Çadraku: Gjatë periudhës mars-gusht 1998 s’kam pasur kontakt me Shtabin e Përgjithshëm, Veselin e kam njohur në nëntor

Çadraku: Gjatë periudhës mars-gusht 1998 s’kam pasur kontakt me Shtabin e Përgjithshëm, Veselin e kam njohur në nëntor

Dëshmitari Halil Çadraku, gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se gjatë periudhës mars-gusht 1998 nuk ka pasur kontakt me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ndërsa, Kadri Veselin tha se e ka takuar për herë të parë në nëntor të atij viti.

“Unë nuk kam pas kontakt me Shtabin e Përgjithshëm pavarësisht se në ato turnet e mia që kemi mbajtur dhe ardhur në Shqipëri e ardhur nga Shqipëria në Kosovë, ka mundur në mesin e ushtarëve që të ketë edhe anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, por që unë atëherë edhe nuk i kam njohur”, tha Çadraku.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Veselit, Rodney Dixon, dëshmitari tha se në atë kohë nuk e dinte se kush ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm përveç 10-shit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Të vetmin kontakt që e kam pasur kur kam shkuar në Likoc, e dija se ‘dhjetëshi’ është pjesë e Shtabit të Përgjithshëm. Nuk e dija që ishte Rexhep Selimi”, tha Çadraku.

Dëshmitari pohoi se në atë kohë nuk e dinte se çfarë roli kishte Kadri Veseli pasi që as nuk e njihte. Tha se nuk kanë pasur asnjë kontakt me njëri-tjetrin para luftës e as në kohën kur dëshmitari ishte në Zvicër.

“Do të isha shumë krenar po t’i njihja, por nuk e kam njohur Kadri Veselin para luftës, në Zvicër sa kam qëndru”, tha dëshmitari.

Çadraku shtoi se mund të jetë e saktë se hera e parë kur e kishte parë Veselin ishte më 16 nëntor 1998, kur po udhëtonte drejt Shqipërisë. Tha se Safet Syla ka qenë shef i ndërlidhjes në Shtabi i Përgjithshëm, përgjegjës për komunikacion me radio-marrës apo radio-lidhjes. Kurse, për Isuf Krasniqin dëshmitari tha se ai e ka pasur nofkën “Mësuesi”.

Shpërndaje në: