Bylbyl Sokoli flet për Kupën e Botës, thotë se favoriti i tij në garat ndërkombëtare është Kosova dhe Shqipëria, tregon edhe finalistin e Katarit
Kanë mbetur edhe pak ditë deri te fillimi i Kupës së Botës që do të mbahet në Katar këtë vit.
Tashmë Kombëtaret pjesëmarrëse në këtë kompeticion janë bërë gati që t’i publikojnë listat me lojtarët e ftuar, shkruan Periskopi.
Anglia, Portugalia, Argjentina, Brazili, Spanja dhe Franca janë vetëm disa nga Kombëtaret e mëdha që do të tentojnë të arrijnë finalen e madhe të këtij kompeticioni.
Për të njohur më shumë mënyrë e organizimit të Kombëtareve dhe se cila nga to do të arrinë finalen e madhe të 18 dhjetorit, Periskopi ka biseduar me trajnerin e njohur kosovar, Bylbyl Sokolin.
Trajneri fillimisht tha se Francën e sheh si Kombëtaren që do ta dominojë këtë Botëror.
“Kombëtarja e Francës është me emrat më të fuqishëm në kampionatin botëror, ku favorit pos tyre do të jenë edhe Brazili dhe Argjentina. Këto Kombëtare kanë lojtarë shumë cilësor të cilët luajnë në ekipet më të fuqishme të Evropës”, tha fillimisht Sokoli.
Ai tutje tregoi se lojtarët dhe trajneri padyshim duhet të bashkpunojnë shumë që të arrihet suksesi në fund.
“Të gjithë duhet ta kryjnë punën e vet! Trajnerët e kanë fjalë kryesore, por gjithashtu edhe lojtarët duhet të jenë nën drejtimin e trajnerëve”, vazhdoi tekniku kosovar.
Sokoli thotë se nuk ka ndonjë Kombëtare favorite në këtë kompeticion, pasi thotë se Kombëtarja e Kosovës dhe Shqipërisë është favoriti i tij i garave ndërkombëtare.
“Nuk kam favorit në këtë kampionat… Favoriti im në garat ndërkombëtare është Kosova dhe Shqipëria”, tregoi profesori Byblyl Sokoli.
Për fund trajneri dha një mendim se cilat Kombëtare mund të arrijnë në finalen e madhe të 18 dhjetorit në Katar.
“Në finalen mendoj se do të jenë dy nga tri skuadrat si Franca, Brazili apo Argjentina”, përfundoi trajneri kosovar.
Kujtojmë se Kampionati Botëror fillon me 20 nëntor dhe përfundon me finalen e madhe të 18 dhjetorit 2022./Periskopi/