Çartet Klopp: Është çmenduri sa shpejt po i gjykojnë Nunezin dhe Haalandin

Çartet Klopp: Është çmenduri sa shpejt po i gjykojnë Nunezin dhe Haalandin

Darwin Nunez u transferua në Liverpool dhe u kritikua për stërvitjet dhe më pas për humbjen e një shansi në humbjen parasezonale të Liverpool nga Manchester United në Bangkok (0-4).

Kaloi pak kohë dhe Darwin shënoi në debutimin e tij në Premier League kundër Fulham.

Trajneri gjerman, Jurgen Klopp i është rikthyer temës në një intervistë për kanalin Sky Sports, duke besuar se kritikët kanë qenë shumë të shpejtë për të gjykuar uruguaianin, por edhe norvegjezin Erling Haaland.

“Pesë javë më parë, kur filluam para-sezonin dhe ai pati ndeshjen e tij të parë, nuk dukej mirë për të huajt, por jo për ne. Është çmenduri sa shpejt i gjykojmë njerëzit… wow! Imagjinoni sikur dikush të na bënte këtë: ‘Ditën e parë në punë, nuk funksionoi. Shko në shtëpi, mos u shfaq më kurrë, nuk ka shanse të dyta’”, theksoi ai.

“Tani të gjithë shohin ‘ah po, ai është një sulmues i vërtetë’. Mirë për të dhe mirë për ne. Siç thashë, ai është një sulmues ndryshe nga ai që kishim ne, por është fizikisht shumë i fortë dhe teknikisht shumë i mirë”, shtoi ai.

Haaland bëri debutimin e tij në City kundër Liverpool-it, në Superkupën/Community Shield. Ai nuk realizoi dhe mori kritika, por që atëherë ai ka shënuar dy gola në Premier League: “Është qesharake, ne mundëm Cityn një javë para fillimit të ligës dhe njerëzit thjesht pyesnin nëse do të shënonte ai. Një javë është si 10 vjet në futboll!”.

Shpërndaje në: