Burekun e fundit 70 centësh do ta ruaj për kujtim
Ose: si e përjetuam në redaksi masën 100 për qind ndaj mallrave serbe?
Shumëkush, përfshirë edhe mua, mund të mos e ketë ditur në momentin e parë në përllogaritje, se çka i bie një masë 100 për qindëshe ndaj mallrave serbe. A i binte një embargo totale? A i binte diçka që kushtote 1 euro, tash do të kushtonte 2 euro. Sa do të kushtojë bureku tash? Jo, kështu: kur të shkojmë në restorant, a do t’i bie më lirë ta porosisim një sandwich me mish pule apo ta porosisim një bukë thatë dhe një shishë ujë. Pra: kamarier, për mua një bukë me asgjë. Kështu e biseduam me kolegët taksën 100 për qind ndaj Serbisë, në momentin kur Periskopi, ishte mediumi i parë që raportoi se Qeveria sapo e kishte marrë këtë vendim. Në ato momente, ja behu një koleg (që ha rrallë burek) me një burek në dorë. Kur ia kumtuam lajmin për 100 për qindëshin tha: po ta dija do të kisha ble pesë burekë sa janë ende më lirë. Pra, 100 për qind për dikë që nuk merr vesh fort e thellë (si unë) në çështje ekonomike, mund të mos e binte saktë përnjëherë çka domethënë, ama 100 PËR QIND (fjalë e madhe, shifër e madhe).
Një energji e akumuluar – energji negative – për shumë vjet, që prej kur kemi premtime për viza dhe ende s’i kemi ato, vazhdoi me dështimet tona për anëtarësime në organizata ndërkombëtare si UNESCO, INTERPOL.
Dështim në INTERPOL, ishte kapaku. S’po më vihet as në punë, qysh bre? – i shkruajta një kolegu në mëngjes. Shikuar në premisa diplomatike, ndoshta secili nga ata që merret në baza ditore me lajme, mund ta kuptonte që kështu do të ndodhte. Entuziazmi i tepruar i Pacollit se ‘kjo është punë e kryer’ dhe joentuziazmi i anës serbe se ‘ndoshta, përnjëmend Kosova do të pranohet në INTERPOL’, të shtinin të dyshosh në këtë.
Nervozën me Interpolin, e përmbysi atë natë fitorja e Kosovës ndaj Azerbejxhanit. Të nesërmen, erdhi vendimi për masë 100 për qindëshe. Një ekonomist, mund ta ketë parë ndryshe këtë çështje, por një gjë dallohej qartë: të gjithë ishin të lumtur me këtë vendim. Reagimet në rrjetet sociale, shpërfaqnin atë lloj gëzimi i ardhur si shenjë hakmarrje për gjithë përulësinë që na bën Serbia, kudo që mundet. Kujtojeni pak Ivica Daçiqin teksa endej korridoreve të mediave serbe për ta dhënë një deklaratë për ‘prapambeturinë e popullit shqiptar të Kosovës’ – ata po ia festojnë ditëlindjen Klintonit… “ju lutem, janë shumë të prapambetur, nuk po e kuptojnë që po bota po ecë”.
Tek e fundit, nuk ka një qytetar i Kosovës që shpreson në mëshirë të Serbisë karshi Kosovës (përveç Behgjet Pacollit nganjëherë, aty-këtu).
Kështu, 100 për qindëshi ndaj mallrave serbe, po përjetohej si një moment lufte, kur je në istikame dhe komandanti ta rritë moralin se do të fitojmë. Plumbat po na harxhohen, ama fitoren e kemi afër.
Dhe nëse kryeministri Haradinaj mund ta mbajë premtimin se kjo taksë do të jetë në fuqi deri në njohjen e Kosovës shtet nga Serbia, që nuk është shumë e lehtë për ta besuar, por të supozojmë se mund të ndodhë, periudhën kohore se qysh kanë qenë gjërat para luftës – pas luftës, mund ta ndajmë tash në ‘kur e kam blerë burekun e fundit 70 cent’.
Ose: biskotën e fundit ‘plazma’ e kam ngrënë në nëntorin e vitit 2018, rastësisht :P. Sepse, nuk them se ndonjëherë, pavëmendshëm mund të kem blerë produkte nga Serbia por tash ndjehem e gatshme të mbaj ramazan përballë ‘cipiripit’ dhe produkteve të tjera nga fqinji jonë verior.