Capello e zbulon një histori interesante me Berlusconin dhe Ronaldon
Fabio Capello e ka kujtuar sot presidentin legjendar të Milanit, Silvio Berlusconi, i cili ndërroi jetë në moshën 86 vjeçare.
Trajneri i njohur italian ndërkohë e ka kujtuar një rast që kishte ndodhur para më shumë se 15 vjetësh, kur Milani e kishte transferuar brazilianin Ronaldo.
Capello në atë kohë ishte trajner i “Los Blancos”, ndërsa “Rossoneri” e kishin transferuar Ronaldon në afatin kalimtar të janarit.
“Në vitin 2007 po e drejtoja Real Madridin dhe ma kërkoi Ronaldon. I thash se ishte më i forti lojtar më të cilin kisha punuar ndonjëherë, por që tashmë s’e kishte më dëshirën e njëjtë dhe se tashmë do ta shisnim në Arabinë Saudite. Të nesërmen, Ronaldo ishte lojtar i Milanit”, deklaroi trajneri italian.
Ronaldo kishte luajtur me sukses në San Siro deri në lëndimin e tij të rëndë, pas së cilit u largua nga Kuqezinjtë dhe u rikthye në Brazil për t’i luajtur vitet e fundit të karrierës.