Buxheti i Gjilanit, Haziri – Hysenit: Buxheti i projektuar për një njeri s’kalon, e duam qytetin më shumë se partinë
![Buxheti i Gjilanit, Haziri – Hysenit: Buxheti i projektuar për një njeri s’kalon, e duam qytetin më shumë se partinë](https://www.periskopi.com/wp-content/uploads/2025/02/lutfi-haziri-536x300.jpg)
Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar në lidhje me çështjen e buxhetit në komunën e Gjilanit, duke thënë se buxheti për një njeri nuk kalon, dhe se, LDK-ja e mbështet buxhetin për Gjilanin.
Ai ka thënë edhe se Alban Hyseni është ai që e solli komunën e Gjilanit në këtë gjendje, e cila ka edhe 14 ditë që të shpëtohet nga masat e jashtëzakonshme.
Tutje, nënkryetari i LDK-së, ka shkruar edhe se sot kjo komunë është e përjashtuar nga grantet e qeverisë së Kosovës dhe grantet e partnerëve, siç ka thënë ai, për shkak të menaxhimit të keq të buxhetit dhe raportit të auditorit të përgjithshëm të Kosovës.
‘‘Pra, buxheti për vitin 2025 kalon vetëm nëse harmonizohen këto programe qytetare në Kuvend, nga të gjitha grupet politike. Për fund, po e ripërsëris, buxheti elektoral i projektuar kështu për një njeri, nuk kalon, sepse LDK mbështet vetëm buxhetin për Gjilanin. Ne e duam qytetin më shumë se partinë. Gjithmonë!’’, ka shkruar ai ndër tjerash.
Postimi i plotë:
Buxheti elektoral për një njeri s’kalon, LDK mbështet vetëm buxhetin për Gjilanin sepse ne e duam qytetin më shumë se partinë
Kanë mbetur edhe 14 ditë që të shpëtohet Komuna nga masat e jashtëzakonshme, gjendje kjo që e solli i pari i ekzekutivit të Gjilanit, z. Hyseni.
Para kësaj, rendi është që t’ua kujtojmë qytetarëve se Gjilani në qeverisjen e LDK-së ishte shembull i partneritetit me organizatat më të fuqishme të shteteve mike.
Ia sollëm plot 132 milionë euro investime nga BERZH/EIB/KFW/ BB etj, duke u siguruar nga dy parime, disiplina buxhetore e pasqyruar nga Auditori i Përgjithshëm.
Fituam dhjetëra grante si rezultat i përformancës së mirë, duke qenë shembulli më i mirë i menaxhimit financiar. Nga monitoruesit e pavarur, transparenca buxhetore ka qenë shumë e lartë.
E fundit, jo më pak e rëndësishme, Gjilani ishte vlerësuar lartë deri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së si komunë shembull në Republikën e Kosovës për “zgjidhjen e problemeve të vërteta në jetën e përditshme dhe për plotësimin e nevojave të njerëzve, zotime të mirëfillta për promovimin e bashkëpunimit në mes të komuniteteve, duke mos hasur në retorikë politike, por në punë serioze që për synim ka ndërtimin e një shoqërie tolerante”.
Sot situata është krejt ndryshe.
Fatkeqësisht, Gjilani është Komunë e përjashtuar nga grantet e qeverisë së Kosovës dhe grantet e partnerëve për shkak të menaxhimit të keq të buxhetit dhe raportit të auditorit të përgjithshëm të Republikës së Kosovës.
Përpos stacionit të autobusëve, i cili u projektua nga ne, doli në skenë ministri Elbert Krasniqi, konfirmoi një bashkëfinacim për këtë projekt dhe duhet t’i themi faleminderit dhëndër për kujdesin.
Po ashtu, ministri Aliu ka hyrë në disa projekte bashkëfinancimi, por janë premtime më shumë, duke mos garantuar zbatim.
Me 1 tetor u rifillua “Mirusha” dhe nuk u punua sepse s’ka as kushte e as buxhet.
Rruga “Adem Jashari” u sakatua dhe s’u zabatua.
Nuk po zbatohet projekti i qendrës sportive në palestrën e sporteve “Bashkim Selishta – Petriti”, por ai i Hajrulla Çekut për lojërat mesdhetare.
Stadiumin e bënë gropë të zezë e projektin më të madh kapital për juglindjen, atë të autostradës, e shndërruan në autolloç.
Rruga “Hamdi Kurteshi” u nis pa kanalizime e kolektorë të ujërave, e u dyfishua kostoja.
Pra, buxheti për vitin 2025 kalon vetëm nëse harmonizohen këto programe qytetare në Kuvend, nga të gjitha grupet politike.
Për fund, po e ripërsëris, buxheti elektoral i projektuar kështu për një njeri, nuk kalon, sepse LDK mbështet vetëm buxhetin për Gjilanin.
Ne e duam qytetin më shumë se partinë. Gjithmonë!