Campbell: Zgjedhja e Vances nga Trumpi, shqetësuese për Ukrainën

Campbell: Zgjedhja e Vances nga Trumpi, shqetësuese për Ukrainën

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i cili do të garojë sërish në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, zgjodhi senatorin e Ohajos, J.D. Vance, kandidat për zëvendëspresident.

W. Joseph Campbell, profesor i komunikimeve në Universitetin Amerikan, thotë për Radion Evropa e Lirë se Vance ka qenë shumë kritik ndaj ndihmës së SHBA-së për Ukrainën dhe se zgjedhja e tij dërgon një sinjal për politikat që mund t’i ndjekë Trump ndaj Ukrainës, nëse fiton.

Campbell thotë se zgjedhja e Vances – edhe pse ka qarkulluar si emër – ishte e befasishme, për faktin se ai ishte kritik i Trumpit.

Trump u konfirmua të hënën zyrtarisht si kandidat i Partisë Republikane në zgjedhjet e 5 nëntorit. Kundërkandidat i tij do të jetë presidenti aktual i SHBA-së, Joe Biden.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Campbell, Donald Trump zgjodhi J.D. Vancen kandidat për zëvendëspresident – një senator 39-vjeçar, i cili është në detyrë vetëm për pak më shumë se dy vjet. Përse J.D. Vance?

W. Joseph Campbell: Sipas meje, Trump mendon se kjo është një zgjedhje brezash, që duke zgjedhur dikë kaq të ri në krahasim me veten – meqë ai është në fund të të 70-tave – programi MAGA (Ta bëjmë Amerikën sërish të madhe) që Trump ka përkrahur nga viti 2015, do të vazhdojë të jetojë edhe pas largimit të tij nga skena politike.

Vance është një zgjedhje jofrymëzuese, meqë është një senator i ri. Ai vjen nga shteti i Ohajos, i cili është bërë shumë më i kuq [v.j. më republikan] në ciklet e fundit zgjedhore.

Unë nuk jam i sigurt se ai e ndihmon shumë Trumpin në Ohajo, apo nëse ka efekt të përhapur në shtetet e tjera si Pensilvania ose Miçigeni, që kufizohen me Ohajon. Ato janë shtete shumë të rëndësishme për sa i përket kolegjit zgjedhor, por nuk mendoj se votuesit e pavarur e të pavendosur do ta shohin këtë përzgjedhje si shumë frymëzuese.

Për mua, zgjedhje më e mirë do të ishte Glenn Youngkin, guvernator i Virxhinias, i cili është në detyrë tash e disa vite. Ai edhe do ta ndihmonte Trumpin në atë shtet.

Youngkin nuk është 39 vjeç, por nuk është as i vjetër. Kështu që unë mendoj se do të ishte një zgjedhje më e mirë në përgjithësi.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni, atëherë, se kjo është një shenjë se Trump beson se do të fitojë dhe, për këtë arsye, ai ka mundur të zgjedhë dikë që jo domosdoshmërisht do ta rrisë numrin e votave për të?

W. Joseph Campbell: Emri i Vances ka qarkulluar për kohë të gjatë si një nga kandidatët e mundshëm për zëvendëspresident, andaj nuk është emër i ri dhe nuk është befasi e madhe.

Duke qenë se emri i tij ka kohë që qarkullon, unë mendoj se Trump e sheh Vancen si një lloj zgjedhjeje të sigurt për bazën republikane.

Por, unë gjithashtu mendoj se Vance është dikush që është paksa i paparashikueshëm – të paktën në të kaluarën e tij të afërt. Ai nuk ka qenë mbështetës i Trumpit kur Trump ka hyrë në garë në vitin 2016, për shembull. Madje, mendoj se ai ka deklaruar se nuk do të jetë kurrë mbështetës i tij.

Kjo e kaluar e tij, mendoj se e bën këtë zgjedhje paksa befasuese, sepse Donald Trump është dikush që mban mëri. Ai dihet se mban mëri me vite të tëra.

Radio Evropa e Lirë: Si do ta përshkruanit Vancen si politikan? Cilat janë pluset e tij? Cilat janë minuset e tij? A është rinia e tij plus?

W. Joseph Campbell: Mendoj se mosha e tij është, sigurisht, një plus. Ai vjen nga një shtet i rëndësishëm republikan dhe ky është një plus – jo se Trump ka shumë shqetësime për të mbajtur Ohajon në nëntor, por, megjithatë, kjo e ndihmon për ta çimentuar bazën e tij.

