Bylbyl Sokoli për Periskopin: Duhet ta zgjedhim një trajner që ta ndërtojë një përfaqësuese për kualifikimet e ardhshme
Tashmë dhe zyrtarisht Federata e Futbollit e Kosovës e ka shkarkuar nga pozita e trajnerit, Alian Giresse.
Me rezultatet e dobëta gjatë ndeshjeve të qershorit kundër Rumanisë që kishim një barazim dhe ndaj Bjellorusisë që humbëm në Hungari, FFK mori vendimin e pritur për largimin e francezit, Giresse, shkruan Periskopi.
Por, ku gaboi Kosova, a ishte i gjithë faji vetëm te trajneri, apo Kombëtarja jonë duhet të reflektojë edhe në shumë gjëra të tjera?
Periskopi ka kontaktuar me trajnerin e njohur kosovar, Bylbyl Sokolin për të kuptuar se pse Kosova u paraqit kaq dobët në këto ndeshje të rëndësishme për kualifikimet në Kampionatin Evropian 2024.
Sokoli nuk beson se Kosova mund të kualifikohet në këtë faze që është, kështu që kërkon të zgjedh një trajner që e mendon qartë projektin për kualifikime të ardhshme.
“Kosova duhet të zgjedh trajner i cili duhet të fillojë ta ndërtojë një përfaqësuese për kualifikimet e ardhshme”, tha fillimisht Sokoli.
Tutje ‘profa’ tha se shkarkimi i Alain Giresse ka qenë i domosdoshëm dhe se në stolin e Kosovës duhet të vijë një trajner autoritativ.
“Shkarkimi ka qenë i domosdoshëm, sepse rezultatet e fundit ishin turpëruse. Përzgjedhësi i ardhshëm duhet të jetë një trajner autoritativ i cili duhet të ketë vision të qartë pavarësisht nga vjen ai”, tha tekniku i Ferizajt.
Kush e kishte fajin që Kosova u paraqit kaq dobët ndaj Rumanisë në ‘Fadil Vokrri’ dhe Bjellorusisë në Hungari? Sokoli ka përgjigje.
“Faji kryesor ishte trajneri, i cili nuk kishte vision dhe bëri shumë gabime gjatë udhëheqjes. Kështu që duhet një organ professional ta vlerësojë gjendjen, analizojë shkaqet e ktij debakli dhe pastaj të merr masa”, përfundoi tekniku kosovar.
Kujtojmë se Kosova nën drejtimin e Alain Giresse ka 14 ndeshje të zhvilluara, nga to 4 fitore, 6 barazime dhe 4 humbje. Ndeshja e parë e Kombëtares sonë ishte ajo ndaj Burkina Fasos që u mbyll me rezultatin 5:0.|PERISKOPI – IDEAL SUFAJ|