zona e BE drejt Shqipërisë nuk do kenë më asnjë komision ekstra për transfertat, se Shqipëria është zyrtarisht anëtare e SEPA”, tha Rama.