Cakolli: Në mes të javës së ardhshme mund të certifikohen Rezultatet e zgjedhjeve

Cakolli: Në mes të javës së ardhshme mund të certifikohen Rezultatet e zgjedhjeve

Eugen Cakolli nga DnV ka reaguar lidhur me vendimet e PZAP-së për ankesat e subjekteve politike, i cili tha se ankesat nuk ishin të mbështetura në prova të mjaftueshme dhe nuk përmbushnin kriteret ligjore për të justifikuar rinumërim apo anulim votash.

Ai shpjegon procedurat se çka ndodh pas vendimeve të PZAP, sipas Cakollit “subjektet politike kanë 48 orë nga pranimi i vendimit të PZAP për të ushtruar të drejtën e tyre për apelim në Gjykatën Supreme. Kjo e fundit ka 96 orë për të shqyrtuar dhe vendosur mbi këto ankesa”.

Prandaj, ai pohon se, “rezultatet do të mund të certifikohen më së largu në mes të javës së ardhshme”.

Postimi i tij i plotë:

PZAP-ja ka refuzuar të gjitha ankesat e parashtruara nga subjektet politike që kundërshtonin rezultatet zgjedhore apo kërkonin ndërhyrje në proces. Sipas vendimeve, ankesat nuk ishin të mbështetura në prova të mjaftueshme dhe nuk përmbushnin kriteret ligjore për të justifikuar rinumërim apo anulim votash.

Është tejet e rëndësishme që pretendimet për parregullsi duhet të mbështeten në prova bindëse dhe jo vetëm në hamendësime, supozime, trende apo përqindje të larta votash për ndonjë kandidat.

Tashmë, sipas procedurave ligjore, subjektet politike kanë 48 orë nga pranimi i vendimit të PZAP për të ushtruar të drejtën e tyre për apelim në Gjykatën Supreme. Kjo e fundit ka 96 orë për të shqyrtuar dhe vendosur mbi këto ankesa.

Duke ndjekur dinamikën e deritanishme, nëse paraqiten ankesa në Supreme – me supozimin se as ajo nuk do të dalë përtej argumentimit të PZAP-së – rezultatet do të mund të certifikohen më së largu në mes të javës së ardhshme./Periskopi/

Shpërndaje në: