Burgje që vrasin, monopol mediash, shoqëri civile entesh
Fatlum SADIKU
Viti 1996. Pushteti ishte i Millosheviqit. Kusheriri Naim Zahiti, ish pjesëtar i LKÇK-së – i vrarë në Masakrën e Dubravës më 22 maj 1999 – po mbahej në burgun e Mitrovicës. Babai i tij Zenel Zahiti kishte ardhur ta vizitojë duke i’a sjellur një ‘gajbe’ me Coca-cola, kanaçe. Por u kthye me gajbe në duar, sepse personeli i burgut nuk i’a kishte lejuar. Me të drejtë, sepse kanaçja është e mprehtë dhe mund të çoj në tentativë vrasje/vetëvrasjeje. D.t.th edhe ata qe e vranë në burg 3 vite më vonë dhe në kushte lufte, të paktën ndiqnin disa rregulla burgu paralufte. A doni argument tjeter mbi fajesinë e shtetit, çfaredo që të dalin rezultatet përfundimtare?
Pra deri edhe pushteti i Millosheviqit, madje në kushte praglufteje, nuk të vriste e as nuk të lejonte të vetëvritesh. Edhe nëse ngjante diçka e tillë nuk mund të prisje telegram ngushëllimi nga Millosheviqi. Jo vetëm se nuk do të denjonte, por sepse do të ishte nonsens në vete: nëse je i dyshuar për terrorizëm, përse të të ngushëlloj? 20 vite pas, kemi përparime. Në burgje na ngjajnë edhe vrasje dhe vetëvrasje pa Millosheviqin në krye të vendit, si dhe në kushte kur ky pushtet ngushëllon, madje nderon familjarët e atij në të cilin dyshoi për terrorizëm.
Javën e kaluar shkrova se i monopoli medial, e që në fakt është monopol politik – i ushtruar prej një njeriu që manipulon për një pasluftë të tërë një popull në numër sa një lagje mesatare e Stambollit, është për të bërë të qash. Nuk e di se ku ka më tragjike kur dikush për të cilin edhe gazetari më fillestar në Prishtinë të flet si për një sharlatan dhe si për njeri që nuk duhet të mirret seriozisht, gjen aq fuqi politike sa të posedojë ato që nuk i posedon as prokuroria? Për të cilin shërbimi që i bëri Stanishiqit u zu në gojë nga vetë ish punëdhënësi i tij?
Kjo pra është Kosova e terrorit medial që pushteti ushtron përmes një njeriu mercenar. Dhe edhe më tragjike është se si gazetaria në këtë vend me kohë e ka kapur me delikatesë një prirje të ulët të këtij populli: shpotitjen, dhe mu përmes saj ushtron krejt terrorin. Pra: njeri i njejtë për 30 vite + kontroll i parasë + shërbim prej mercenari + renditje e lartë në rrjetin kabllor dhe satelitor të blerë nga ky pushtet. Në saje të krejt këtyre, ushtrim i një diktati nga kryqendra drejt provincave të nemitura përmes shpotitjes deri edhe të procesve më të ndjeshme si ai i rastit Dehari. Të terrorizuar: shpirti i një djaloshi që akoma s’kishte mbushur të shtatat nga vdekja, familja e tij, një opinion i gjerë. Nga i pandjeshmi. Shërbetori deri në varr. Edhe pas tij. I përjetshëm
Terrori tjetër vije nga kuazi shoqëria-civile që në rastet si i ky i Deharit të paktën duket se zihet ngusht. Në njërën anë u sinjalizon ndërgjejgja, nëse u ka mbetur një trohë, në anën tjetër, paraja e pistë që sigurojnë nga të qenit operandë anglofon, (e kurrgjë tjetër), si dhe marrëdhëniet meskine që kanë me këtë pushtet nuk u’a lejojnë të paktën njëherë të deklamojnë se ky pushtet është hajgarallëk që vret. Injorancë që vret. Arrogancë që vret. Në vend të kësaj fshihen pas lustrave si “institucionet”, “drejtësia”, “prokuroria”. Cilat biçim institucione bre ? Entet ku shkolla jugosllave e politikbërjes vetëm i lëshoi vendin njëherë SPS-it të Millosheviqit, më pas “demokratëve” të LDK-së e qe 10 vite revenshistëve në emër të luftës?
Ndërtesa e Kuvendit ku dyshohej se kanë shtënë grupi i Astritit nuk është institucion. Është ent. Ish Kuvendi i Krahinës Socialiste Autuonome të Kosovës, që edhe si arkitekturë është një bajgë mbi nativen e Prishtinës, e lëre më të konsiderohet institucion. Institucione janë martesa, familja, komunioni që del nga këto, e që supozohen të prevalojnë drejt një shoqërie të ndërtuar mbi besimin, jo bajgat arkitektonike me kryesi prej kriminelësh e mbi trollin ku graviton një turmë njerëzish që jeton si të jetë e detyruar të jetojë së bashku. Mbi çka ? Mbi gjuhën shqipe na kanë pas thënë rilindasit kurse ky pushtet na thotë mbi nënshtrimin, nepotizmin e poshtër, blerjen e secilit vend pune. Ai vend jo vetëm që nuk përmbush imperativin kuptimor burimor të Kuvenit* ku shqiptari zbret e kuvendon, por përkundrazi është një kafaz që ta rëndon shpirtin, që i vije era duhmë komisarësh.
A ka nevojë të shkruaj edhe për drejtësinë e prokurorinë?