Duket se ai flet mjaft mirë, është i artikuluar. Është autor i një libri shumë të shitur për jetën e tij. Mendoj se do t’ia dalë shumë mirë në debate – le të themi kundër Kamala Harrisit [zëvendëspresidentes aktuale].

Por, nuk e di. Nominimet për nënpresidentë, zakonisht, nuk i ndryshojnë votat në një mënyrë ose në tjetrën. Nuk kanë efekt të madh në vota.

Sarah Palin, e cila ishte zgjedhja e John McCainit në vitin 2008, mund të jetë një përjashtim, sepse u prit aq negativisht. Por, në përgjithësi, kandidatët për nënpresidentë nuk janë një ndihmë e vërtetë për biletën presidenciale.

Radio Evropa e Lirë: Nëse jeni një udhëheqës evropian, Emmanuel Macron apo Volodymyr Zelensky, dhe sapo e keni parë këtë zgjedhje… çfarë po mendoni?

W. Joseph Campbell: Mendoj se Zelensky do të jetë shumë i shqetësuar për këtë zgjedhje. Vance nuk ka një vlerësim të lartë për vazhdimin e ndihmës për Ukrainën. Dhe, kjo duhet të jetë pak shqetësuese, sepse mund të sinjalizojë atë që Trump e mendon në të vërtetë për ndihmën për Ukrainën, nëse ai e fiton presidencën.

Por, sigurisht, amerikanët në përgjithësi janë më nervozë për luftën në Ukrainë. Ajo vazhdon për më shumë se dy vjet dhe po arrin në një pikë ku njerëzit po pyesin: për çfarë po i shpenzojmë gjithë këto para dhe çfarë po marrim në këmbim? Pra, Vance është disi në këtë kamp, dhe do të jetë një shqetësim i vërtetë – jam i sigurt – për disa liderë evropianë, sidomos Zelenskyn.

Nuk mendoj se Vance ka kredenciale të mëdha të politikës së jashtme, por, në fakt, kjo nuk është kërkesë për një kandidat për zëvendëspresident.

Duhet të kthehemi prapa në histori për të gjetur një kandidat për nënpresident, i cili ka qenë vërtet i përfshirë në politikën e jashtme. George H.W. Bush për Ronald Reaganin në vitet ‘80 ka qenë një shembull, ndoshta.

Radio Evropa e Lirë: Sa u përket njerëzve që do t’i zgjidhte për administratën e tij, a jep kjo një lloj aluzioni se Trump nuk do të shkojë me njerëz nga establishmenti, se ndihet më i sigurt kësaj radhe?

W. Joseph Campbell: Mendoj se ky mund të jetë rasti. Është, po ashtu, e qartë se shumë njerëz që kanë punuar për Donald Trumpin – shumë njerëz nga establishmenti siç e thatë edhe ju – nuk kanë kaluar mirë. John Bolton është një shembull. Ai ka pasur kredenciale shumë të mira në politikën e jashtme, por nuk ka pasur përvojë të mirë me Trumpin.

Radio Evropa e Lirë: Pra, mendoni se do të shohim shumë të ashtuquajtur MAGA-njerëz në administratë? Dhe, a është kjo diçka që duhet t’i shqetësojë partnerët, aleatët e NATO-s?

W. Joseph Campbell: Mund të ndodhë. Sigurisht, nëse Trump i fiton zgjedhjet. Ky cikël zgjedhor, më 2024, ka qenë plot drama dhe paparashikueshmëri. Dhe, është vështirë të thuhet nëse do të kemi një rund të ri befasish, siç kemi pasur në dy ose tri javët e fundit.

Mendoj se duhet të jemi vigjilentë për çdo lloj befasie në fund të verës, në tetor, në fillim të nëntorit. Me siguri do të ketë diçka që mund ta ndikojë sërish diskursin në këto zgjedhje.

Por – që t’i përgjigjem pyetjes suaj – unë mendoj se ka të ngjarë që Trump të sjellë në administratën e tij, nëse fiton, shumë mbështetës që ndajnë filozofitë e tij, pikëpamjet e tij dhe qëndrimet e tij politike.

Sigurisht, është e vështirë të thuhet se cilët janë ata kandidatë të mundshëm. Por, nuk mendoj se do të shohim përsëri në administratë njerëz si Bill Barr. Ai ka qenë Prokurori i Përgjithshëm në pjesën e fundit të viteve të Trumpit. Unë dyshoj se do të kthehej edhe për një rund tjetër.

Shpërndaje në: