Ç’duhet të dini para se të bëni një pastrim fytyre
Të paktën 1 herë në muaj, fytyra duhet pastruar në thellësi për t’u rigjeneruar dhe për të hequr toksinat prej saj. Gjithsesi, jo çdo lloj pastrimi ju përshtatet, prandaj informacioni është i rëndësishëm. Ç’duhet të keni parasysh e gjeni më poshtë.
Lëkurë me akne. Do dalin puçra të tjera?
Qëndroni larg scrub-eve agresive që mund të shkaktojnë puçra. Përdorni larës me kokrriza me acid glikolik apo salicilik në përbërje. Ai do të largojë gjithë qelizat e vdekura që ju shkaktojnë puçrat e bezdisshme.
Lëkurë normale
Normale zakonisht do të thotë mikse: zona-T e yndyrshme dhe faqe të thata. Juve ju duhen përbërës me sodë buke në përmbajtje. Përziejeni me më pak ujë në zonën-T për të patur fërkim më të madh me lëkurën dhe më shumë ujë tek faqet, ku lëkura është e thatë dhe nuk doni ta acaroni më shumë. Përsëriteni këtë proces 2-3 herë në javë.
Lëkurë e thatë. Do ta rrjepë scrub-i?
Jo. Në fakt scrub-i do ta ndihmojë lëkurën ta thithë deri në thellësi hidratantin. Por përpiquni të përdorni scrub-e të lehta, jo shumë të ashpra ndaj lëkurës. Aplikojeni çdo 2-3 ditë, pasuar nga një hidratant që ju pëlqen.
Lëkurë e ndjeshme
Scrub-et e forta ndalohen kategorikisht, por mund të përfitoni nga produktet e buta, që qëndrojnë pak në fytyrë dhe kanë aftësi pastruese. Përdorni një larës ose tonik të pasur me enzima frutash ose bimore, 2 herë në javë, për të pastruar butësisht në thellësi.
Në mëngjes apo në darkë?
Të dyja rastet janë OK, por nëse përdorni produkte me vitaminën A në përbërje, bëjeni para se të flini për efektivitet më të lartë.
Po nëse lëkura reagon keq?
Përdorni hidrokortizon 1% për të reduktuar skuqjet e lëkurës dhe ndryshoni larësin dhe hidratantin me një më të lehtë, derisa lëkura të qetësohet.
Përdorimi i scrub-it të trupit për fytyrën
Jo. Scrub-i i trupit është agresiv, krijuar për lëkurë më të trashë siç është ajo nga qafa e poshtë.
Duhet shmangur zona e syve?
Ka disa lloje pastruesish që janë enkas për zonën delikate të syve. Sigurohuni të kontrolloni gjithnjë etiketat dhe mos përdorni asnjëherë scrub.