Caktimi i datës së zgjedhjeve të përgjithshme, çka thuhet në letrën që Osmani u dërgoi dje liderëve të partive

Caktimi i datës së zgjedhjeve të përgjithshme, çka thuhet në letrën që Osmani u dërgoi dje liderëve të partive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u është drejtuar me një letër dje liderëve të partive në vend, të cilët i ka ftuar për takim konsultativ për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme në vend.

Në media u publikua mbrëmë edhe letra e Osmanit. Fillimisht Osmani sqaron procedurat siç parashihen me Kushtetutë dhe Ligjin për Zgjehjet e Përgjithshme, ku i njofton se ka filluar faza brenda së cilës mund të nisin konsultimet.

Ajo i ka ftuar liderët e partive për takim më 31 gusht, në orën 14:00.

“Përmes kësaj letre, po ju drejtohem lidhur me konsultimin e përbashkët për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 66 (2) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenein 5 (2) të Ligjit Nr. 08/L -228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës (“Ligji”), zgjedhjet e rregullta për Kuvend, duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 Janar-16 Shkurt 2025. Rrjedhimisht, në pajtim me përcaktimet e Kushtetutës dhe Ligjit, sot më 26 korrik, fillon zyrtarisht faza brenda së cilës mund të zhvillohen konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën S301, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e Osmanit.

Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave. Partia e dytë ishte PDK, e treta LDK, kurse e katërta AAK. Partia e Fatmir Limajt nuk kishte arritur ta kalonte pragun zgjedhor.

Vetëvendosje kishte fituar zgjedhjet në koalicion me Partinë “Guxo” e themeluar nga Vjosa Osmani, e cila tash është Presidente e Republikës.

Shpërndaje në: