Bylbyl Sokoli mund të zëvendësohet nga miku i tij, Ismet Munishi te Gjilani
Bylbyl Sokoli është në presion të madh të rezultateve me skuadrën e SC Gjilani. Në stinorin pranveror klubi gjilanas nuk po arrin rezultate duke bërë që të futen në krizë të thellë. Të mërkurën (nesër) do ta zhvillojnë ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, pasi do të përballen me rivalët e përbetuar të qytetit, KF Drita.
Sipas “Zeri.info” në rast se Gjilani mposhtet në këtë sfidë, Sokoli do të largohet dhe vendin e tij do ta zë trajneri Ismet Munishi.
Ky i fundit mbetet trajneri i preferuar edhe i tifozëve “Skifterat” për ta zëvëndësuar Sokolin.
“Zeri.info” ka tentuar të bisedojë me Munishin, por ai nuk u lajmërua në telefon.
Ndryshe, Sokoli nuk i arriti pritshmëritë prej se u emërua trajner i Gjilanit, disa xhiro para përfundmit të stinorit vjeshtor.
Kjo skuadër e humbi mundësinë që të avansojë në Kupën e Kosovës duke u eliminuar nga Istogu, derisa në takimet për kampionat ka dështuar për të mbetur në garë për titull.
“Skifterat” renditen në pozitën e katër me 33 pikë, shtatë pikë larg vendit që dërgon në barazh për mbijetesë, ndërsa 17 pikë larg vendit të parë që e mban rivali i qytetit, Drita me 50 pikë.
Ndryshe, Munishi konsiderohet ndër trajnerët më të suksesshëm vendor.
Së fundmi e ka drejtuar me shumë sukses Ballkanin e Suharekës. Pas largimit nga Ballkani, Munishi është analist i përherëshëm në emisionin “Ekipi A” në televizionin ATV.